2015-02-03 13:15:30

Françesku: të dëgjojmë Ungjillin, jo telenovelat. Jezusi është shpresë


Kundrimi i përditshëm i Ungjillit na ndihmon të kemi shpresën e vërtetë. Këtë nënvizoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, duke na mësuar uratën e kundrimit. Ati i Shenjtë Bergoglio i nxiti përsëri besimtarët ta marrin çdo ditë në dorë Ungjillin, edhe vetëm për 10 minuta, për të biseduar me Zotin, e të mos humbet kohë duke shikuar telenovela apo duke dëgjuar thashethemet e të afërmit. Kështu Papa propozon “uratën kundruese”, përqendrimin e “vështrimit tonë mbi Jezu Krishtin” e mbi Ungjillin, pa humbur kohën duke u marrë me “thashetheme” a duke shikuar “telenovela” të kota.

Cili është thelbi i shpresës? T’i mbajmë gjithnjë sytë ngulur tek Jezusi. Françesku e shtjelloi homelinë, i nxitur nga fragmenti i Letrës drejtuar Hebrenjve, që flet pikërisht për shpresë. Papa nënvizoi se po të mos e dëgjojmë Zotin, ndoshta edhe mund të jemi optimistë, mund të kemi ndjete të mira. Por shpresa na mëson t’ia ngulim gjithnjë sytë Jezusit. Duke u nisur prej kësaj, Papa e përqendroi reflektimin tek lutja e kundrimit. Françesku vërejti se është mirë të thuhet Rruzarja ditë për ditë, të flitet për ditë me Zotin, kur kemi vështirësi, ose me Zojën e me shenjtorët. Por, shtoi, ka shumë rëndësi të bëjmë lutjen e kundrimit, e kjo mund të bëhet vetëm me Ungjillin në dorë:
“Si mund ta bëj kundrimin me Ungjillin e sotëm? Shikoj se Jezusi ishte në mes turmës, rreth tij kishte shumë njerëz. Pesë herë e përsërit ky fragment fjalën ‘turmë’. ‘Po Jezusi, nuk pushonte kurrë?’ - mund të mendoj unë: ‘Gjithnjë në mes të turmës’… ‘Po, pjesa më e madhe e jetës së Jezusit kaloi rrugëve, me turmën. Po a nuk pushonte kurrë? Pushonte, na e thotë Ungjilli, që e përshkruan duke fjetur në barkë, kur erdhi stuhia e dishepujt e zgjuan. Jezusi ishte gjithnjë në mes të njerëzve. E shikoj Jezusin kështu, e kundroj kështu, e përfytyroj kështu. E ia them Jezusit atë, që më vjen në mendje t’ia them”.
Jezusi, tha akoma Papa duke shtjelluar Ungjillin e sotëm, kujtohet menjëherë, kur një grua e sëmurë, nga mesi i turmës, e prek. Zoti jo vetëm që e kupton turmën, por edhe e ndjen, ndjen si rreh zemra e secilit nga ne, e secilit. Ka kujdes për të gjithë e për secilin, gjithnjë! E njëjta gjë, shtoi Papa, kur kreu i sinagogës shkon e i tregon se e ka vajzën të sëmurë rëndë: e Ai lë gjithçka e merret me të. Françesku vijoi të përfytyrojë atë që ndodhte në këtë çast. Jezusi arrin në shtëpi, gratë qajnë, sepse vajza ka vdekur, por Zoti u thotë të qetësohen e njerëzit nisin ta tallin. Këtu, nënvizoi Papa, shikojmë durimin e Jezusit. E pastaj, pas ngjalljes së vajzës, Jezusi, në vend që të kujtojë se kjo ishte “Forca e Zotit”, u thotë njerëzve të shtëpisë: “Ju lutem, jepini të hajë”. Jezusi, vërejti Papa, ka gjithnjë hollësira të vogla para Tij. E kjo që bëra unë, me këtë Ungjill, kujtoi Papa, është pikërisht lutja e kundrimit: ta marrësh Ungjillin, ta lexosh, të përfytyrosh skenën, të përfytyrosh atë, që po ndodh e të flasësh me Jezusin fjalët, që të dalin nga zemra:
E me këtë ne bëjmë të rritet shpresa, sepse ia kemi ngulur fort sytë Jezusit. Bëjeni këtë lutje kundrimi. ‘Po unë kam shumë gjëra të tjera për të bërë. Kam shumë punë!’. Po 15 minuta duhet t’i kesh të lira, kur je në shtëpi tënde; merre atëhere Ungjillin, një fragment të vogël, përfytyroje atë, që ndodh e fol me Jezusin për këtë. Kështu syri yt do të ngulet fort mbi Jezusin, e jo aq mbi telenovelat, për shembull. E edhe veshi yt do të ngulet mbi fjalët e Jezusit, e jo mbi përgojimet e të afërmit, të së afërmes”.
E kështu, pohoi, lutja e kundrimit na ndihmon për të shpresuar. Për të jetuar gjithnjë me frymën e Ungjillit. Për t’u lutur gjithnjë. Françesku i ftoi besimtarët të thonë lutje, të thonë Rruzaren, të flasin me Zotin, por të bëjnë edhe lutjen e kundrimit, për t’i mbajtur gjithnjë sytë ngulur mbi Jezusin. Nga kjo lutje, rikujtoi, vjen shpresa. E kështu jeta jonë e krishterë lëviz në këtë kornizë, ndërmjet kujtimit e shpresës:
Kujtimi i gjithë udhës së bërë, i gjithë hireve të marra nga Zoti. E i shpresës, duke parë Zotin, i vetmi që mund të na japë shpresë. E për ta parë Zotin, për ta njohur Zotin, të marrim Ungjillin e ta bëjmë lutjen e kundrimit. Sot, për shembull, gjeni 10-15 minuta, jo më tepër, e lexoni Ungjillin, përfytyroni e thoni ndonjë gjë Jezusit. E asgjë më. E kështu do ta njihni më mirë Jezusin e shpresa juaj do të rritet. Mos harroni t’i mbani sytë ngulur te Jezusi. Për këtë ju ndihmon lutja e kundrimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.