Papa: “jo”, padrejtësisë shoqërore. Dëgjojeni zërin e të varfërve
Pas vizitës së kortezisë tek presidenti filipinas, Benigno Aquino III, Papa Françesku
u takua me autoritetet dhe Trupin diplomatik, në pallatin presidencial të Manilës.
I shkurtër fjalimi i Atit të Shenjtë, por preku aspektet më të rëndësishme të shoqërisë
filipinase, e cila 500 vjet më parë u njoh për herë të parë me Ungjillin e Krishtit,
duke u bërë më pas vendi më katolik i Azisë.
Papa shprehu
keqardhjen e tij për vuajtjet, dëmet e shkatërrimet e shkaktuara nga tajfuni Jolanda.
Vështirësitë, nënvizoi, janë përballuar me forcë, me fe e me qëndresë heroike. Është
rasti që gjendja të shfrytëzohet për ta rindërtuar edhe më të bukur vendin, theksoi
Ati i Shenjtë:
“Sot, Filipinet, së bashku me shumë kombe të tjera të Azisë,
gjenden para kërkesës për të ndërtuar një shoqëri moderne, themeluar mbi baza të qëndrueshme,
një shoqëri që të respektojë vlerat e vërteta njerëzore, që mbron dinjitetin dhe të
drejtat e njeriut, bazuar në Zotin e, që të jetë gati për të përballuar probleme të
reja e të ndërlikuara etike dhe politike”.
Arritja e këtyre objektivave,
vazhdoi Papa Françesku, varet sidomos nga ndershmëria, integriteti dhe përgjegjësia
e administratorëve publikë për të mirën e përbashkët. Kjo është edhe rruga për t’u
transmetuar brezave të ardhshme një shoqëri, bazuar mbi drejtësinë, solidaritetin
dhe paqen:
“E domosdoshme për realizimin e këtyre objektivave kombëtare
është detyra morale për të siguruar drejtësinë shoqërore dhe respektimin e dinjitetit
njerëzor”.
Të gjithë popujt, theksoi Papa Françesku, e kanë për detyrë
ta dëgjojnë zërin e të varfërve dhe të thyejnë zinxhirët e padrejtësisë dhe të shtypjes,
bazë e pabarazive shoqërore të dukshme e shkandulluese. Pikërisht për këtë arsye,
ipeshkvijtë e Filipineve e kanë shpallur vitin 2015 si “Vitin e të varfërve”. Themelor,
edhe për luftën kundër varfërisë, sipas Papës, është roli shoqëror i familjes:
“Është
familja, vendi ku fëmijët rriten me vlera të shëndosha, me ideale të larta e me kujdes
të sinqertë për të tjerët. Por, si të gjitha dhuratat e Zotit, familja mund edhe të
shpërfytyrohet e të shkatërrohet. Ajo ka nevojë për mbështetje”.
Demokracitë
tona, përfundoi Papa, duhet ta mbrojnë dinjitetin e njeriut, lirinë e ndërgjegjes
e të fesë, të drejtën e patjetërsueshme për jetën, duke filluar nga fëmijët e palindur
akoma deri tek të moshuarit e të sëmurët. Ati i Shenjtë u kërkoi Filipineve të kontribuojnë
në mirëkuptimin e bashkëpunimin ndërmjet kombeve aziatike, në dialogun ndërfetar e
në respektimin e të drejtave të popullsive indigjene e të pakicave fetare.