Thirrja e Françeskut: bisedime për t’i dhënë fund tragjedisë së pafundme në Irak e
Siri
Lufta në Irak e në Siri është tragjedi pa anë e pa fund, që ka nevojë për zgjidhje
urgjente në tryezën e bisedimeve: këtë theksoi Papa, duke u takuar sot, në Vatikan,
me anëtarët e Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës
katolike e Kishave ortodokse lindore. Rrugëzgjidhje për konfliktin kapitës Takim
vëllazëror, mbajtur në sfondin e lajmeve dramatike, që vijojnë të vijnë nga Rajoni.
Në këtë çast, në mënyrë të veçantë, pohoi Papa, ndajmë bashkë lemerinë e dhimbjen
për ngjarjet, që po ndodhin në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Irak e në Siri. I kujtoj
të gjithë banorët e Rajonit, duke përfshirë edhe vëllezërit e krishterë e shumë pakica
të tjera, që pësojnë pasojat e një konflikti raskapitës. Së bashku me ju, lutem çdo
ditë që të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja në tryezën e bisedimeve, duke iu lutur
Hyjit të mirë e të mëshirshëm për të gjithë ata, që po vuajnë nga kjo tragjedi e pashembullt. Të
krishterët në shërbim të paqes e të drejtësisë Gjithë të krishterët, vijoi
Papa, janë të thirrur të punojnë së bashku me mirëkuptim e besim të anasjelltë, për
t’i shërbyer kauzës së paqes e të drejtësisë. Uroj që ndërmjetësimi dhe shembulli
i shumë martirëve e shenjtorëve, që dhanë dëshmi guximtare për Krishtin, në të gjitha
Kishat tona, t’ju ndihmojë e t’ju japë forcë ju e bashkësive tuaja të krishtera. Puna
e Komisionit për dialogun teologjik Papa Françesku shprehu mirënjohjen e tij
për punën e Komisionit, nisur në janar të vitit 2013. Kujtoi se në dhjetë vjetët e
fundit, duke ndjekur perspektivën historike, ky komision shqyrtoi rrugët përmes të
cilave Kishat shprehën bashkimin e tyre në shekujt e parë, në shërbim të kërkimit
të bashkimit në ditët tona. Gjatë takimit të kësaj jave, u realizua edhe një thellim
lidhur me natyrën e sakramenteve, posaçërisht atij të Pagëzimit. Papa uroi edhe që
puna e kryer të sjellë fryte të begata për kërkimin e përbashkët teologjik e të ndihmojë
për ta jetuar gjithnjë më thellë vëllazërimin e miqësinë tonë. Së fundi, Françesku
vlerësoi lart angazhimin frymëzues për dialogun të Patrikut të Kishës Siro-Ortodokse
të Antiokisë dhe të mbarë Lindjes, Ignazio Zakka Iwas, që vdiq vitin e kaluar: “Bashkohem
në lutje me ju të gjithë, me klerin e besimtarët, për këtë shërbëtor të zellshëm të
Hyjit, duke kërkuar për shpirtin e tij gëzimin e amshuar”, tha Papa. Cilat janë
Kishat Ortodokse Lindore Kishat Ortodokse Lindore janë ato, të cilat i pranuan
tre Koncilet ekumenike (të Nikesë, të Kostandinopojës e të Efezit). Gjithsejt janë
gjashtë: Patriarkana kopto-ortodokse e Egjiptit; Patriarkana siro-ortodokse e Antiokisë
dhe e mbarë Lindjes, Damasku; Kisha Apostolike Armene: Selia Etchmiadzine, Armeni
– Katolikozati i Antelias, Liban; Kisha Ortodokse e Etiopisë: Kisha Ortodokse e Eritresë;
Kisha Ortodokse sire e Malankar.