2015-01-21 15:21:57

Obama shpall fundin e krizës dhe flet për Kubën, ISIS-in e Iranin


“Kriza u kapërcye. Amerika u ringjall e tani, është koha për ta kthyer fletën”. Kështu foli presidenti amerikan, Barak Obama, në fjalimin e tij të gjashtë për gjendjen e SHBA-ve. Kreu i Shtëpisë së Bardhë citoi Papën Françesku për rifillimin e marrëdhënieve me Kubën. Obama i kërkoi Kongresit përkrahje kundër xhihadistëve të ISIS-it dhe u shpreh kundër sanksioneve ndaj Iranit.
Presidenti amerikan e sfidoi Kongresin republikan duke paraqitur një plan ambicioz për të zvogëluar pabarazitë ekonomike. Ai propozoi një taksë të re për ndërmarrjet e mëdha financiare. Paratë e fituara në këtë mënyrë do të financojnë programe në favor të klasës së mesme e të punëtorëve. Obama përdori fjalë të rënda kundër racizmit, mbështeti të drejtat e grave, në një vend ku edhe sot e kësaj dite, pagesa është e ndryshme ndërmjet burrit e gruas, për të njëjtën punë.
Presidenti amerikan kërkoi fundin e embargos kundër Kubës, duke cituar Papën Françesku: “Ashtu siç tha edhe Shenjtëria e Tij: ‘diplomacia është një punë, që bëhet me hapa të vogla’”. Më pas, Obama mbrojti reformën e tij mbi emigracionin, u shpreh kundër sanksioneve të reja për Iranin dhe kundër ndryshimeve të sistemit të sigurimeve shëndetësore “Obamacare”. Gjithashtu, tha se nuk është dakord të bllokojë gazsjellësin “Keystone”. Pjesa kundër terrorizmit qe e ashpër dhe e duartrokitur edhe nga kundërshtarët politikë. Obama e siguroi Kongresin dhe popullin amerikan se Isis do të mundet. Kërkoi autorizimin e kongresmenëve për të përdorur forcën në Irak e Siri. “Që nga shkolla e Pakistanit e deri tek rrugët e Parisit – ngriti zërin ai – jemi me njerëzit e botës, që janë goditur nga terroristët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.