2015-01-20 10:19:48

Kardinali djalosh e Papa tërmet


Në fjalimin e mirëseardhjes, lexuar nga kardinali Tagle në katedralen e Manilës, u ndje fort burimi i lidhjes shpirtërore ndërmjet Papës argjentinas e kardinalit filipinas.
Feja e krishterë është thesari, falë të cilit populli filipinas gjen forcë për t’u ngritur përsëri në këmbë, pas tragjedive që e godasin herë pas here. E për virtyt të këtij thesari, banorët e këtyre viseve të largëta nuk e shikojnë Papën si yll me të cilin merret a nuk merret sistemi global i mediave, por si pasardhës të Shën Pjetrit, si shkëmbin, mbi të cilin “Krishti ndërton Kishën e tij”. Kardinalit Luis Anton Tagle i mjaftuan pak fraza, e edhe më pak minuta, për të nënvizuar, me thjeshtësi fëmijnore, pa kurrfarë poze, çka e lidh me Ipeshkvin e sotëm të Romës.
Në përshëndetjen e mirëseardhjes, lexuar me emocion të thellë, i prekur deri në lotë, në fund të Meshës madhështore, kremtuar nga Papa në katedralen e Manilës, përballë ipeshkvijve, priftërinjve, rregulltarëve të Kishës vendase, kardinali me fytyrë djaloshare foli si ipeshkëv i zhytyr në jetën e popullit të vet. Duke përdorur si fill të artë të fjalës së tij të shkurtër, pikërisht ngjarjet konkrete historike të Kishës, ku po kremtohej Mesha.
Katedralja e Manilës, kujtoi Tagle, mund të konsiderohet simbol i popullit filipinas. Në historinë e saj, tejet të gjallë, u rrënua shumë herë nga zjarri, tërmetet, bombardimet, si ai që e goditi më 1945, gjatë betejës për çlirimin nga japonezët. Ajo, vijoi kardinali, u bë rrafsh me tokë shumë herë, por nuk pranoi të vdesë e të kallet në varr. Rilindi me guxim nga gërmadhat e veta, ashtu si populli i Filipineve, i dërmuar nga vuajtjet e fatkeqësitë e të gjitha natyrave, por i rilindur, gjithnjë, me forca të reja të papërfytyrueshme. Për të shpjeguar “të fshehtën” e këtyre rifillimeve të reja, Tagle citoi një frazë të jezuitit atdhetar Horacio de la Costa, i njohur për veprimtarinë e tij në luftën për çlirimin nga japonezët. “Filipinasit, përsëriste sivëllai i Bergoglios, i vdekur më 1977, kanë dy thesare: muzikën e fenë. Meloditë tona e lartojnë shpirtin përmbi tragjeditë e jetës. Feja na ngre gjithnjë në këmbë pas zjarreve, që bëjnë shkrumb e hi vatrat tona, pas tërmeteve, tragjedive, luftërave”.
Tani që filipinasit po nisin ta ngrejnë përsëri kokën lart, pas fatkeqësive të natyrës e konflikteve, vizita e Papës, kujtoi kardinali Tagle, i jep flatra të reja Kishës e shoqërisë së arkipelagut për të rinisur fluturimin lart e më lart.
“Ju - tha kardinali duke iu drejtuar Papës Bergoglio - sillni me vete zjarrin, jo për të shkrumbuar, por për të pastruar. Sillni me vete tërmetin, jo për të shkretuar, por për të rizgjuar. Pastaj shtoi formulat ungjillore, që përcaktojnë rolin e ipeshkvit të Romës në Kishën Katolike: “Ti je Pjetri, shkëmbi mbi të cilin Krishti ndërton Kishën e vet”. Me vizitën e pasardhësit të Pjetrit, përfundoi kardinali, ne e dimë se Jezusi do ta përtërijë e do ta rindërtojë Kishën e vet në Filipine.
Është Krishti, Ai që e ndërton Kishën e vet mbi shkëmbin e Pjetrit. Krishti, e jo Papa, e as ipeshkvijtë. Krishti, Ai që e rindreq, e rinon në ecjen e saj nëpër udhët e historisë. Papa Françesku e përsërit këtë pa pushim. Edhe kardinali Luis Antonio Tagle e përcjell këtë siguri të gëzueshme në punën e tij të përditshme si bari i metropolit ku lindi. E është pikërisht ky përceptim, burimi që ushqen përkimin e thellë ndërmjet ipeshkvit të Romës dhe kardinalit filipinas. Afërsi e vërtetë kjo, që vizita papnore e vuri para dritës së reflektorëve.Por, ç’ vazhdimësi e gjallë e pjellore, edhe tani, që Papa u kthye në Romë. E ç’lidhje: fill i artë, i pakëputshëm, ndërmjet Romës e Manilës.







All the contents on this site are copyrighted ©.