2015-01-25 10:57:31

E Diela në Kishë, nëpër botë


Sot në Bazilikën e Shën Palit Apostull jashtë Mureve të Romës, kremtohen mbrëmësoret, në përfundim të Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që u ndoq nga të gjitha kishat katolike të botës. Kremtimi nisi rreth orës 17.30, në praninë e Papës Françesku.
Si temë e Javës, ishin fjalët e Zotit drejtuar Samaritanes, që mbushte ujë në pus: “E Jezusi i tha: ‘Më jep të pi”(Gjn 4,7). Samaritania bëhet kështu, ikonë e dashurisë, që shemb çdo mur ndërmjet njerëzve, konfesioneve, etnive e kulturave. E njëkohësisht edhe paradigmë e mëshirës. Zoti arrin ta shndërrojë në dishepulle e misionare, pavarësisht nga e kaluara e saj. Zoti mund të na shndërrojë të gjithëve, mjafton t’ia hapim zemrën, me dashuri. E, duke kërkuar të pijë ujë si njeri, i ofron njeriut ujin e gjallë, gurrën për jetën e amshuar.
Java e lutjes për bashkimin e plotë të të krishterëve ishte rast i veçantë për lutje, takim, dialog. Rast për të njohur pasuritë dhe vlerat e të tjerëve, atyre, që ndryshojnë nga ne, e për t’i kërkuar Zotit, me gjithë zemër, në lutje, dhuratën e bashkimit.

Sot, e diela e fundit e janarit, u kremtua Dita VII e ndërmjetësimit për Tokën Shenjte: lutje botërore, në të cilën morën pjesë 10.000 qytete të mbarë botës.
Tema e sivjetme ishte: “Duam paqe në Tokën Shenjte”.

Paris të Francës u organizua Marshimi vjetor për jetën. U nis nga Sheshi i Bastijës, për të përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit francez.
Marrshimi për jetën u përkrah edhe nga Papa Françesku, i cili, që të mërkurën, u çoi organizatorëve një mesazh, përmes nuncit apostolik të vendit, imzot Luigi Ventura.
“Duke iu referuar fjalës për anëtarët e Shoqatës së mjekëve katolikë italianë, pritur në audiencë më 17 nëntorin e kaluar – shkruhet në mesazh – Ati i Shenjtë kujton se ‘jeta njerëzore është gjithnjë e shenjtë, e vlefshme dhe e padhunueshme, e si e tillë duhet dashur, mbrojtur e kujdesur’. Përtej manifestimit të ligjshëm në favor të jetës, Ati i Shenjtë i inkurajoi pjesëmarrësit në Marrshim të veprojnë pa u lodhur për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë e të kulturës së jetës.

Në Katedralen e Monreale të Sicilisë, imzot Jean-Clément Jeanbart, kryeipeshkëv greko-melkit i Halebit (Siri), kryesoi Liturgjinë Hyjnore në ritin bizatin-sllav, me pjesëmarrjen e korit të shoqatës Rusia e krishterë të Romës dhe përfaqësuesve të tjerë ruso-katolikë të ritit bizantin.
Pasdite u mbajt një tryezë e rrumbullaktë ndërfetare, rreth së cilës u ulën për të shkëmbyer mendime, në një atmosferë kaq të tensionuar e dramatike, Kryeipeshkvi greko-melkit, imzot Jeanbart; Kryerabini i Qendrës Sefardite siciliane, profesor Stefano Di Mauro, Itzaak Ben Avraham dhe Imami i xhamisë së madhe të Romës, Sami Salem. Tema e reflektimit ishte “Liria fetare, udhë për paqen”. Edhe pse një temë e tillë ishte caktuar prej kohe, duket se iu përgjigj edhe më mirë problemeve e frikës së sotme, pas masakrës së Parisit.

