2015-01-28 11:58:34

Kremtimet kryesuar nga Papa ndërmjet shkurtit e prillit


Koncistori dhe ritet e fillimit të Kreshmëve, me ushtrimet shpirtërore në Ariccia, në shkurt. Vizita në Napoli e Pompei, në mars. E së fundi, Triditshi i Pashkëve, ngarkuar me veprimtari, pasuar nga Solemniteti i Ngjalljes së Krishtit dhe mesha në ritin armen, më 10 prill: janë këto, disa nga takimet më të rëndësishme të Papës Françesku gjatë tre muajve të ardhshëm, shpallur zyrtarisht nga mjeshtri i Kremtimeve papnore, imzot Guido Piermarini.
Koncistori e famullia
Muaji shkurt do të hapet më 2, Festën e Paraqitjes së Zotit, në përkim me Ditën e 19-të Botërore të Jetës Rregulltare. Mesha do të kremtohet në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 17.30, me pjesëmarrjen e Instituteve të Jetës Rregulltare e të Shoqërive të Jetës Apostolike.
Vjen, më pas, e Diela V e kohës së zakonshme gjatë vitit, 8 shkurt: Papa do ta kremtojë në famullinë romake të “Shën Mëhillit Kryeengjëll në Pietralata”, duke nisur nga ora 16.00. Gjashtë ditë më pas, të shtunën, më 14 shkurt, në Bazilikën e Vatikanit, duke nisur nga ora 11.00, Papa do të hapë Koncistorin e zakonshëm publik për krijimin e 20 kardinajve të rinj dhe për disa Çështje shenjtërimi. Me kardinajtë e rinj, më 15 shkurt, e Diela VI e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, do të kryesojë Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 10.00.
Fillimi i Kreshmëve dhe ushtrimet shpirtërore
Më 18 shkurt, e Mërkura e Përhime, Kisha do të jetojë fillimin e Kreshmëve. Sipas traditës, kremtimi papnor do të mbahet në Bazilikën e Shën Anselmit, me procesionin pendestar, duke nisur nga ora 16.30, për të vijuar në Bazilikën e Shën Sabinës, në orën 17.00, me Meshën Shenjte, bekimin e përhimjen.
22 shkurti, e Diela I e Kreshmëve, është dita e fillimit të ushtrimeve shpirtërore për Kurien Romake. Ushtrimet do të mbahen në Ariccia e do të përfundojnë më 27 shkurt.
Vizita në Napoli e Pompei
Më 8 mars, e Diela III e Kreshmëve, Papa do të jetë për vizitë baritore në famullinë romake të “Të Shëlbuemit”, në një nga lagjet periferike të Romës, Tor Bella Monaca, duke nisur nga ora 16.00.
Pas liturgjisë pendestare të datës 13, ora 17.00, në Shën Pjetër, takimi tjetër i Papës do të jetë në Napoli e Pompei, të shtunën, më 21 mars, për një vizitë baritore.
Më 29, e Diela e Larit dhe e Mundimeve të Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 09.30, do të bekohen palmat, do të kremtohet Procesioni dhe Mesha Shenjte, kryesuar nga Papa.
Triditshi i Pashkëve
Ditët e para të muajit prill, kremtimet papnore do të hyjnë menjëherë në zemër të Pashkëve. Kremtimi i parë, ai i 2 prillit, i së Enjtes së Madhe. Papa do ta kremtojë Meshën e Bagmit në orën 09.30, në Bazilikën e Vatikanit.
Më 3 prill, e Premtja e Madhe, në Bazilikën e Vatikanit do të kremtohen Mundimet e Krishtit, kryesuar nga Françesku, duke nisur nga ora 17.00. Pastaj Papa do të shkojë në Koloseum ku, sipas traditës, do të kremtohet riti i Udhës së Kryqit, duke nisur nga ora 21.15. Kremtimi do të transmetohet me mondovizion.
Më 4 prill, e Shtuna e Madhe, në Bazilikën e Vatikanit do të kremtohet Nata e Pashkëve, nga ora 20.30. Ndërsa më 5 prill, Ditën e Pashkëve, Papa do ta kremtojë Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit, duke nisur nga ora 10.15.
Po më 5, në mesditë, nga Lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë bekimin “Urbi et Orbi”- “Romës e Botës”.
Më 12 prill, e Diela II e Pashkëve, që njihet si e Mëshirës Hyjnore, Papa do të kremtojë, në elterin e Bazilikës së Shën Pjetrit, Meshën Shenjte për besimtarët e ritit armen.







All the contents on this site are copyrighted ©.