2015-02-02 17:26:24

Papa në Meshën për Ditën botërore të jetës rregulltare: duhet të jemi prijës, të prirë nga Krishti


Sonte, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa Françesku kremtoi Meshën, në festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull, në përkim me Ditën botërore të jetës së kushtuar rregulltare. Mesha filloi me ritin e bekimit të qirinjve, kryesuar nga Papa. Ati i Shenjtë, duke mbajtur në dorë një qiri, u drejtua me procesion, drejt Elterit të Dëshmimit, i ndjekur nga një turmë e madhe rregulltarësh e rregulltaresh, që morën pjesë në procesion me qirinj të ndezur në duar: është Festa e Zojës së Qirave, Festa e dritës! Nëna e çon Jezusin në gjirin e popullit të vet
Papa e nisi homelinë me ikonën e Nënës Mari, që ecën me Krishtin fëmijë në krah. E shpie në tempull, e çon në popull, i prin kah takimi me popullin e vet.
Krahët e Nënës, vijoi Papa, janë si shkallë nga e cila Biri i Hyjit zbret drejt nesh, shkallë e mirëdashjes së Hyjit. Mund të kundrojmë, kështu, skenën ungjillore të Marisë, që hyn në tempull. Zoja ecën, por është foshnja, që ecën para saj. Ajo e mbart, por është Ai, që e mbart nënën, në këtë ecje të Hyjit, i cili vjen ndër ne, që ne të mund të shkojmë tek Ai.
Jezusi na tregon udhën e re
Jezusi bëri të njëjtën udhë, që bëjmë ne, vijoi Papa, e na tregoi një udhë të re, “udhën e re, të gjallë” (cfr Heb 10,20), që është Ai vetë. Ai e hapi këtë rrugë edhe për ne, të shuguruarit. Ungjilli e thekson pesë herë nënshtrimin e Marisë e të Jozefit ndaj “Ligjit të Hyjit”. Kështu, kush ecën pas Jezusit, vihet në udhën e bindjes, të dëgjesës, duke i përngjarë mirëdashjes së Hyjit, duke u ulur e duke e bërë të vetin vullnetin e Atit, edhe deri në asgjësimin e në poshtërimin e vetvetes. Për rregulltarin, të përparosh, do të thotë të përulesh në shërbim. Të përulesh, duke u bërë shërbëtor, për të shërbyer.
Rregulli i pazëvendësueshëm për të gjithë, është përherë Ungjilli
Kjo është rruga, përmes së cilës merr formë rregulli, me vulën e karizmës së themeluesit. Rregulli i pazëvendësueshëm për të gjithë, është përherë Ungjilli, kjo përulje e Krishtit, por Shpirti Shenjt, në frymën e Tij të pafundme krijuese, e shpreh edhe në disa rregulla të jetës së kushtuar, pa harruar se të gjitha lindin nga ndjekja e Krishtit, nga udha e përuljes dhe e shërbimit.
Përmes këtij “ligji”, vijoi të shpjegonte Papa, rregulltarët mund të fitojnë urtinë, që nuk është aftësi abstrakte, por vepër e dhuratë e Shpirtit Shenjt, shenjë e dukshme e gëzimit të Tij. Po, gëzimi i rregulltarit, kujtoi më pas Françesku, është pasojë e kësaj udhe të përuljes me Jezusin… E, kur jemi të trishtuar, na bën mirë të mendojmë si e jetojmë këtë përmasë kenotike, përmasë e zbrazjes së vetvetes.
Ana e Simeoni, njerëz që i binden Shpirtit Shenjt
Duke vijuar pikturimin e skenës së Paraqitjes së Zotit në tempull, Papa nuk mund të mos kujtonte dy nga figurat kryesore të kësaj skene: Simeonin e Anën: njerëz, që i binden plotësisht Shpirtit Shenjt. Zoti u dha atyre urtinë përmes një udhe të gjatë nënshtrimi ndaj ligjit të Tij, nënshtrim që, nga njëra anë, përul e asgjëson, por nga ana tjetër, ruan e garanton shpresën, duke i bërë krijues, sepse përplot me Shpirtin Shenjt. Krijojnë, prandaj, edhe një lloj liturgjie rreth Foshnjës, që hyn në tempull. Kështu Zoti e shndërron bindjen në urti, me veprimin e Shpirtit të Tij të Shenjtë
Udha e pjekurisë së urtisë
Përmes udhës ngulmuese të bindjes, fitohet pjekuria e urtisë vetjake e komunitare, e kështu krijojet mundësia për t’ua përshtatur rregullat kohëve: përtëritja, në të vërtetë, është vepër e urtisë, kalitur në farkën e nënshtrimit e të bindjes.
Gjallërimi e përtëritja e jetës rregulltare realizohen përmes dashurisë së madhe për Rregullin, e edhe përmes aftësisë për të kundruar, për t’i dëgjuar të moshuarit e kongregatës. Kështu, ‘depozita”, tradita, karizma e çdo familjeje rregulltare, ruhet nga bindja e nga urtia, së bashku. E, përmes kësaj udhe, ruhemi nga rreziku, që mund të na nxisë ta jetojmë shugurimin tonë pa vëmendjen e duhur, pa shpirt, si të ishte ndonjë gnosi, që do të katandisej në karikaturë të një jete rregulltare, në të cilën ndjekja e Krishtit jetohet pa flijime; lutja, pa takim me Zotin; jeta vëllazërore, pa bashkim; bindja pa besim, dashuria e krishterë, pa transhendencë.
Prijës të prirë
Edhe ne, sot, ashtu si Maria e Simeoni, dëshirojmë ta mbajmë Krishtin në krahë, që të takohet me popullin e Tij, e sigurisht do ta mbajmë, nëse hyjmë në misterin, për ku na prin vetë Jezusi, që takohet me popullin e Tij. Të udhëhiqemi nga Jezusi e ta lëmë të na udhëheqë. Kështu duhet të jemi: “prijës, të prirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.