Me 18 janar kalendari kujton shën Priskën, martire
Me 18 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Priskën, Martire. Kur flasim
për figurën e Shën Priskën duhet thënë se nuk është e lehtë të përshkruhet jeta
e kësaj martire romake, ndonëse për të kemi një mori dokumentesh të lashta. E kjo,
sepse ka shumë mundësi që njoftimet, të cilat duken sikur flasin për të, i përkasin
tri martireve të ndryshme: asaj vetë, Priskës gruas së Akuilës, të cilën e kujton
Shën Pali Apostull dhe një shenjtoreje tjetër me të njëjtin emër, që nuk përmendet
më në kalendarët kishtare. Nga Aktet e martirizimit të Shën Prsikës, mësojmë se
ajo duhet ta ketë derdhur gjakun për Krishtin nën perandorin Klaudio (268-270) e se
duhet të jetë varrosur në Rrugën Ostiense. Më pas reliket e saj u mbartën në Aventin. Sipas
gojëdhënës ajo qe nxënësja e parë e Shën Pjetrit apostull që e dëshmoi fenë e vet
me martirizim. Sidoqoftë sot Kisha e nderon Priskën martire si ‘fryt i parë i apostullimit
të Peshkatarit të Galilesë’ dhe si themeluesen e Kishës romake me të njëjtin emër,
për të cilën na flet epitafi i shkruar mbi një rrasë varri të shekullit V, që ruhet
në kiostrin e Bazilikës së Shën Palit jashtë mureve të Romës.
Kisha e lashtë
e Shën Priskës në Aventin, një stoli e vërtetë ndërmjet antikiteteve të shumta romake,
lartohet mbi themelet e një shtëpie të madhe të shekullit II, gjë që është provuar
edhe nga gërmimet arkeologjike. Duhet të ketë qenë shtëpia e vashës romake, që dha
jetën në lule të moshës për Krishtin.