“Kurrë më skllevër, por vëllezër”: paraqitja e mesazhit të Papës në Kosovë
Kohëve të fundit, e pikërisht më 26 janarin e kaluar, në Prishtinë, Kisha katolike
e Kosovës paraqiti mesazhin e Papa Françeskut për Ditën Botërore të Paqes 2015 me
titullin ‘Jo më skllevër, por vëllezër’, kremtuar më 1 janarin e kaluar. Mesazhi i
Papa Françeskut për Ditën e 48-të Botërore të Paqes (1 janar 2015), është “Kurrë më
skllevër, por vëllezër”, të kujton Letrën e Shën Palit drejtuar Filemonit (Fm
1,15-16). Dokumenti, i paraprirë nga një hyrje kushtuar planit të Zotit për njerëzimin,
mund të ndahet në dy pjesë: në të parën, Ati i Shenjtë Bergoglio ndalohet tek aspekte
të ndryshme të skllavërisë, dje e sot, duke kujtuar shkaqet më të thella, ndërsa në
pjesën e dytë të Mesazhit, Papa e nxit njerëzimin të gjejë rrugë të përbashkëta për
ta zgjidhur problemin, që Françesku e quan “fenomen të neveritshëm”.
Po
t’i kthehemi prezantimit të Mesazhit papnor në Kosovë e të ndjekim shërbimin e Rabie
Ibrajt nga Prishtina.... Pra Mesazhi
i Papës për Paqe i vitit 2015, prezantohet edhe në Kosovë. ‘Jo më skllevër por
vëllezër’, dihet se kjo është porosia e Papa Françeskut për vitin 2015, shpallur me
1 janar në Ditën Botërore të Paqes, drejtuar jo vetëm Kishës Katolike por mbarë njerëzimit.
Në Kosovë, ky mesazh u shpalos me 26 janar në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë.
Se Kisha Katolike e Kosovës është e njohur gjithmonë për promovim paqeje në vend,
ky fakt dihet, por për ta promovuar mesazhin e Papës në Kosovë këshilltari i lartë
i myftiut të Kosovës, Vedat Sahiti, kjo është një vlerë që se gjënë tjetër kund, është
një fakt i vlerësuar. ‘Sot kam një mision të veçantë, në një vend të veçantë për të
përcjell një mesazh nga një personalitet shumë i veçantë Papa Françesku’, kështu nisi
fjalën e tij Vedat Sahiti. Për vogëlsinë time, tha ai, kjo është sfidë e përgjegjësi
dhe ndjehem i privilegjuar për besimin që më ka dhënë paria e Kishës, vëllezërit
e mi katolikë. Duke vlerësuar lartë figurën e Papa Françeskut dhe fjalën rrezatuese
të tij në vizitat nëpër botë, Sahiti më pas u ndal në përmbajtjen e mesazhit të vitit
2015 duke thënë se, këtë mesazh e vlerëson lartë sepse Ati Shenjtë përçon mesazhin
e vëllazërisë mes popujve në një kohë tepër të vështirë. Ai theksoi edhe aspektet
filozofiko-teologjike dhe humane, që siç tha, Papa ka prekë pikat ontologjike dhe
filozofike me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë dhe të kapshme që pranohen nga të
gjithë duke kërkuar impenjim dhe realizim në jetësimin e harmonisë vëllazërore. ‘’Sot
bota ka nevojë më shumë se kurrë, për këtë lidhje vëllazërie mes njerëzve’ theksoi
Vedat Sahiti, i cili çmoi lartë përkthimin e mesazhit në gjuhën shqipe sepse siç
tha, kisha përshtypjen se Papa direkt ju ka drejtuar popullit shqiptar. Një tjetër
kumtesë u paraqit nga shkrimtari e publicisti Prend Buzhala, me temën: ‘Shkrimtarët
dhe mesazhi i paqes’. Në një fjalim të gjatë përmbajtësor, Buzhala tha edhe këtë se,
shkrimtarët e të gjitha letërsive kudo në rruzullin tokësor, që krijojnë letërsi
të mirëfilltë dhe që kanë formim estetik e etik, padyshim që, do ta nënshkruanin pa
hezitim këtë mesazh Papnor me parafrazën, po ashtu, jashtëzakonisht domethënëse e
kuptimplote "Jo më skllevër, por vëllezër", ani se mesazhi nuk u drejtohet krijuesve
ekskluzivisht sepse dihet se ata dhe artistet, vetvetiu personifikojnë paqen, lirinë
dhe drejtësinë njerëzore e shoqërore. Lidhur me porosinë e Papës, në diskutim
u inkuadruan edhe intelektualë të tjerë të cilët si pikëtakim kërkuan që të gjenden
forma të ndryshme për të bërë ky mesazh jehonë më të madhe në popullin tonë në Kosovë.
Të pranishmit, në fund i përshëndeti Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, duke
thënë se me praninë tuaj, porosia e Papës zë fill këtu dhe është duke u jetësuar në
realitet.