2015-01-26 14:37:31

Egjipt: koptët e vrarë e kishat e sulmuara gjatë çrregullimeve


Janë tre, të krishterët koptë, njëri nga të cilët fëmijë 10 vjeç, ndërmjet viktimave të ndeshjeve, që shpërthyen në Kairo e në qytetet egjiptiane me rastin e katërvjetorit të revoltës që, më 25 janar 2011, i dha fund regjimit të presidentit Hosni Mubarak. Burime vendase, të shfrytëzuara nga agjencia Fides, shtojnë se, gjatë çrregullimeve, u qëllua me armë zjarri kundër kishës së Shën Rafaelit Kryeengjëll, në zonën Maadi të Kairos. Ndërsa në zona të tjera të qytetit, si ajo Ben Suef, forcat e sigurisë mbyllën udhët rreth kishave, për të parandaluar sulme të mundshme nga ana e bandave islamiste.
Përgjegjësinë e kanë grupet lidhur me Vëllezërit Myslimanë
Fëmija, që mbeti i vrarë, i goditur nga një plumb qorr, quhej Mina Rafa. Bilanci zyrtar i përhapur nga mediat egjiptiane, flet për 18 të vdekur e më se pesë të plagosur. Shumica e ndeshjeve, konfirmon për agjencinë Fides, Anba Antonios Aziz Mina, ipeshkëv kopt katolik i Guizeh, ishin ndërmjet policisë e grupeve të lidhura me Vëllezërit Myslimanë, që synojnë të ndikojnë mbi opinionin publik, duke krijuar figurën e një Egjipti ende të pastabilizuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.