Më 6 shkurtin e ardhshëm do të kremtohet, në Bagdad, shugurimi i dy ipeshkvijve të
Kishës kaldease: Imzot Emanuel Hana Shaleta, ipeshkëv i dioqezës kanadeze të Shën
Addai dhe imzot Basel Yaldo, që do të zërë vendin e mëkëmbësit patriarkal të Bagdadit,
imzot Jacques Isaac, i cili vitin e kaluar mbushi moshën 75 vjeç. Çështja e
meshtarëve të transeferuar pa leje në dioqezat e sigurta perëndimore Një ditë
më pas do të mbahet Sinodi i jashtëzakonshëm, me një program problematik, me shumë
pika. Ndërmjet tyre, vendimi i marrë nga Sinodi kaldeas i vitit 2013 për grupin e
meshtarëve dhe të murgjërve që, gjatë viteve të fundit, u larguan nga dioqezat e nga
shtëpitë rregulltare në Irak, pa lejen e domosdoshme të eprorëve e u transferuan në
SHBA dhe në vende të tjera perëndimore, për të kryer shërbesën pranë dioqezave ‘më
të sigurta’ të diasporës kaledease. Masat kanonike disiplinore Tetorin
e kaluar patriarku Louis Raphael Sako pati botuar një dekret, përmes të cilit i urdhëronte
të larguarit të riktheheshin menjëherë në atdhe ose të merreshin vesh me ipeshkvijtë
a eprorët e bashkësive për rregullimin e transferimit të tyre. Nëse ky urdhër nuk
do të zbatohej, do të merreshin masa kanonike disiplinore, si pezullimi nga shërbesa
meshtarake dhe anulimi i çdo forme shpërblimi. Por deri më sot, në shumicën e rasteve,
porositë e patriarkut nuk janë marrë parasysh. Kisha kaledase ka nevojë për
meshtarë të aftë e besnikë Në një intervistë dhënë Baghdadhope, patriarku Sako
shpjegon se murgjit duhet të rikthehen në manastire e të rifillojnë jetën murgare
të lutjes të reflektimit, për të cilën kanë bërë kushtet. Nuk mund të konceptohet
që ata të shërbejnë si priftërinj dioqezanë. Rikthimi i tyre duhet vlerësuar një për
një, sepse, deklaron patriarku Sako, “Kisha ka nevojë për meshtarë të aftë e besnikë,
e kush nuk është i tillë, më mirë të largohet me dëshirën e tij”. Kush ikën,
u mohon besimtarëve irakianë ngushëllimin moral e shpirtëror “Aktualisht, nënvizon
në intervistë Patriaku Sako, në Irak jetojnë 400 mijë të krishterë, nga të cilët,
më shumë se gjysma, kaldeas. E këta të fundit janë nën kujdesin shpirtëror të 75 priftërinjve
dioqezanë e të 15 murgjërve. Besimtarët jetojnë një realitet të ngarkuar me shqetësime
e vuajtje, që vitet e fundit janë bërë edhe më të padurueshme. Kanë, prandaj, nevojë
për të gjitha forcat e Kishës. Një prift a një murg që ikën, jo vetëm jep shembull
të keq, por u mohon besimtarëve, në atdhe, atë ngushëllim moral e shpirtëror, që sot
është më i nevojshëm se kurrë.