2015-01-23 16:47:12

Át Gjeçovi në 140-vjetorin e lindjes.


Më 17 e 18 janarin e kaluar Provinca Françeskane shqiptare, Biblioteka Publike “Marin Barleti” dhe Shoqëria “Illyricum” e qytetit të Shkodrës, organizuan veprimtarinë, titulluar “Át Shtjefën Gjeçovi thesar në hulumtim”, në kuadrin e 140-vjetorit të lindjes (Janjevë, 12 korrik 1873- Zym, 14 tetor 1929). Veprimtaria, e organizuar në Sallën “Illyricum”, nisi me hapjen e ekspozitës me dorëshkrime e libra të biliotekës personale të Gjeçovit, që ruhen në Bibliotekën françeskane “Át Gjergj Fishta” dhe në bibliotekën “Marin Barleti”.
Të pranishmit ndoqën disa kumtesa, që u krijuan mundësinë ta njihnin më thellë e edhe më gjerë, figurën poliedrike të Át Gjeçovit, në disa nga këndvështrimet më të spikatura të saj: si edukator i vlerave njerëzore dhe atdhetare, përmes veprës “Agimi i Gjytetniís”; në kumtesën mbajtur nga Át Viktor Dema; si njohës i lashtësisë së etnisë sonë, përmes fondeve arkivore Gjeçov, në punimin e Jaho Brahaj; si letrar, i parë nga Faik Konica, në kumtesën e Alfred Çapalikut; si arkeolog, parë nga Villy Kamsi, e, sidomos, si mbledhës i Kanunit, parë në disa këndvështrime e prej disa kumtuesve, ndërmjet të cilëve, Bardhyl Demiraj me kumtesën “Fe e preme në kanun”, Ardian Ndreca me “Instituti i martesës në Kanunin e Lekë Dukagjinit”; Gëzim Puka me “Jehona ndërtekstësore e Kanunit përmes një teksti dramatik të letërsisë bashkëkohore” etj.
U sollën edhe të dhëna të reja lidhur me jetëshkrimin e Gjeçovit e për personalitetin e tij, përmes faqeve të shtypit katolik si dhe për publicitikën e fratit françeskan.
Trajtesat shkencore të tubimit do të botohen në një vëllim të veçantë.
Kjo dita e parë.
Ditën e dytë, më 18 janar, ansambli artistik “Katerina Josip” i Zymit dha një koncert, që u ndoq me entuziazëm nga shikuesit.Të krijohej sadopak përshtypja e kthimit të kohëve të lumnueshme të Provincës, kur nga kjo tribunë fliste Át Gjergj Fishta, ligjëronte Át Anton Harapi, shfaqeshin dramat e para të shqipes e Át Martin Gjoka krijonte e drejtonte operën e parë shqiptare, “Judën Makabe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.