2015-02-02 12:39:34

Nunci në Bosnjë e Hercegovinë imzot Pezzuto: Papa në Sarajevë, një vizitë e shumëpritur


Imzot Pezzuto, pritje e madhe për udhëtimin me domethënie shumë të lartë. E për domethënien e vizitës së Papës në Sarajevë, më 6 qershorin e ardhshëm, folëm pikërisht me Nuncin Apostolik në Bosnjë e Hercegovinë. Në telefonin tonë, imzot Luigi Pezzuto:
Përgjigje: - Natyrisht (njoftimi për vizitën) u prit shumë mirë. Filluan menjëherë reagimet e para… Me që kjo vizitë pritej prej kohe, jemi të sigurt se do t’u bëjë shumë mirë të gjithëve, jo vetëm katolikëve. E ju e dini se Sarajeva është pakëz udhëkryq jo vetëm në planin kulturor, por edhe në atë fetar: konfesione të ndryshme të krishtera, fe të ndryshme. Kreu më i lartë mysliman i vendit më kujtonte: “Thuaji Papës të vijë: do t’i bëjë mirë të gjithë banorëve të Bosnjë-Hercegovinës, ndonëse do të vizitojë vetëm Sarajevën, për arsye kohe”. Në të gjitha nivelet, kjo vizitë është shumë e pritur… Mund ta them këtë që tani.

Pyetje: - Ju kujtuat aspektin e Sarajevës si udhëkryq kulturash e fesh: domethënë se vizita ka një kuptim të posaçëm në këtë çast historik?

Përgjigje: - E tha edhe Papa dje: ka rëndësi për paqen. Procesi i paqes, e qartë, si në çdo vend, është në zhvillim e sipër, por kurrë i plotë. E pastaj mbetet edhe çështja e dialogut fetar, ndërfetar e edhe e dialogut ekumenik. Prej këndej, është e qartë se ky shtegtim në Sarajevë ka një kuptim shumë, shumë të lartë: do të thosha të lartë në shkallë sipërore absolute.

Pyetje: - Papa, edhe një herë, po tregon vëmendje dhe dëshirë për t’u takuar me Kishën e me kishat e mbarë botës….

Përgjigje: - Natyrisht. Them se po. E vëmendja e Papës, siç e thotë edhe ai vetë gjithnjë, përqendrohet mbi perifertitë.

Pyetje: - Periferi, edhe kjo, e me karakteristika të veçanta…

Përgjigje:- Është e qartë; këtu janë, për shembull, viktimat e luftës: nuk duhet harruar se lufta përfundoi pothuajse 20 vjet më parë. Prej këndej, ka viktima të të gjitha niveleve: të nivelit fizik, të nivelt psikik, të nivelit të varfërisë… Vizita është pjesë përbërëse e stilit të Papës Françesku, që shkon atje, ku ka më shumë nevoja…

Pyetje: - Papa kërkoi lutje. Cili është urimi juaj për këtë vizitë?

Përgjigje: - Urimi është po ai, që bëri Papa: duhet të lutemi shumë, që vizita të sjellë me të vërtetë fryte si për kishën vendase, kishën katolike, ashtu edhe për të gjitha shtresat e kësaj shoqërie, domethënë në nivel kulturor, në nivel fetar, në mënyrë që të mund të shkohet drejt atmosferës së paqes, të bashkëjetesës. Ky proces ka nisur prej kohe, por duhet të fitojë pjekurinë e, sidomos, duhet çuar deri në fund.







All the contents on this site are copyrighted ©.