Kisha katolike kremton sot festën e Kushtimit të Krishtit Zot në Tempull nga Maria
e Jozefi. Në festën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull kremtojmë një mister të jetës
së Krishtit, që lidhet me urdhrin e ligjit të Mosiut që parashikonte që prindërit,
40 ditë pas lindjes të parëlindurit, të ngjiteshin në Tempull të Jerusalemit për të
ofruar djalin e tyre Zotit e për pastrimin ritual të nënës (krh Es 13,1-2.11-16; Lv
12,1-8 Pra, dyzet ditë mbasi u lind, Jezusi u paraqit para Hyjit në Tempullin e
Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria
bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzet
ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, më 2 Shkurt, Paraqitjen e Kushtimin e Zotit
në Tempull (Ipapandinë). Për festën e sotme, Meshari Romak pohon: “Kështu Jezusi,
në mënyrë të dukshme, iu nënshtrua Ligjit, por në të vërtetë, ai erdhi në takim me
popullin e vet besimtar. Të nxitur nga Shprtit Shenjt erdhën në tempull të lumët Simeoni
e Ana, të cilët, të shndritur prej të njëjtit Shpirt, e kanë njohur Zotin dhe e kanë
shpallur me gëzim. Kështu edhe ne, të bashkuar e të nxitur nga Shpirtit Shenjt, jemi
të ftuar të shkojmë drejt shtëpisë së Hyjit në takim me Krishtin. Do ta gjejmë dhe
do ta njohim në ndarjen e bukës duke pritur ardhjen e tij të lavidshme”. Kështu shkruan
Meshari Romak për festën e sotme. Pra Pritja e Krishtit nga plaku Simeon dhe profetesha
Ana (Luka 2:22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull.
I qe “zbuluar Simonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen
përpara se të shikonte Zotin Krisht” (Luka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit
Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku paraqiti Mesinë e porsalindur, e mori në krahët e
tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në shërbesën e Lutjeve të Mbrëmjes. “Tani,
o Zot, lëshoje shërbëtorin tënd të vdes në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi
e panë shpëtimin tënd, që Ti e përgatite në sy të të gjithë popujve. Dritën që bën
të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit”. (Luka
2:29-32). Në këtë kohë, Simeoni parashikoi gjithashtu, që Jezusi do të
jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që Ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e
shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të
birit të saj (Lluka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falënderuar
Hyjin “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem”
(Lluka 2:38). Në shërbesën e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, theksohet
fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Hyjit, me anë të të cilit u krijua bota, tani po
mbahet si fëmijë në duart e Simonit; i njëjti Bir i Hyjit, Dhënësi i Ligjit, tani
Ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje. Kremtimi i Paraqitjes
së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i
njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në
Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti dhe,
gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”,
meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit. Paraqitja e
Jezus Krishtit Zot në tempull, që mbyll kremtimet e Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës
Mari e të Jozefit dhe me profecinë e Simeonit, i hap rrugën Pashkëve. Festa e
dritës (shih Lk 2,30-32), siç quhet me fjalë tjera, e ka zanafillën në Lindje, ku
njihet me emrin ‘Ipapánte’, që domethënë ‘takim’. Në shekullin VI u shtri edhe në
Perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali, me
bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi
ta quante festën ‘Kandelora’ - tek shqiptarët, ‘Zoja e Qirave’. Në Martiriologun
Romak shkruhet: “Festa e paraqitjes së Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet
40 ditë pas lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si
për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar
e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia
e parë për kremtimin e festës së sotme vjen nga Jerusalemi i shekullit IV e, deri
në reformimin e Kalendarit, njihet si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet
në Ungjillin e Lukës. Tradita shqiptare na kujton se sot kremtohet Paraqitja e
Krishtit në tempull e pastrimi i Zojës prej ligimit të fëmijës. Sipas Ligjit të
Moisiut, çdo djalë i parë, 40 ditë pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej
Hyjit ndërsa, në të njëjtën kohë, e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi
i lindjes e fitonte rishtas të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet
fetare të tempullit. Që këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes,
duhet të paraqitej, porsa të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në
uratë. Për të shprehur nënshtrimin e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si
flije falënderimi, ose, në se ishin të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti,
që në çastet e para të jetës deshi t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej
të përgjakurit dhe shugurimi zyrtar ndaj Zotit. Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më
e pastër, pranoi të pastrohej, ashtu si të gjitha gratë. Ndërsa Krishti fëmijë kryen
këtë sjellje rituale, një plak i del para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën
në duar të veta, njeh në Të e dëshmon Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën
profetike: “Tani merre, o Zot, shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde,
sepse sytë e mi panë shpëtimin (Shëlbuesin) që vjen prej teje(Ungjilli”). Mesha
e ditës paraprihet nga bekimi i qirinjve, simbol i Krishtit të Gjallë, që është drita
e botës dhe nga procesioni, i cili simbolikisht e drejton besimtarin drejt tempullit
të qiellit, drejt lumturisë së pasosur. Gëzohu, o hirplote, Hylindëse Virgjëreshë, se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë, Krishti Perëndia ynë, që ndrit
në errësirë. Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë, që prite në krahët e tu Shpërblyesin
e shpirtrave tanë, i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve.
Me lindjen Tënde,
Ti Shenjtërove gjirin e Virgjëreshës dhe bekove duart e Simonit, O Krisht Hyji
ynë. Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë. Falu paqen të gjithë
të krishterëve e njerëzimit mbarë, o i vetmi Njeridashës e Jetëdhënës.