2015-01-21 15:35:52

Papa: familjet e mëdha japin shpresë, kultura e përjashtimit krijon varfëri


Rikujtoi shtegtimin e tij në Azi, “kontinent me tradita të pasura kulturore dhe shpirtërore”, Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot në Sallën e Palit VI. E u rikthye tek temat kryesore, prekur në Sri Lankë e në Filipine, përballë turmave “oqeanike”, kujtimin e të cilave, shtoi, e ruaj gjithnjë në zemër: nga roli i familjes në shoqëri, tek dialogu për paqen, duke kujtuar edhe Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve.
Familjet me shumë fëmijë të ngushëllojnë
Familjet e shëndosha janë “themelore” për jetën e shoqërisë. U rikthye, kështu, tek një nga temat kryesore të shtegtimit të tij të sapokryer në Azi, Papa Françesku, duke kujtuar etapën e Filipineve:
“Të jep ngushëllim e shpresë pamja e familjeve të mëdha, që i mirëpresin fëmijët, si dhuratë e Zotit. Ata e dinë se çdo fëmijë është bekim. Ndërsa dëgjoj se familjet me shumë fëmijë dhe lindja e fëmijëve të shumtë, janë një nga shkaqet e varfërisë”.
Varfëri e shkaktuar nga kultura e përjashtimit
Ky, pohoi Papa, më duket opinion, që i thjeshton gjërat në tepri.
“Mund të them, e mund të themi të gjithë, se shkaku kryesor i varfërisë është sistemi ekonomik, që e ka hequr njeriun nga qendra e, në vend të tij, ka vënë hyjin para; sistemi ekonomik, që përjashton, gjithnjë: përjashton fëmijët, pleqtë, të rinjtë pa punë… e krijon kulturën e përjashtimit, që po e jetojmë. Jemi mësuar tashmë të shikojmë njerëz të përjashtuar. Ky është shkaku kryesor i varfërisë, e jo familjet me shumë fëmijë.
Familje të kërcënuara nga kolonizimi ideologjik
“Duhen mbrojtur, prandaj, familjet, që të mund t’i përballojë kërcënimet e ndryshme, kujtoi Papa, e të mund ta dëshmojnë edhe bukurinë e tyre në planin e Hyjit”. “Duhen mbrojtur familjet edhe nga kolonializimet e reja ideologjike, që cënojnë identitetin dhe misionin e tyre”.
Korrupsioni vjedh të varfrit
Të rinjve, pastaj, Papa u besoi përtëritjen e shoqërisë, posaçërisht përmes shërbimit ndaj më të varfërve dhe mbrojtjes së ambientit. Kujdesi për të varfrit, theksoi në mënyrë të posaçme, është element themelor i jetës sonë e i dëshmisë sonë të krishterë: kërkon refuzimin e çdo forme të korrupsionit, që i vjedh të varfrit. Prej këndej, Papa kërkoi “kulturën e ndershmërisë”.
Solidaritet për viktimat e tufanit
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi arsyen kryesore të vizitës së tij në Filipine: për t’u shprehur afërsinë viktimave të shkretimit, shkaktuar nga tufani Yolanda e për t’i falënderuar të gjithë ata që, nga të katër anët e botës, në këto ditë të zeza, iu përgjigjen me bujari thirrjes së dëshpëruar për ndihmë. Kujtoi Taklobanin, zonë posaçërisht e dëmtuar, duke shprehur admirimin ndaj popullsisë, që e përballoi situatën e vështirë me fe të gjallë e angazhim të madh për të zhdukur pasojat e mynxyrës, përballë kushteve të rënda klimaterike që, pikërisht atje, gjatë vizitës papnore, shaktuan një viktimë të re të pafajshme: vullnetaren e re Kristel, shtypur e vrarë prej një sktrukture të shembur nga era.
Kumtimi i Ungjillit e respekti ndaj të tjerëve
Nga Sri Lanka Papa deshi të kujtojë shenjtërimin e misionarit të madh Jozef Vaz. Shembulli i shenjtërisë dhe dashurisë së tij për të afërmin, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të merret si model për gjithë të krishterët, që janë të thirrur sot të propozojnë të vërtetën shëlbuese të Ungjillit me respekt ndaj të tjerëve, durim e përvujtëri, sidomos në kontekste ku takohen njerëz me fe të ndryshme. E posaçërisht pas konfliktit të gjatë e dramatik civil, si ky që tronditi rëndë vendin aziatik deri në vitin 2009, kujtuar edhe gjatë lutjeve në Shenjtëroren mariane të Zojës së Madhu:
“Nënvizova rëndësinë e dialogut, të respektit për dinjitetin njerëzor, të përpjekjes për t’i angazhuar të gjithë në gjetjen e rrugëzgjidhjeve të përshtatshme, në shërbim të pajtimit e të së mirës së përbashkët”.
Bashkëpunim ndërmjet feve
Fetë e ndryshme kanë një rol domethënës për të luajtur. “Në rrethana të tilla, desha të inkurajoj bashkëpunimin e filluar tashmë ndërmjet traditave të ndryshme fetare, edhe me synimin për t’i shëruar, me balsamin e faljes, ata që janë ende të sfilitur nga vuajtjet e viteve të fundit.
Bashkimi i të krishterëve
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të përfundojë të dielën e ardhshme në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, me praninë e Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.