2015-02-05 15:15:00

Papa Françesku: nuk ka vend në shërbesë për atë, që shpërdoron të miturit


Nuk ka vend në shërbesën meshtarke, për ata, që shpërdorojnë të miturit: e pohon me forcë Papa në një Letër drejtuar kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore dhe eprorëve të Instituteve rregulltare e Shoqërive të jetës apostolike, në prag të takimit të Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, që do të mblidhet nesër, për herë të parë, në Vatikan. Komisioni u themelua nga vetë Françesku marsin e kaluar, me qëllim që të ofrojë propozime e nisma për përmirësimin e normave dhe procedurave në mbrojtje të të gjithë të miturve e të të rriturve të ligshtë. Në Komision, sipas dëshirës së Papës, janë thirrur të bëjnë pjesë personalitete shumë të kualifikuara e të njohura për angazhimin e tyre në këtë fushë.
Papa kërkon të bëhet ç’është e mundur për ta çrrënjosur nga Kisha plagën e shpërdorimeve.
Kërkon që Kisha të mos i kursejë përpjekjet për mbrojtjen e të miturve.
Të verifikojë periodikisht respektimin e normave.
Të jetë e gatshme të takohet me viktimat.
Të nxisë bashkëpunimin e plotë dhe shkëmbimin e përvojës ndërmjet konferencave ipeshkvnore, eprorëve të Instituteve rregulltare dhe Shoqërive të jetës apostolike, me Komisionin për mbrojtjen e të miturve.
Mbi të gjitha, Kisha është përpjekur e do të vijojë të përpiqet për t’i ndrequr padrejtësitë e së kaluarës e për të qenë besnike ndaj detyrës së mbrojtjes të të miturve, që Krishti i do aq shumë.







All the contents on this site are copyrighted ©.