2015-01-26 13:29:52

Dy fjalë për jetëshkrimin e kardinajve të rinj: Imzot Edoardo Menichelli


Imzot Edoardo Menichelli, Kryeipeshkëv i Ancona-Osimo (Itali), lindi në Serripola të Sanseverino Marche (Macerata), më 14 tetor 1939. Shkollën e mesme e kreu pranë Seminarit të San Severino-Marche, të lartën, në Seminarin Papnor Rajonal Piu XI të Fanos, ku studioi filozofi e teologji. Vijoi studimet në Romë, pranë Universitetit Papnor Lateranens, ku u diplomua në teologji baritore.
U shugurua meshtar më 3 korrik 1965. Më 1986 dioqeza e tij e origjinës u bashkua me Kryedioqezën e Camerino-s, me titullin Camerino-San Severino Marche.
Pas shugurimit meshtarak, nga viti 1965, deri në vitin 1968, shërbeu si zëvendës-famullitar i Famullisë së Shën Jozefit në San Severino Marche e, njëkohësisht, u ngarkua edhe me detyrën e mësuesit të besimit në shkollat shtetërore të kësaj kryeqendre.
Nga viti 1968, deri më 1991, punoi pranë Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike.
Më pas, nga viti 1992, deri në vitin 1994 u thirr të bashkëpunonte pranë Kongregatës për Kishat Lindore si i ngarkuar i Sekretarisë së Shtetit. Kreu edhe detyrën e Sekretarit të posaçëm të Prefektit të asokohshëm, kardinalit Achile Silvestrini. Ndërkaq vijoi veprimtarinë e tij baritore, si bashkëpunëtor pranë famullisë romake të Zemrës së Krishtit e të Zojës dhe si kapelan në Klinikën Mafalda. Qe edhe bashkëpunëtor e Këshilltar familjar pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Poliklinikën Gemelli. Mori pjesë aktive në Sinodin e Dioqezës së Romës.
Më 10 qershor 1994 u emërua Kryeipeshkëv i Chieti-Vasto.
Më 8 janar 2004, Kryeipeshkëv Metropolit i Ancona-Osimo.
Në Konferencën ipeshkvnore italiane kreu detyrat e Zëvendës-Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Markixhane dhe të anëtarit të Komisionit Ipeshkvnor për edukimin katolik, shkollën dhe universitetin.
Është asistent kishtar kombëtar i AMCI (Shoqata e Mjekëve Katolikë Italianë) dhe anëtar, me emërim papnor, i Asamblesë së jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen (tetor 2014), ku ishte relator i rrethit të vogël italian “A”.









All the contents on this site are copyrighted ©.