2015-01-26 13:28:54

Papa: feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt e transmetuar veçanërisht nga gratë


Janë posaçërisht gratë ato, që e transmetojnë fenë: këtë pohoi Papa gjatë Meshës, kryesuar në Kapelën e Shën Martës, ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të shenjtorëve Timoteu e Titi, duke komentuar, në mënyrë të veçantë, Letrën e 2-të të Shën Palit drejtuar dishepullit të tij, Timoteut. RealAudioMP3
Janë nënat e gjyshet ato, që e transmetojnë fenë
Pali i kujton Timoteut prej nga vjen feja e tij e kulluar: e mori nga Shpirti Shenjt, përmes nënës e gjyshes. Janë nënat e gjyshet, pohoi Papa, që e përcjellin fenë nga breznia në brezni. Feja është dhuratë. Nuk mund të studiohet. Studiohen gjërat e fesë, po, për ta kuptuar më mirë, por me studim nuk mund të arrish kurrë tek feja. Feja është dhuratë e Shpirtit Shenjt, është dhanti, që shkon përtej çdo përgatitjeje. E është dhuratë, që kalon përmes punës së bukur të nënave e gjysheve, punës së bukur të këtyre grave, në gjirin e familjes, ku mësuese feje mund të jetë edhe gruaja, që vjen të ndihmojë në punët shtëpiake, mund të jetë edhe njëra nga tetot a hallat.
Mendoj me vete; po pse feja transmetohet veçanërisht nga gratë? Thjesht sepse ajo, që na e solli Jezusin, ishte grua. Është udha e zgjedhur nga Jezusi. Ai deshi të ketë një nënë: edhe dhurata e fesë kalon nëpërmjet grave, si Jezusi nëpër Marinë.
Të ruhet dhurata e fesë, që të mos meket
E duhet të mendojmë sot, nënvizoi Papa, nëse gratë e kanë ende vetëdijen e transmetimit të fesë, të trashëgimisë, duke lënë mënjanë përgojimet pagane e thashethemet boshe të botës. Të gjithë ne, pohoi Papa, e kemi marrë dhuratën e fesë. Duhet ta ruajmë, që të paktën të mos meket, të vijojë të jetë e fortë, me pushtetin e Shpirtit Shenjt, që na e dhuroi. E feja ruhet duke e mbajtur gjithnjë të gjallë këtë dhuratë të Hyjit:
“Nëse ne nuk e kemi çdo ditë kujdesin e gjallërimit të fesë, feja ligështohet, zbehet, përfundon në kulturë. Po, po, jam i krishterë, po, kulturë e asgjë më. Ose bëhet gnozë, dije: ‘Po, unë i di mirë të gjitha gjërat e fesë, e njoh me themel katekizmin’. Po si e jeton fenë tënde? Kjo ka rëndësi; ta jetosh, ta gjallërosh çdo ditë këtë dhuratë, ta mbash gjallë”.
Druajtja e turpi nuk ndihmojnë për rritjen e fesë
Dy janë gjërat, që i kundërvihen fesë, na kujton Shën Pali: shpirti i druajtjes e turpi. Hyji nuk na dha shpirt të druajtur. Druajtja shkon kundër dhuratës së fesë, nuk të lë të rritesh, të shkosh përpara, të jesh i madh. E turpi është ky mëkat: “Po, kam fe, por e fsheh, që të mos duket shumë…”. E pak këndej e pak andej, kjo fe, siç thonë paraardhësit tanë, bie erë ujë trëndafilash, kështu. Sepse më vjen turp ta jetoj fuqimisht. Jo! Kjo nuk është fe: feja nuk është as druajte, as turp. Po ç’është atëhere? Është shpirt i forcës, i dashurisë e i urtisë! Kjo është feja!
Feja nuk tregtohet
Shpirt i urtisë, shpjegon Françesku, do të thotë të dish se ne nuk mund të bëjmë gjithçka dëshirojmë, do të thotë të kërkosh udhë, shtigje, mënyra për ta çuar përpara fenë, por gjithnjë me urti:
“T’i lypim Zotit hirin, përfundoi Papa, të kemi fe të kulluar, fe, e cila nuk nxiret në treg sipas nevojave, që na sjell fati. Fe, që ditë për ditë përpiqem ta gjallëroj ose, së paku, i kërkoj Shpirtit Shenjt të ma gjallërojë, e kështu të jap një fryt të madh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.