2015-01-29 11:26:43

Dy fjalë për jetëshkrimin e kardinajve të rinj: Mons. Francis Xavier Kriengsak Kovithavanij


Imzot Francis Xavier Kriengsak Kovithavanij (Frensis Savier Kringsak Kovitahavani), kryeipeshkëv i Bangkokut (Tailandë), lindi më 27 qershor 1949 në Ban Rak, kryedioqezë e Bangkokut.
Studioi në seminarin e Shën Jozefit, në Sampran. Që këtu u nis në Romë, për të kryer studimet filozofike e teologjike pranë Universitetit Urbanian (1970-1976), me banim pranë Kolegjit Urban.
U shugurua meshtar më 11 korrik 1976 dhe u inkardinua menjëherë në Kryedioqezën e Bangkokut.
Në të njëjtin vit ishte Mëkëmbës famullitar në Kishën e Lindjes së Zojës, në Ban Pan.
Në vitet 1977-1979 vijoi shërbesën si mëkëmbës famullitar i Kishës së Dëftimit të Zotit, në Koh Vai; më pas, qe zëvendës-rektor i Seminarit të Vogël të Shën Jozefit, në Sampran (1979-1981). Përsëri në Romë, nga 1982 në 1983, kreu studimet e specializimit në përshpirtëri, pranë Universitetit Gregorian. I rikthyer në atdhe, qe për gjashtë vjet Rektor i Seminarit të Familjes Shenjte në Nakhon Ratchasima. Më pas, nga viti 1989, në vitin 1993, shërbeu si zëvendës-sekretar i Konferencës Ipeshkvnore; ndërsa në vitet 1992-2000, ishte Rektor i Seminarit të Madh Kombëtar Lux Mundia Sampran.
Më 2001 u caktua Pedagog i jashtëzakonshëm pranë Seminarit të Madh të Sampranit dhe famullitar i famullisë së Zojës Lurdë (2000-2003); më pas (2003-2007), famullitar i Katedrales dhe Sekretar i Këshillit Presbiterial të Kryediqezës së Bangkokut.
Më 7 mars 2007 Papa Benedikti XVI e emëroi ipeshkëv i Nakhon Sawan. Shugurimin ipeshkvnor e mori më 2 qershor të të njëjtit vit.
Nga 14 maji 2009 është kryeipeshkëv metropolit i Bangkokut (Tailandë) e, nga viti 2009, zëvendës-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Tailandës.
I pyetur për emocionet e çastit të madh, u përgjigj:
“Puna është se nuk e dija më përpara… Dikush më telefonoi për të më njoftuar se Papa më kishte emëruar; pastaj më thirri edhe një ipeshkëv, miku im e më tha: ‘Ndoqa Engjëllin e Tënzot në Tv…’. Atëherë nisa ta besoja se kjo, që më tha, ishte e vërtetë. Në fillim mbeta i mrekulluar. Sepse nuk e mendoja… Por, nëse Papa dëshiron të më ketë pranë, jam gati t’i përgjigjem vullnetit të tij. Është kështu, apo jo? Gjë e thjeshtë. E menjëherë pas shkova në kapelë për t’u lutur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.