Dy fjalë për jetëshkrimin e kardinajve të rinj: Imzot Dominique Mamberti
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 4 janarit 2015, Papa Françesku shpalli emrat
e kardinajve të rinj, që do t’i emërojë në Koncistorin e 14 shkurtit të ardhshëm. Siç
është njoftuar tashmë, më 14 shkurt, tha Papa, do të kem gëzimin të mbaj një Koncistor,
gjatë të cilit do të emëroj 15 kardinaj të rinj që, të ardhur nga 14 Kombe të çdo
Kontinenti, shprehin lidhjen e pandashme ndërmjet Kishës së Romës dhe Kishave të veçanta.
Të diel, më 15 shkurt, do të kryesoj një bashkëkremtim solemn me Kardinajtë e rinj,
për të reflektuar lidhur me orientimet dhe propozimet për reformën e Kuries Romake. Shpalli,
pastaj, listën e bashkëpunëtorëve të tij të rinj, të ngushtë, përfaqësues të pesë
kontinenteve, që do ta ndihmojnë në drejtimin e Kishës Universale. Po ç’merita
kanë këta njerëz të Kishës, që të marrin mbi vete një detyrë kaq të lartë, pranë Papës,
për ungjillëzimin e njeriut e të njerëzimit? Menduam të flasim, shkurtmisht, për
jetëshkrimin e tyre, që t’i njohim më për së afërmi, duke nisur nga Imzot Dominique
Mamberti, Kryeipeshkëv titullar i Sagonës, Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës
Apostolike.
Imzot Dominique Mamberti, Kryeipeshkëv titullar i Sagonës,
prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike, lindi në Marrakech, në kryedioqezën
e Rabatit (Marok), më 7 mars 1952. U shugurua meshtar më 20 shtator 1981, për dioqezën
e Ajaccio (Korsikë- Francë). U diplomua në Drejtësi Kanonike Civile. Hyri në
Shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 1 mars 1986. Shërbeu në Përfaqësitë Papnore
në Algjeri, Kili, në Misionin e Përhershëm pranë OKB-së në New York, në Liban e së
fundi, pranë Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit. Më
18 maj 2002 u emërua Nunc Apostolik në Sudan dhe Delegat Apostolik në Somali. U zgjodh
edhe në Selinë titullare të Sagonës, me dinjitetin e Kryeipeshkvit. Mori shugurimin
ipeshkvnor më 3 korrik 2002. Më 19 shkurt 2004 u emërua edhe Nunc Apostolik në
Eritre. Më 15 shtator 2006 Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, e emëroi Sekretar për
Marrëdhëniet me Shtetet pranë Sekretarisë së Shtetit. Më 8 nëntor 2014 u emërua
nga Papa Françesku Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike Më 4 janar
2015, kardinal. Kur e mori lajmin e emërimit, tha: “Zemra ime është plot
me mirënjohje ndaj Atit të Shenjtë për besimin që tregoi ndaj meje, duke më emëruar
ndërmjet kardinajve, që më pas, janë këshilltarë të tij”.