Në SHBA, nga 25 deri më 31 janar 2015, organizohet Java kombëtare e shkollave katolike me temë: “Shkollat katolike: bashkësi feje, diturie e shërbimi”. Nisma organizohet nga Konferenca ipeshkvnore. “Shkollat katolike, shpjegon kryeipeshkvi i Omahës, imzot George Joseph Lucas, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për edukimin katolik, përbëjnë një aspekt jetik të misionit të Kishës për predikimin e Ungjillit e, prej këndej, edhe një aspekt të rëndësishëm të misionit tonë për të dhënë mësim”.

Edhe Irlanda e nisi sot Javën e vet kombëtare të shkollave katolike 2015, me temë “Shkollat katolike, të thirrura për të shërbyer”. Nisma promovohet gjithashtu nga Konferenca ipeshkvnore vendase.

U kremtua sot Dita e 62-të e të sëmurëve nga gërbula . E kujtuar çdo të diel të fundit të janarit, tërheq vëmendjen mbi një sëmundje, që nuk po zhduket akoma, pavarësisht nga progresi i arritur vitet e fundit. Gërbula është sëmundje që godet jo vetëm fizikisht, por edhe moralisht e psikologjikisht, duke i dëmtuar rëndë viktimat e familjarët e tyre. E kurueshme që nga viti 1980, falë polichemioterapisë, Sëmundja Hansen vijon të përhapet në vendet më të pazhvilluara, ku mungojnë ilaçet e përshtatshme.
Sipas statistikave, më se gjashtë milionë njerëz vuajnë nga pasojat e sëmundjes. Vetëm në vitet 2009 u regjistruan 224 mijë raste në dy vendet më të prekura të botës: India e Brazili.
Kremtimi i kësaj dite është rast edhe për të kujtuar miratimin, në nëntor 2010, nga ana e OKB-së, të parimeve dhe vijave udhëheqëse për zhdukjen e diskriminimit kundër të sëmurëve nga gërbula dhe familjarëve të tyre, dokument që angazhon institucionet dhe bashkësitë civile për të mbrojtur të drejtat themelore të hansenianëve.
Një nga Apostujt e të gërbulurve është Raoul Follereau (Nevers, 19 gusht 1903-Paris, 6 dhjetor 1977) gazetar, filantrop e poet francez, frymëzues i Shoqatës italiane “Miqtë e Raoul Follereau e cila, që nga vitit 1961, i ndihmon të sëmurët nga gërbula, duke i mbrojtur me forcë të drejtat e tyre.

Në festën e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Urdhërit të Vizitacionit, Pajtor i Shtypit katolik, u botua mesazhi i Atit të Shenjtë për ditën e 49-të botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë: “Të komunikohet familja: mjedis i privilegjuar i takimit me dashuri, pa interes”. Në përkim të plotë, kjo temë, edhe me atë të dy Sinodeve: familja!

Po dje, në Torino, u organizua kremtimi civil kombëtar me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Dom Boskos. Në bazilikën e Zojës Ndihmëtare u kremtua Mesha Shenjte, kryesuar nga dom Angel Fernández Artime, Rektor i madh, i dhjeti pasardhës i Dom Boskos. Ishte e pranishme edhe motra Yvonne Reungoat, nënë e përgjithshme e salezianeve. Kremtimi nisi me nderimin e relikeve të Dom Boskos. Më pas, në teatrin Regio, nisi festa civile kombëtare për kujtim të dom Boskos. Veprimtaria kryesore, shfaqja me titull: “Një dashuri moderne prej 200 vjetësh”, në praninë e autoriteteve më të larta institucionale, civile e fetare. E gjithë shfaqja theksoi me forcë aktualitetin e mesazhit të Dom Boskos.

Në Milano të Italisë, pranë fakultetit teologjik, Hirësisë së Tij, Ioanis Zizioulas, Metropolit i Pergamos, iu dorëzua Doktorati Honoris Causa. I pranishëm, kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Angelo Scola.








All the contents on this site are copyrighted ©.