2015-02-02 15:15:01

Françesku ipeshkvijve lituanë: mbrojeni familjen nga ideologjitë që e destabilizojnë


Impenjohuni për mbrojtjen e familjes, duke iu kundërvënë ndikimit të ideologjive, që duan ta destabilizojnë. Është porosia e Papës në fjalimin dorëzuar ipeshkvijve të Lituanisë, pritur sot për vizitë “ad Limina”. Papa kujtoi heroizmin e prelatëve lituanë gjatë viteve të errta të regjimit komunist dhe tërhoqi vëmendjen përballë rreziqeve të reja: shekullarizmit e relativizmit. Françesku e nxiti episkopatin e vendit baltik të formojë laikë të bindur, që i japin një ndihmesë me vlerë shoqërisë civile.
Nga persekutimi komunist, tek rreziqet e shekullarizmit
Ju falënderoj për heroizmin, me të cilin përballuat periudhën e trishtuar të persekutimit, u tha Papa ipeshkvijve, që luajtën një rol të dorës së parë për mbrojtjen e lirisë në vitet e regjimit komunist. Më pas vërejti se Kisha lituane, që për një kohë të gjatë ishte e shtypur nga regjime armike të lirisë njerëzore, tani duhet të përballojë dy rreziqe të tjera: shekullarizmin e relativizmin. Rryma, nënvizoi, që duhen përballuar në dy mënyra: me kumtimin e palodhshëm të Ungjillit e të vlerave të krishtera e me dialogun konstruktiv me të gjithë, edhe me ata, që nuk i përkasin Kishës ose janë larg përvojës fetare. Prej këndej, i nxiti bashkësitë e krishtera të jenë gjithnjë vende mikpritjeje, ballafaqimi të hapur e konstruktiv.
Idelogji që duan ta destabilizojnë familjen
Papa nuk e harroi temën e madhe të familjes dhe të sfidave, që duhet të përballojë në kohën tonë. I porositi, prandaj, ipeshkvijtë t’i kushtojnë vëmendje punës baritore familjare, që bashkëshortët ta ndjejnë fort afërsinë e bashkësisë së krishterë. E vërejti se edhe në Lituani, tani në gjirin e Bashkimit Evropian, ndjehet fort ndikimi i ideologjive, që dëshirojnë ta destabilizojnë familjen, fryt, ky, i keqkuptimit të lirisë personale. Tradita shekullore lituane, shtoi, do t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni këtyre sfidave, sipas arsyes e sipas fesë.
Formimi i laikëve të bindur
Papa i porositi posaçërisht ipeshkvijtë lituanë për formimin e laikëve të bindur, që të dinë të punojnë me përgjegjësi në gjirin e bashkësisë kishtare e të japin ndihmesën e tyre kristiane me vlerë në shoqërinë civile. Laikët, pohoi, duhen inkurajuar të jenë të pranishëm, me forcën e një feje të patundur, në të gjitha fushat e jetës civile, kulturore, politike e shoqërore.
Në përfundim, një mendim për të varfrit, nga që, me gjithë zhvillimin ekonomik, në Lituani ka shumë nevojtarë, të papunë, të sëmurë, të braktisur. Të jeni gjithnjë pranë tyre, ishte porosia që u dha Papa ipeshkvijve, e posaçërisht, pranë të rinjve. Mos i harroni sidomos të rinjtë, që mendojnë të largohen nga vendi e të kërkojnë udhë të reja jashtë atdheut.








All the contents on this site are copyrighted ©.