2015-01-23 17:37:50

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit ‘B’!


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë.
Tema kryesore e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj të diele është “THIRRJA e ZOTIT”, thirrja urgjente për t’u kthyer me shpirt e me zemër në udhën e Hyji, për të besuar në Të e pranuar Mësimin e Tij. Edhe këtë të diele, kemi një skenë apo ngjarje që rrëfen “thirrjen”, që tregon vokacionin e katër dishepujve të parë të Zotërisë Jezus (Mk 1,14-20), pikërisht si në Ungjillin që dëgjuam të dielën e kaluar nga Gjoni (Gjn 1, 35-42).
Kësaj here, theksi i tërë kremtimit liturgjik, pra i pjesë ungjillore, është vënë jo aq mbi “kuptimin” apo “domethënien” e thirrjes, sa mbi “urgjencën” e apelit të Krishtit për t’u “kthyer” e për të fituar shpëtimin: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill” (rr.15). Në këto fjalë e në këtë thirrje të Jezusit, kemi një rast të veçantë që nuk do të propozohet më: nëse anashkalohet nga njeriu, pra, nëse nuk pranohet kjo thirrje e Jezusit, njeriu e humbas përgjithmonë mundësinë për të ndryshuar, për t’u përmirësuar, për t’u kthyer tek lumturia e vërtetë, më të qenë i hapur ndaj dashurisë e ndaj jetës.
Kështu, leximet biblike të kësaj së diele të 3-të gjatë vitit kishtar, nënvizojnë vullnetin e madh që Zoti ka për të ndarë bashkë me ne njerëzit të mirat e veta Hyjnore. Për këtë Ai na thërret ta jetojmë këtë çast të thirrjes, si dhe tërë jetën, në përkim me vullnetin e Tij Hyjnor, duke iu përmbajtur udhës që na tregon e planit që na propozon Fjala Hyjnore.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku, në mënyrë të thjeshtë e thelbësore, na ofron një sintezë të predikimit të parë të Jezusit. Tri fjalë, “koha”, “mbretëria” e “ungjilli”; e dy folje, “kthehuni” e “besoni”; gjithçka është e përmbledhur në këtë fjali të thjeshtë: “Erdhi koha, mbretëria e Hyjit është afër; kthehuni e besoni në ungjill”. E, sa pasuri e madhe, sa kuptim të thellë e sa pasojë kemi në këtë pohim, po të dinim t’i lidhnim këto shprehje themelore e të thjeshta me atë që pason në historinë e dëftimit të Zotit!

Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë ta ndryshojmë mënyrën e të jetuarit e të sjelljes sonë. Që sot, duhet të fillojmë një jetë të re, një jetë sipas Ungjillit. Edhe ne jemi të ftuar, ta ndjekim Krishtin pas, sikur bënë katër nxënësit e parë, pa hezitim dhe me gatishmëri të kthehemi tek Zoti e të ecim rrugës së Tij, për të qenë kështu shenjë e besueshme e Lajmit të Mirë të Mbretërisë së Hyjit. Kjo e diel bie në përkim me festën e kthimit të Shën Palit Apostull, i cili qe vegël e përhapjes së Ungjillit të Jezusit në botën mbarë, e kështu, liturgjia shenjte e kësaj së diele na fton të gjithëve, ta ndjekim Krishtin me entuziazëm e me guxim gjithnjë e më të madh.
Leximi i parë nga libri i Jonës (Jon3,1-5.10) flet për kthimin e banorëve të Ninivës nga sjelljet e vepra e tyre të këqija. Libri i Jonës na kujton se e keqja duhet çrrënjosur nga jeta. Hyji, përmes profetit, fton në pendesë e ofron faljen.
Leximi dytë nga Letra e parë e Shën Palit drejtuar Korintasve (1Kor 7.29-31) na thërret të jetojmë në perspektivën e Zotit, për ta njohur kështu përmasën e vërtetë e të thellë të jetës sonë.
Ungjilli nga Marku (Mk 1,14-20) na sjell fjalët e Jezusit: “Kthehuni e besoni në Ungjill!”. Pjesa ungjillore kësaj së diele na paraqet predikimin e parë të Zotërisë Jezus me ftesën e urgjencës së kthimit tonë që lindë nga afërsia e Mbretërisë së Zotit, e pranishme në vet personin e Jezusit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I-rë
(Jon 3, 1-5.10)
Ninivasit u kthyen prej sjelljes së tyre të keqe.
Lexim prej Librit të Jonës profet
Fjala e Zotit i qe drejtuar Jonës të dytën herë. I tha: “Çohu, shko në qytetin e madh të Ninivës e kumtoju sa do të të them unë!” Jona u ngrit e shkoi në Ninivë sipas urdhrit të Zotit.
E Niniva ishte qytet tepër i madh: për ta përshkuar kërkoheshin tri ditë udhë! Jona kaloi nëpër qytet një ditë udhë. Predikoi kështu: “ Edhe dyzet ditë e Niniva do të rroposët!”
Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin.
Hyji i pa veprat e tyre: kishin hequr dorë nga sjellja e tyre e keqe. Kështu Hyjit i erdhi keq për dënimin, me të cilën u ishte kërcënuar se do t’ua çoj dhe nuk ua çoi. Fjala e Zotit!

Psalmi 25 (24)
Ref:

M’i mëso, o Zot, shtigjet e tua
_________
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
Sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im,
Në ty shpresoj gjithmonë.
_________
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
Dhe dashuria jote është e amshueshme.
Mos i kujto fajët e paudhësitë e rinisë sime:
Të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate
-për hir të mirësisë sate, o Zot.
_________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
Mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
Të përvuajtëve u prin në drejtësi,
Të butëve ua mëson udhën e vet.
_________
Leximi i dytë (1 Kor 7, 29-31)
Trajta e kësaj bote po kalon
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Ja, ç’dua të thëm, o vëllezër: koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin, ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë, sikurse të mos e gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon. Fjala e Zotit!

Alleluja!
Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, t’ju japë syve të zemrës suaj dritë,
që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.
Aleluja!


UNGJILLI (Mk 1, 14-20)
Kthehuni e besoni Ungjillit!
Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut
Pasi e burgosën Gjonin, Jezusi shkoi në Galile. Atje predikonte Ungjillin e Hyjit. Thoshte: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Kthehuni e besoni Ungjillit!”
Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllain e Simonit, duke gjuajtur peshk – ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatar njerëzish!” Ata aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij. Si eci edhe pak, pa Jakobin e Zebedeut e të vëllain e tij, Gjonin: ishin në lundër e po arnonin rrjetat. Menjëherë i thirri edhe ata. Ata lanë të atin e vet Zebedeun në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij. Fjala e Zotit!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit, mund të dëgjoni edhe këtu...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.