Papa, të rinjve: mësoni të derdhni lot për atë, që vuan
Por të kthehemi në takimin e Papës Françesku me të rinjtë në kampusin e Universitetit
të Shën Tomës. Të pranishëm 30 mijë të rinj, por edhe mijëra vetë të të gjitha moshave,
që mbushën rrugën e përshkuar nga papamobili, që në orët e para të agimit. Ishin aq
të shumtë, saqë pati probleme edhe për të siguruar udhën e caktuar për mediat. Shiu
i imtë nuk i trembi njerëzit, të cilët mbushën fushën e mbuluar me qese nga organizatorët,
që shmangën kështu krijimin e pellgjeve. Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e tre fëmijëve
të rrugës, dy meshkuj e një vajzë, që shpërtheu në lot, duke e bërë Papën të çohej
për ta përqafuar e qetësuar. Njëri prej djemve i dha Atit të Shenjtë një kavanoz të
thjeshtë, mbushur plot me letra shumëngjyrëshe. Në secilën prej tyre, mendimi i një
studenti. Papa Bergolio, siç bën shpesh, sidomos kur emocionohet, la mënjanë fjalën
e përgatitur e foli në spanjisht pa letër. “Realiteti është më i rëndësishëm se ideja”,
theksoi. Falenderoi të rinjtë e u tha se dëshiron t’i inkurajojë që, si qytetarë të
krishterë të Filipineve, t’i kushtohen me pasion e ndershmëri përtëritjes së shoqërisë
e ndërtimit të një bote më të mirë. Vuri menjëherë në dukje rolin e të rejave e të
grave: “Ka vetëm
një përfaqësi të vogël grash ndërmjet jush. Tepër pak. Gratë kanë shumë për të thënë
në shoqërinë e sotme. Nganjëherë jemi tepër maskilistë e nuk u japim hapësirë grave.
Por gratë janë të afta t’i shohin gjërat me tjetër sy në krahasim me ne, burrat. Gratë
janë të afta të bëjnë pyetje, që burrat nuk mund t’i kuptojnë. Dëgjojini me vëmendje”. E
pastaj, përsëriti pyetjen, që vajza e treshes së dëshmisë, i bëri Papës në fillim
të takimit: pse vuajnë fëmijët? Është e vetmja pyetje, që nuk ka përgjigje, nënvizoi
Ati i Shenjtë, duke u kërkuar filipinasve që kur të vijë një papë tjetër mes tyre,
të jenë të pranishme më shumë femra, që të bëjnë pyetje të tjera të tilla, të vështira
për t’u përgjigjur. Aq të vështira, sa edhe vetë vajza nuk qe në gjendje të pyeste
thjesht me fjalë, por e bëri këtë me lot. E dalëngadalë, Papa Françesku shtjelloi
mendimin e vet, duke u nisur pikërisht nga ato lotë: “Kur zemra është gati
të pyesë vetveten e të derdhë lot, atëherë do të jemi në gjendje të kuptojmë diçka.
Ekziston një farë dhembshurie e kësaj bote, që nuk duhet për asgjë… Dhembshuri, që
shumë-shumë, të çon të fusësh dorën në xhep për një monedhë. Nëse Krishti do të kishte
dashur këtë lloj dhembshurie, do të kishte kaluar thjesht duke u kujdesur për tre-katër
vetë e do të ishte kthyer tek Ati Qiellor. Vetëm kur derdhi lot, kur qe në gjendje
të qante, Krishti e kuptoi ç’po ndodhte në jetët tona”. Në botën e sotme,
vijoi Papa Françesku mungon aftësia për të derdhur lot. Qajnë të braktisurit, të vuajturit,
të përjashtuarit, por të tjerët nuk dinë të qajnë. Por disa realitete të jetës, theksoi
Ati i Shenjtë, shihen e kuptohen vetëm me sy të larë nga lotët: “E ftoj secilin
prej jush të pyesë veten: a kam mësuar të qaj, kur shoh një fëmijë të uritur, një
fëmijë të droguar, një fëmijë pa shtëpi, një fëmijë të braktisur, një fëmijë të shpërdoruar,
një fëmijë të shfrytëzuar nga shoqëria? …Pyetjen e rëndësishme, përse vuajnë fëmijët,
vajza na e tha sot duke qarë. E përgjigjja që japim është: të mësojmë të derdhim lot.
