2015-02-05 14:02:46

Papa Bergoglio: Greqi, shpirti i solidaritetit kundër kulturës së pesimizmit


T’i kundërviheni kulturës së pesimizmit, me besim në të ardhmen e të dëshmoni vëllazërinë e solidarietin në të gjithë vendin. Për këtë i nxiti Papa, në fjalimin e dorëzuar, prelatët e Konferencës ipeshkvnore të Greqisë, në Vatikan, për vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum”.
Në fjalim theksohen problemet e detyrat e radhës së parë, që duhet të kenë parasysh ipeshkvijtë në veprimtarinë e tyre, në një vend që po kalon çaste të vështira ekonomiko-financiare. Papa i nxit ipeshkvijtë të ngjallin besim e shpresë, me bindjen se kyçi për hapjen e portave të shpresës është pikërisht shpirti i solidaritetit, që çdo i krishterë është i thirrur ta dëshmojë.
Papa i porositi ipeshkvijtë t’i mirëpresin emigrantët e të dialogojnë me përfaqësuesit e të gjitha shtresave politike dhe kulturore, të ecin në udhën e ekumenizmit, të kujdesen për klerin, të punojnë me zell apostolik e, pavarësisht nga numri i pamjaftueshëm i meshtarëve, ta vijojnë misionin në viset helenike, duke u angazhuar posaçërisht në fushën shkollore, ku Kisha katolike ka një traditë të lashtë.
Nuk harron as familjen Papa, në fjalën drejtuar ipeshkvijve katolikë të Greqisë. Flet për ligështimin e saj, shkaktuar edhe nga procesi i shekullarizimit. Thekson punën baritore përgatitore, që duhet bërë me çiftet para martesës dhe kujdesin për breznitë e reja, pa harruar të moshuarit, që gjithnjë më shpesh braktisen e trajtohen me çkujdesje të pafalshme, në kontekstin e kulturës së përjashtimit, të hedhurinës.
Në përfundim Papa kujton se njohja juridike e Kishës katolike nga ana e autoriteteve kompetente, është ngjarje me rëndësi të madhe, që ndihmon pë ta shikuar më qetësisht ardhmërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.