2015-01-26 14:37:15

Përkthimi i parë i katekizmit të Kishës katolike në gjuhën farsi


Më 12 janar, në Romë, u paraqit përkthimi i parë i Katekizmit të Kishës katolike në gjuhën farsi, nën kujdesin e Universitetit të Feve e Konfesioneve të qytetit iranian Qom.
Kujtojmë se farsi, apo persisht (فارسی fārsī [fɒːɾˈsiː]) është gjuhë iraniane e folur në Iran, Taxhikistan, ku zyrtarisht quhet (forsi-i) tojiki, në Afganistan, ku quhet (fārsī-ye) dari, dhe në Uzbekistan.
Katekizmi i Kishës katolike është një nga frytet më të rëndësishme të Koncilit II të Vatikanit (Porta fidei, 11). Këto janë fjalët e Papës Benedikti XVI. E pas këtyre fjalëve, atë Dariusz Kowalczyk, dekan i Teologjisë pranë Universitetit Papnor Gregorian, i ftuar nga Radio Vatikani, pati realizuar një cikël kushtuar Besojmës, sipas Katekizmit të Kishës katolike, të cilin, të përkthyer në shqip, e transmetuam gjatë vitit 2013-14.
Tani Katekizmi po përkthehet edhe në gjuhë, që nuk lidhen me botën e krishterë, siç është gjuha farsi, të cilën e flasin më se 75 milionë vetë.
Kujtojmë edhe se Papa Benedikti XVI, me rastin e Vitit të Fesë, që u kremtua duke nisur nga 11 tetori 2012, u pati drejtuar gjithë besimtarëve një thirrje të fuqishme për ta lexuar rregullisht Katekizmin. Në letrën e bukur apostolike “Porta fidei” me të cilën shpalli Vitin e Fesë, Benedikti XVI shprehu bindjen se Katekizmi është mjet e mbështetje e fesë. “Në Katekizëm, shkruan Papa, shikojmë pasurinë e mësimit që Kisha e pranoi, e ruajti dhe e përcolli gjatë dymijë vjetëve të historisë së saj. Nga Shkrimi Shenjt, tek Etërit e Kishës; nga Mësuesët e Teologjisë, tek Shenjtorët, që përshkuan shekujt, Katekizmi ofron kujtesën e vazhdueshme të mënyrave, me të cilat Kisha meditoi për fenë e prodhoi progres në doktrinë për t’u dhënë siguri besimtarëve në jetën e tyre të fesë”.
Botimi i Katekizmit në gjuhën farsi, na kujton se është i botuar edhe në gjuhën shqipe e se porositë e Benediktit XVI tingëllojnë jashtëzakonisht aktuale edhe për jetën e fesë së besimtarëve e të jo besimtarëve shqiptarë.
Shkrimin Shenjt e Katekizmin, ngulmon vazhdimisht Papa Françesku, duhet t’i kemi gjithnjë pranë e t’i shfletojmë ditë për ditë, për t’i dhënë forcë e jetë fesë sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.