2015-01-27 12:58:20

Françesku: t’i lypim Zotit “dëshirën” për të bërë vullnetin e Tij


Duhet t’i lutemi Zotit e t’i lypim çdo ditë hirin ta kuptojmë vullnetin e Tij; hirin ta ndjekim këtë vullnet e ta përmbushim deri në fund të fundit. Ky është mësimi që nxori Papa Françesku nga liturgjia e sotme, të cilën e shpjegoi në homelinë e Meshës së mëngjesit, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Ishte një herë ligji, plot me rregulla e ndalesa. Me gjak demash e sqepsh. “flijime të lashta”, që nuk kishin forcë as t’i ndjenin mëkatet e as të vendosnin drejtësinë. Pastaj në botë erdhi Krishti e, me lartimin mbi Kryq, akt që na shfajsoi një herë e përgjithmonë, Jezusi dëshmoi cili ishte flijimi më i pëlqyer për Hyjin: jo kurbani i një kafshe, por flijimi i vullnetit vetjak, për të bërë vullnetin e Atit.
Vullneti i Hyjit, udhë shenjtërie
Leximet dhe Psalmi i ditës e nxitën Papën të reflektonte për njërin nga thelbet e fesë: nënshtrimin ndaj vullnetit të Hyjit. Kjo, pohoi Françesku, është udha e shenjtërisë së të krishterit, domethënë, që të bëhet plani i Zotit, të bëhet shëlbimi i Zotit.
E kundërta nisi në Parajsë, me mosbindjen e Adamit. E kjo mosbindje solli mjerimin për mbarë njerëzimin. E edhe mëkatet janë akte, që flasin për mosbindje ndaj Hyjit, për mosnënshtrim ndaj vullnetit të Tij. Ndërsa Zoti na mëson se kjo është udha e tjetër nuk ka. E nis me Jezusin, po, në Qiell, në vullnetin për t’iu bindur plotësisht Atit. Ndërsa mbi tokë nis me Zojën e Bekuar: çfarë i tha Ajo engjëllit? “U bëftë si është fjala jote, domethënë, u bëftë vullneti i Zotit”. E me këtë “po”, thënë Hyjit, Zoti nisi udhën ndër ne.
Shumë mundësi mbi tabaka
“Nuk është e lehtë”. Këtë shprehje Papa e përsërit shumë herë, kur kujton se duhet bërë vullneti i Zotit. Nuk e pati të lehtë Jezusi që, pikërisht për këtë, u tundua në shkretëtirë e edhe në Kopshtin e Ullinjve e, me zemër të plasur, pranoi mundimet, që e prisnin. Nuk qe e lehtë për disa dishepuj, që e braktisën, sepse nuk e kuptonin ç’do të thoshte të bësh vullnetin e Atit. Nuk është e lehtë as për ne, sepse, vërejti Papa, çdo ditë na paraqiten mbi tabaka një mori mundësish. E atëherë lind pyetja: “Ç’duhet bërë për të përmbushur vullnetin e Zotit?”. Duhet kërkuar hiri i dëshirës për ta bërë:
“Unë lutem që Zoti të më japë dëshirë të bëj vullnetin e Tij, apo kërkoj kompromise, sepse kam frikë nga vullneti i Zotit? Një gjë tjetër, të lutem për ta njohur vullnetin e Zotit për vete, për jetën time, për vendimet, që duhet të marr tani.. për një mori sendesh, me të cilat jeta është plot e përplot. Për mënyrën, si duhet t’i zgjidh problemet…Të lutem për ta bërë me dëshirë vullnetin e Zotit e për ta njohur këtë vullnet. E kur ta kem njohur vullnetin e Zotit, të lutem për herë të tretë: për ta bërë! Për ta përmbushur këtë vullnet, që nuk është imi, është vullneti i Tij. E kjo nuk është e lehtë”.
“Ta duam” vullnetin e Zotit
Pra, përmblodhi Françesku, të lutemi që të kemi dëshirën për ta ndjekur vullnetin e Zotit, të lutemi për ta njohur këtë vullnet e të lutemi, si ta kemi njohur, për të shkuar përpara me vullnetin e Zotit.
Zoti na dhëntë hirin, ne të gjithëve, që një ditë të mund të thotë për ne, atë që pati thënë për atë grupin, atë turmën, që e ndiqte, për ata, që qenë ulur rreth tij, siç e dëgjuam nga Ungjilli: “Ja nëna ime e vëllezërit e mi. Kush bën vullnetin e Zotit, ai është për mua vëlla, motër e nënë”. Të jetuarit sipas vullnetit të Hyjit, na bën pjesëtarë të familjes së Jezusit, na bën nënë, baba, motër, vëlla”.










All the contents on this site are copyrighted ©.