…Nëse nuk mësoni të qani, nuk mund të jeni të krishterë të mirë. …Kur na pyesin pse
vuajnë fëmijët? Pse ndodh kjo, apo ajo tragjedi në jetë? Përgjigjja jonë mund të jetë
ose heshtja, ose fjala, që lind nga lotët. Guxim. Mos kini frikë të derdhni lot”. Pastaj,
Papa mori në dorë dëshminë e njëri prej të rinjve, Leandro Santos II, i cili bëri
pyetje për botën e informacionit. Kemi kaq shumë informacion në dispozicion, nënvizoi
Ati i Shenjtë, saqë të rinjtë nuk dinë ç’të bëjnë me të, kthehen në një lloj muzeu,
ku gjen gjithçka, pa ditur si ta përdorësh. Nuk kemi nevojë për të rinj “muze”, tha
Papa, por për të rinj të shenjtë. E sfida e madhe e jetës, lënda më e rëndësishme
e universitetit të jetës, është të mësoni ç’është dashuria e vërtetë, u theksoi Françesku
të rinjve. Vetëm përmes dashurisë, informacioni bëhet i frytshëm: “Për këtë,
Ungjilli na propozon një rrugë të thjeshtë. Të përdorim tri gjuhët: gjuhën e mendjes,
gjuhën e zemrën e gjuhën e duarve. Të tria, për t’u përdorur në mënyrë të harmonishme.
Të mendojmë diçka, ta ndjejmë në zemër e ta realizojmë. Informacionet që marrim, duhet
të arrijnë në zemër e të shndërrohen aty në diçka konkrete… Të mendojmë, ta ndjejmë
e të veprojmë”. (të rinjtë përsërisin së bashku me Papën) Dashuria e vërtetë,
vazhdoi Ati i Shenjtë, është t’i lësh të tjerët të të duan. Është më e vështirë kjo,
se të duash ti vetë. Kjo është arsyeja që s’është e lehtë ta kuptojmë dashurinë e
përsosur të Zotit. Që ta duam, duhet ta lemë Atë të na dojë. Por Zoti nuk vepron si
kompiuteri, që i ka të përcaktuara të gjitha përgjigjet. Zoti na befason me dashurinë
e Tij: “Lëreni Zotin t’ju befasojë. E mos kini frikë nga surprizat! Ju lëkundin
tokën nën këmbë! E bëjnë gjithçka të pasigurtë, por na nxisin të ecim në drejtimin
e duhur. Dashuria e vërtetë iu bën të digjeni si qiriu në jetë, ju lë me xhepa bosh.
Shën Françesku vdiq me duar bosh, me xhep bosh, por me zemrën e stërmbushur plot.
…Pra, jo të rinj ‘muze’, por njerëz të urtë. Për të qenë të urtë përdorini tri gjuhët:
mendoni, ndjeni e veproni. Për të qenë të urtë, lejojeni veten të befasoheni nga dashuria
e Zotit”. E Papa Françesku u ndal pastaj në dëshminë e tretë, atë të Rikit,
një të riut filipinas, që i tregoi Atit të Shenjtë aspekte të ndryshme të jetës së
të rinjve të krishterë. Atë e shokët e tij, Papa i këshilloi jo vetëm të japin, por
edhe të marrin nga të tjerët. Të pasurohemi nga përvuajtëria e atyre, që ndihmojmë,
tha Papa, duke u dhënë një mësim të mirë të gjithë vullnetarëve, që punojnë me të
varfërit në Kishë: “Dini të jepni, por nuk dini të merrni. Ju mungon vetëm
një gjë… Bëhuni lypës. Mësoni t’u lypni atyre, që u jepni. Nuk është e lehtë të kuptohet
kjo. Mësoni të lypni. Mësoni të merrni nga përvuajtëria e atyre, që ndihmoni. Mësoni
të ungjillëzoheni nga të varfërit. …Kjo ju ndihmon të piqeni në punën për të ndihmuar
të tjerët. Mësoni ta zgjasni edhe ju dorën, të nxitur, secili, nga mjerimi personal
shpirtëror”. Në fund, Papa Françesku përmendi angazhimin e ipeshkvijve filipinas
për të varfërit. Kujtojmë se këtë vit, për Kishën Katolike në vend është “Viti i të
varfërve”, prandaj Ati i Shenjtë i këshilloi të gjithë të mendojnë për ta e të mësojnë
prej tyre.