2015-02-04 13:48:12

Françesku: etërit, të pranishëm, por jo kontrollues, i qortojnë fëmijët, pa i poshtëruar


Etërit duhet të jenë të pranishëm në familje, por jo vetëm për t’i kontrolluar fëmijët. Këtë pohoi Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI. Papa shtjelloi një reflektim të dytë kushtuar figurës së atit, pas atij të së mërkurës së kaluar. E nënvizoi se etërit duhet të jenë durimtarë e zemërgjërë, por njëkohësisht duhet t’i qortojnë fëmijët me vendosmëri.

Etërit, të pranishëm në familje.
Një doracak, për të qenë baba i mirë në familje. Këtë skicoi Papa gjatë këtij katekizmi, duke kujtuar shembullin e Shën Jozefit, atit të Familjes së Nazaretit dhe disa nga shprehjet, që i gjejmë në Librin e Fjalëve të Urta, me të cilat babai i drejtohet, me shumë dashuri, të birit.
“Por gjëja e parë e nevojshme është që babai të jetë i pranishëm në shtëpi”.
Ati duhet të presë, të falë e të qortojë, pa poshtëruar
Ati duhet të jetë i pranishëm, por jo thjesht për të kontrolluar, sepse etërit e tillë nuk i lënë fëmijët të rriten. Duhet t’i ngjasin babait të shëmbëlltyrës së djalit plangprishës:
“Të jenë të durueshëm, të presin e të luten me duresë, ëmbëlsi, dhimbsuri, mëshirë. Një atë i mirë di të presë e të falë. Por edhe të qortojë vendosmërisht, pa u treguar i ligshtë, ta mbrojë fëmijën, pa e kursyer”.
Ati duhet të veprojë e të flasë me urti e drejtësi
Një atë i mirë, reflektoi Papa, nuk i thotë kurrë të birit: “Jam krenar për ty, sepse je krejt si unë”. Jo, i thotë diçka tjetër, më të rëndësishme: “Jam krenar sa herë të shikoj se vepron me urti, e do të prekem thellë, sa herë të flasësh me drejtësi. Këtë dëshiroj të të lë trashëgim; urtinë e drejtësinë.
Ati i urtë, i pjekur
Ja si i flet ati birit, kujtoi në vijim Papa:
“Të bëra të ndjesh një dashuri të thellë, e njëkohësisht, të përmbajtur, që ndoshta nuk e kuptove plotësisht, kur ishte i ri e i paqartë. Të dhashë dëshminë e rreptësisë e të vendosmërisë, që ndoshta nuk arrite ta marrësh vesh, kur dëshiroje vetëm përkrahje e mbrojtje”.
M’u desh të të vija në provë, për të gjetur rrugën e mirëkuptimit. Tani, kur shikoj se edhe ti përpiqesh të jesh si unë me bijtë e tu, prekem thellë në shpirt. Më bën të lum mendimi se jam babai yt. Këtë thotë një atë i urtë, i pjekur.
Kisha i ndihmon etërit e familjet
Një atë, shtoi Papa, e di mirë sa kushton transmetimi i kësaj trashëgimie: sa afërsi, sa ëmbëlsi e sa vendosmëri. Por, komentoi, sa ngushëllim e shpërblim merr, kur fëmijët e nderojnë këtë trashëgimi.
Nëse ndokush mund ta shpjegojë me fund Atynën, që na e mësoi Jezusi, vijoi Françesku, ky është pikërisht ai, që e jeton thellësisht atësinë. Pa hirin e ardhur nga Ati që është në qiell, shtoi, etërit e humbasin guximin, e braktisin fushën e betejës. Prandaj Kisha angazhohet ta ndihmojë me të gjitha forcat praninë e mirë e bujare të etërve në familje:
“Sepse ata janë për breznitë e reja rojtarë e ndërmjetës të pazëvendësueshëm të besimit në mirësinë, të besimit në drejtësinë e në mbrojtjen e Zotit, si Shën Jozefi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.