2015-01-18 16:20:22

Manila, 7 milion në meshë. Papa: të mbrojmë familjen nga sulmet tinëzare


Rreth 7 milion. Kaq ishin besimtarët në Manila, që deshën të merrnin pjesë në meshën përfundimtare të udhëtimit të shtatë apostolik të Papës Françesku, në Sri Lankë e Filipine. Kryeqyteti filipinas, 20 vjet pas Ditës Botërore të Rinisë, kremtuar aty nga shën Gjon Pali II, tejkaloi vetveten. Këtij populli të madh në fe, Papa Françesku i kërkoi edhe një herë të bëhet përhapës i Ungjillit në vend e në të gjithë Azinë, që bukuria e botës së krijuar nga Zoti të mos shëmtohet nga padrejtësitë, korrupsioni e abuzimet.RealAudioMP3
Ka një Santo Niño (Krishti Fëmijë) në krah të fëmijës 5-6 vjeçar, që hidhet plot gaz, plot baltë si pantallonat e veta, në anë të një pellgu të qelbur, me plehrat që lundrojnë mbi ujë. Ka një Santo Niño në krah të burrit, që fle në mes të pemëve përgjatë bregdetit, duke pasur për dyshek biçikletën e vet, sepse kështu askush s’mund t’ia vjedhë. Ka një Santo Niño në krah të secilës prej fantazmave të Manilës, që s’i sheh askush, sepse mbulohen nga pallatet 20 katëshe – gjigantë të një bote me fat, së cilës i vjen turp nga Golia i mbuluar me lecka, pas shpinës së vet.
Por këto “mbeturina” shoqërore sot, në Manila, u ngjitën në elterin e Françeskut, para miliona e miliona sysh, idealisht të thirrur nga Papa i periferive – e natyrisht kushedi sa të përzier me turmën – nga Papa që erdhi personalisht, për t’u thënë atyre se Santo Niño është një Fëmijë i vogël, që i do me zemrën e një Zoti e që do t’i dëshironte – siç tha Papa Bergolio në homeli – banorë të asaj bote, që e krijoi si “kopsht të mrekullueshëm” e jo “të shpërfytyruar nga mëkati”, me “struktura shoqërore, që e kanë bërë të përhershme varfërinë, injorancën, korrupsionin”:

“Nganjëherë, duke parë problemet, vështirësitë dhe padrejtësitë, tundohemi të ngremë duart lart. Duket sikur premtimet e Ungjillit nuk mund të zbatohen, nuk janë të vërteta. Por Bibla na thotë se kërcënimi i madh kundër planit të Zotit për ne ka qenë dhe është gënjeshtra. Djalli është ati i gënjeshtrës. Shpesh, ai i fsheh kurthet e tij pas dukjes si i sofistikuar, pas joshjes së të qenit ‘modernë’, ‘si gjithë të tjerët’”.
20 vjet pas shën Gjon Palit II, edhe mesha, që mbyll udhëtimin apostolik të Papës Françesku, u kremtua në të njëjtin vend me Ditën historike Botërore të Rinisë, në Rizal Park të Manilës e, ashtu si atëherë, u paraqit me përmasa të pallogaritshme. Në elter shihej një qytet i tërë i shndërruar në kishë me njëmijë anijata, aq sa janë muret njerëzore, të cilat përvijojnë hapësirën, ku ndjehet, preket me dorë lutja e pastër, pa hutime, që duket e jashtëzakonshme, pavarësisht se normale në një kontekst të tillë. Për Manilën e për filipinasit, kjo qe ditë e përsosur: me ta është Papa, në festën e Pajtorit, Santo Niño, Krishti Fëmijë. Edhe Ai, kujtoi Papa Françesku, ka pasur një nënë e një babë, që janë kujdesur për të:

“Në këtë mënyrë, Ai na kujton rëndësinë e mbrojtjes së familjeve tona, të familjes më të madhe, që është Kisha, familja e Zotit, si edhe të botës, familja jonë njerëzore. Sot, fatkeqësisht, familja ka nevojë të mbrohet nga sulmet tinëzare e nga programet kundër gjithçkaje konsiderojmë të vërtetë e të shenjtë, gjithçkaje që në kulturën tonë është fisnike dhe e bukur”.
E të paprekshëm e të bukur, ashtu si Santo Niño, janë të gjithë fëmijët e pambrojtur, nënvizoi Papa. Ata, që e kanë të vështirë jetën e nuk jetojnë dot:

“Edhe ne e kemi për detyrë t’i mbrojmë, t’i udhëheqim e t’i inkurajojmë të rinjtë tanë, duke i ndihmuar të ndërtojnë një shoqëri të denjë për pasurinë e saj të madhe shpirtërore e kulturore. Veçanërisht, kemi nevojë ta shohim çdo fëmijë si dhuratë për t’u pranuar, për t’u dashur e mbrojtur. E duhet të kujdesemi edhe për të rinjtë, pa lejuar që t’u vidhet shpresa e të dënohen për të jetuar rrugëve”.
Përfundimi i meshës qe çast mallëngjimi të madh. Kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Tagle, e falenderoi Papën për tri ditët, që kaloi në Filipine dhe e siguroi:

“Shpesh, ju i përfundoi mbledhjet e takimet, duke thënë: ‘Ju kërkoj të luteni për mua’. Ne, filipinasit, ju premtojmë: do të lutemi për ju”.
Ju jeni i bekuar prej Zotit, vijoi kardinali Tagle. Jezusi lutet për ju. E ne, filipinasit tuaj të dashur, bashkohemi me Jezusin në lutjen për ju:

“Çdo filipinas dëshiron të vijë me ju, por mos kini frikë: çdo filipinas dëshiron të vijë me ju, por jo në Romë: në periferi!”








All the contents on this site are copyrighted ©.