2015-01-19 14:26:03

Lombardi: emocione më shumë se ç’pritej. Papa Françesku shpreson tek Azia


Papa Françesku u kthye sot nga udhëtimi i tij i shtatë apostolik, që e çoi në Sri Lankë e Filipine. Sot, pasi kremtoi privatisht meshën e mëngjesit, Ati i Shenjtë u nis nga Nunciatura Apostolike për në aeroportin “Villamor Air Base” të Manilës, ku u përshëndet me Presidentin e Republikës dhe mori avionin për në aeroportin e Ciampinos, pranë Romës. Akoma mbetet në mendjet e në zemrat e njerëzve afërsia e Papës Françesku, gjestet e fjalët e Ipeshkvit të Romës, i cili, si gjithnjë, edhe kësaj radhe, tregoi stilin e tij baritor, që e lidh pazgjidhshmërisht me njerëzit, kudo shkon. Në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, shpreh përshtypjet e tij, sidomos nga ditët e fundit në Filipine. Ja atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

Duke e parë nga jashtë, ajo që të bën më shumë përshtypje, natyrisht, janë përmasat e kësaj lëvizjeje të popullit drejt Papës dhe kremtimi me të: duket se në meshën e djeshme është arritur prania më e madhe në Eukaristi në gjithë historinë, duke kapërcyer edhe rekordin e mëparshëm, gjithnjë në Manila, për Ditën Botërore të Rinisë me shën Gjon Palin II, kur erdhën 4-5 milion vetë. Dje, u fol për 6-7 milion vetë. Kjo tregon dashurinë e këtij populli për Papën. Ndjehet që Papa i tërheq për mënyrën e të paraqiturit, për faktin se është udhëheqësi i një Kishe, e cila, edhe sot, në Filipine, është shumë e gjallë dhe e ndjerë nga populli si pikë themelore referimi për jetën shpirtërore, por edhe për jetën shoqërore. Edhe Papës i bëri përshtypje kjo vëmendje: Papa jep, por Papa edhe merr. Merr guxim e sigurisht, edhe perspektiva apostolike drejt Azisë, të cilën ai e kuptoi që në fillim se është themelore, forcohet nga këto dy udhëtime, ai i Koresë dhe ky në Sri Lankë e Filipine. Shihet se edhe këto popullsi të mëdha i presin mësimet morale të Papës, inkurajimin e tij për të ardhmen. Nuk duhet të harrojmë se çasti më i thellë i këtij udhëtimi ishte ndoshta mesha e së shtunës, pra, vizita në Takloban, që do të thotë të rrish me të vuajturit, me më të varfërit e të varfërve, viktima të uraganit. Ky popull duhet të shpresojë në të ardhmen. Ka një pasuri të madhe shpirtërore, por duhet të dijë ta kthejë në veprim këtë fe e këtë përshpirtëri, në mënyrë që edhe në shoqëri e në jetën e përditshme, vlerat e Ungjillit, solidariteti, kujdesi për të varfërit të bëhen normale, për të kapërcyer ato pabarazi, që Papa i quajti “shkandulluese”.

Mesha e Taklobanit, pati një fund tragjik, sepse humbi jetën njëra nga vullnetaret, për shkak të rënies së një skele. Ky episod e preku shumë Papën e madje ai u takua edhe me të atin…

Po. Natyrisht, kur mori vesh për këtë Papa kërkoi menjëherë të takohej me familjarët e vajzës. I ati u gjet lehtë dhe erdhi ta takojë Papën në nunciaturë, së bashku me një kushëri. Papa mundi kështu të shprehë personalisht afërsinë e tij, në këtë çast dhimbjeje dramatike të kësaj familjeje. E ëma nuk gjendej, sepse punon në Hong Kong e nuk arriti të kthehej në kohë për t’u takuar me Papën. Biseda ishte mallëngjyese, e bukur. Para Papës, një tryezë e ky prind i prekur nga tragjedia. Mbi tryezë, dy fotografi të mrekullueshme: fotografia aktuale e vajzës dhe fotografia e saj kur ishte fëmijë, së bashku me prindërit. Ndjehej prania buzagaz e saj. Kardinali Tagle, i cili përktheu, tha pas takimit se i ati ishte tepër i mërzitur, por edhe i ngushëlluar disi nga fakti se e bija kishte vdekur gjatë një vepre shërbimi për popullin e saj, që të gjithë të takoheshin me Atin e Shenjtë. Kjo ishte ngushëllim për të. Natyrisht, dëshmon për një fe të thellë e të thjeshtë, por që arrin të shkojë përtej përvojës së vështirë njerëzore drejt perspektivës së shpresës e të jetës, siç u ndodh të krishterëve, që besojnë me gjithë shpirt.

Përfundoi kështu udhëtimi i shtatë apostolik i Papës Françesku, i dyti në Azi në pak muaj. Një bilanc…

Mikpritja qe madhështore, mikpritje popullore, e thjeshtë, spontane, shumë më e madhe nga sa pritej. Këto rrugë plot me turma të gëzueshme, këto takime me pjesëmarrje të jashtëzakonshme njerëzish, të cilët ngarendin duke e ndjerë bukurinë e pjesëmarrjes në diçka të madhe, që ndodh përreth Papës. Për popullin e besimtarëve, kjo është gjithnjë shenjë e pranisë së Zotit dhe ndihmë për t’u thelluar në jetën fetare. Pastaj, Ati i Shenjtë vuri në dukje tema të rëndësishme, duke u nisur nga të varfërit, që i ka aq për zemër, e nga prania e tyre, fatkeqësisht e dukshme, në shoqërinë filipinase, në këtë vend me pabarazi të jashtëzakonshme, shumë të rënda, me fëmijë rrugësh e kështu me radhë. Atëherë, të varfërit, realiteti i tyre, shihen si pikënisje reflektimi për kthimin në udhën e Zotit, për të parë cili duhet të jetë impenjimi personal i të krishterëve për një shoqëri më të drejtë, që u përgjigjet vlerave të respektit ndaj njeriut dhe ka një botëkuptim koherent sipas Ungjillit. Tema veçanërisht të rëndësishme qenë edhe dialogu me familjet, inkurajimi i familjes, që ndjehet shumë si vlerë nga filipinasit, inkurajimi i të rinjve, që janë pjesë kryesore e shoqërisë. Ata janë jashtëzakonisht dinamikë, por kanë nevojë të orientohen, t’i japin kuptim jetës me shpresë. Pra, temat kryesore që dëshiroi të trajtonte Papa janë mëse të qarta. Duhet parë nëse këto ditë me entuziazëm të jashtëzakonshëm do të shndërrohen në kthim të vërtetë në udhën e Zotit, në impenjimin ungjillor që propozoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.