2015-01-29 15:22:02

Më 8 shkurt, Dita e parë e lutjes kundër trafikut të njerëzve


Që në ditët e para të zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, Papa Françesku e përcaktoi luftën kundër skllavërive moderne si përparësi të papnisë së tij. Kështu, më 8 shkurt, të gjitha institutet rregulltare, mashkullore e femërore, do të kremtojnë “Ditën e parë Ndërkombëtare të Lutjes e Reflektimit kundër Trafikut të Njerëzve”. Tema e kësaj dite është: “Ndiz një dritë kundër trafikut”. Në notën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë lajmërohet se dita do të paraqitet në një konferencë për gazetarët më 3 shkurt.
Ndërkaq, në një komunikatë të rregulltarëve, nënvizohet se trafiku i njerëzve është skllavëria më e keqe e shekullit XXI, e përhapur në mbarë botën. Dita e lutjes është pjesë e Vitit kushtuar Jetës së Shuguruar e do t’i nxisë rregulltarët kudo ndodhen të interpretojnë më mirë “shenjat e kohëve” e ta rimendojnë profetikisht të tashmen dhe të ardhmen e jetës së tyre.

21 milion viktima të trafikut
“Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës e sipas Zyrës së OKB-së kundër drogës dhe krimit – kujton nota – rreth 21 milion vetë, shpesh të varfër e të brishtë, janë viktima të trafikut me qëllim shfrytëzimin seksual ose punën e detyruar, transplantimin e organeve, hedhjen në rrugë për të lypur, shërbimin në shtëpi, martesën me detyrim, adoptimet e paligjshme etj.. Çdo vit, rreth 2,5 milion njerëz mbeten viktimë e trafikut e kthehen në skllevër. 60% e tyre janë gra e të mitur. Shpesh pësojnë abuzime e dhunë të paparë. Nga ana tjetër – vazhdon komunikata e rregulltarëve – për trafikantët dhe shfrytëzuesit, trafiku i njerëzve është një nga veprimtaritë e paligjshme më të leverdisshme në botë: fitohen rreth 32 miliard dollarë në vit dhe është biznesi i tretë më fitimprurës, pas trafikut të drogës dhe të armëve”.

Angazhimi i Kishës Katolike
Që prej vitesh “Kisha Katolike e në veçanti, kongregatat rregulltare femërore, veprojnë në shumë anë të botës për ta sensibilizuar për këtë fenomen të turpshëm, për të parandaluar trafikun, denoncuar trafikantët e sidomos për të ndihmuar e mbrojtur viktimat. Me ardhjen e Papës Françesku, i është treguar më tepër kujdes temës së trafikut, për të cilën janë ndërmarrë një sërë veprimtarish e nismash konkrete edhe nga ana e Dikastereve të Vatikanit”.

Objektivi i Ditës: vetëdija, garantimi i lirive e denoncimi i trafikantëve
Objektivi i kësaj Dite, e para në llojin e vet, “është së pari, të krijojë më tepër vetëdije për fenomenin e të reflektojë mbi gjendjen globale të dhunës e padrejtësisë, në të cilën ndodhen shumë njerëz, që s’kanë zë, nuk llogariten, nuk janë askush: janë thjesht skllevër. Njëkohësisht – përfundon nota e rregulltarëve – duhet të përpiqemi t’i japim përgjigje kësaj forme moderne të trafikut të njerëzve, përmes veprimeve konkrete. Nga njëra anë, është themelore të theksojmë nevojën për të garantuar të drejtat, liritë dhe dinjitetin e njerëzve, viktima të trafikut e të skllavërimit e, nga ana tjetër, të denoncojmë si organizatat kriminale, ashtu edhe ata që e përdorin dhe abuzojnë me varfërinë e brishtësinë e këtyre njerëzve për t’i kthyer në objekte qejfi ose në burim fitimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.