2015-02-04 12:31:19

Sarajevë, kur Papa Vojtila shkoi në Jeruzalemin e lindjes


Njoftimi për vizitën e Papës në Sarajevë, qershorin e ardhshëm, na sjell përsëri në kujtesë pritjen e gjatë të Papës Gjon Pali II, që pati dëshiruar të shkonte në kryeqytetin boshnjak që më 1994, shtegtim, të cilin u detyra ta shtyjë deri më 1997. Ta shfletojmë këtë faqe të historisë…
Mazgallat e 200 bunkerëve, nga të cilat zgjaten tyta topash, që përgatiten të shtien, nuk dallohen, kur i sodit nga poshtë. Edhe kodrat, me vdekjen në gji, parë nga poshtë, kanë vetëm ngjyrat e pranverës. Është data 5 prill 1992 e Sarajeva është mbërthyer në kthetrat e ankthit. Prej javësh, pyjet, qi i bëjnë kurorë kryeqytetit të Bosnjës e Hercegovinës, janë dëshmitarë të heshtur të rrethimit të egër. Shihen kudo armë të artilerisë së rëndë, topa, tanke, nën komandën e gjeneralit serb Ratko Mladiç: të gjitha me grykat e drejtuara poshtë, gati për grirë e për të korrur njerëz: gra, pleq, fëmijë që, parë nga lart, duken si bubrreca. Po janë njerëz. Të tmerruar. Që vrapojnë të pushtuar nga një frikë, të cilën vonë e herë do ta harrojnë.
Masakra e Sarajevës
Në fillim të majit, udhët e hyrjes bllokohen, furnizimet me ushqime ndërpriten, mungojnë ilaçet, nuk ka korrent elektrik: fillon masakara. Masakrime të përditshme, të përpikta, edhe 300 vetë në ditë. Qëllohet mbi tregjet, mbi fushat e futbollit, mbi rrugët ku gratë, që ikin me vrap, ngarkuar me shpenzimet e ditës, bien përdhe, të mbytura në gjak, nën goditjen e snajperve. Kjo është Sarajeva e atyre ditëve, që bëhen muaj, bëhen vite, katër vjet gjaku, rrethimi më i gjatë i historisë: 12 mijë të vdekur, 50 mijë të tjerë të plagosur e të gjymtuar për gjithë jetën.
“Unë, ipeshkvi i Romës, Papa i parë sllav, gjunjëzohem para teje, për të ngritur me sa forcë që kam zërin drejt qiellit: “Nga murtaja, nga uria, nga lufta, çlirona! Ati ynë! Atë i njerëzve. Atë i Popujve. Atë i gjithë popujve, që jetojnë në botë. Atë i popujve të Evropës. I popujve të Ballkanit…”.
Sarajeva e rrethuar
Ndërsa bota indinjohet, pa luajtur as gishtin, vetëm një lider, një i vetëm, kërkon të hyjë në skëterrën, prej nga përpiqen të ikin të gjithë. Gjon Pali II dëshiron të shkojë në Sarajevë, “në Jeruzalemin e lindjes”. Dëshiron të ngjitet në Kalvar e të rrijë aty, Papa sllav. Me sllavët, serbë, kroatë e myslimanë, që po masakrohen. Arrin gati-gati ta dëgjojë buçimën e topave, nësa viziton Zagrebin, kryeqytet i Kroacisë, më 10 e 11 shtator të ’94-tës. Po Sarejevën, jo! As përpjekjet e pareshtura të diplomacisë nuk arrijnë ta ndalojnë luftën, të paktën për një ditë të vetme, përpara Papës, që dëshiron të vijë këtu e të flasë për paqen, në mes të flakëve të luftës.
“U bëftë vullnesa jote! U bëftë mbi botë , e posaçërisht mbi tokën gjithnjë të trazuar të Ballkanit, vullnesa jote! Ti nuk e do dhunën e urrejtjen. Ti i rri larg padrejtësisë e egoizmit. Ti do që njerëzit të jenë vëllezër e të të njohin si Atë.
Mjaft më me barbari
Nuk e lënë të shkojë, e atëhere Papa plak sllav, i larton Zotit “Atynën më të dhimbshme” që u dëgjua a u regjistrua ndonjëherë e dalë nga goja e Pasardhësve të Shën Pjetrit. Para se të nisej për Zagreb, më 8 shtator 1994, në Kastel Gandolfo, kremton një meshë e homelia, që shqipton, është po ajo, që kishte përgatitur për vizitën në qytetin martir. Për disa minuta kufijtë e Pallatit Apostolik treten e në atë oborr, dëgjohet jehona e ulurimave, e batareve të mitrolozave, e të shtënave të topave, shihen shtëllungat e tymit, që del nga rrënojat e Sarajevës:
“I duhet dhënë fund kësaj mizorie! Mjaft më me luftë! Mjaft me tërbimin shkatrrimtar! Nuk mund të lejohet më një situatë, që prodhon vetëm fryte vdekjeje: vrasje, qytete të shkrumbuara, ekonomi të shkatërruara, spitale pa ilaçe. Të sëmurë pleq të braktisur, familje të mbytyra në lotë e të copëtuara. Duhet arritur sa më shpejt një paqe e drejtë. Paqja mund të arrihet. Nëse njihet epërsia e vlerave morale mbi pretekstet e racës a të forcës.
Falja, e vetmja forcë e paqes
Tri vjet më pas, më 12 e 13 prill ’97, shtegtimi i pamundur kryhet. Gjon Pali II hyn në Sarajevë e mbi qytetin e plagosur në shpirt, buçasin stuhishëm mesazhet e paqes e ftesat për dialog – 7 fjalime në 24 orë – e tundin qytetin e grirë nga murtajat. Flet nën flokë dëbore, lëshon tre pëllumba e flatrave të tyre të bardha u beson një tjetër nga shprehjet e tij të mirënjohura: “Kurrë më!”Kurrë më luftë, kurrë më urrejtje e intolerancë! Këtë na mëson ky shekull, ky mijëvjeçar, që numron ditët e fundit. E me këtë mesazh përgatitem të nis vizitën time baritore. Logjika çnjerëzore e dhunës duhet zëvendësuar me logjikën konstruktive të paqes. Instinkti i dhunës, t'i lëshojë vendin forcës çliruese të faljes!







All the contents on this site are copyrighted ©.