2015-01-16 16:12:23

Papa: relativizmi dhe kultura e kalimtares e kërcënojnë familjen


Papa Françesku vijon vizitën e tij apostolike në Filipine, pasi përfundoi atë në Sri Lanka. Kulmi i ditës së sotme, qe pa dyshim takimi me familjet filipinase në Pallatin e Sportit “Mall of Asia Arena” në Manila. Mbërriti aty, pasi miliona njerëz e përshëndetën me entuziazëm të papërshkruar përgjatë rrugës me papamobil. Takimi pati formën e Liturgjisë së Fjalës, gjatë së cilës, Ati i Shenjtë foli me e pa letër, në anglisht e spanjisht, e dëgjoi edhe dëshminë e tri familjeve. Histori sakrificash e dhimbjesh, por edhe force e mbijetese. Ati i Shenjtë i ndoqi me vëmendje: që nga familja Dizon, me 40 nipër e mbesa e me 10 stërnipa, tek familja Pumarada, që mbeti e bashkuar pavarësisht nga emigracioni e, tek familja Cruz, me pesë fëmijë e me prindërit, të dy shurdhë. Vërtet, ata folën me gjuhën e shenjave.RealAudioMP3

Papa dëgjoi historitë e tri familjeve
Por qe historia e vetë Papës, që e bëri takimin të paharrueshëm. Pas fjalëve të para në anglisht për shën Jozefin, Ati i Shenjtë thirri përkthyesin e pa letër, shpesh në spanjisht, ndërthuri në koment copëza nga fëmijëria e nga jeta e vet. U dha të pranishmëve shembullin e shën Jozefit (marrë nga leximet liturgjike), duke komentuar çastin, në të cilin ju duk në ëndërr engjëlli, që i zbuloi vullnetin e Zotit e i tha ta merrte me vete shën Marinë. Është pushim e prehje në Zotin, tha Papa, për të cilin kemi nevojë të gjithë, sepse në ato çaste mund të kujtojmë familjen: nënën, babain, gjyshërit… ata, që përbëjnë dhuratë për jetën tonë. Është e rëndësishme ëndërra në familje, theksoi Ati i Shenjtë:
“Nuk është e mundur një familje pa ëndërr. Kur në familje humbet aftësia për të ëndërruar, fëmijët nuk rriten e dashuria nuk rritet, jeta fishket e shuhet… E edhe vështirësitë e jetës martesore zgjidhen nëse e ruajmë një hapësirë për ëndrrën, nëse ndalemi e mendojmë për bashkëshortin dhe ëndërrojmë mirësinë, që gjejmë në gjërat e mira. Është shumë e rëndësishme të gjallërohet gjithnjë dashuria, përmes ‘planit’ të çdo dite. Mos harroni kurrë të jeni bashkëshortë!”

Të prehesh në Zotin
E pastaj, Papa shpjegoi ç’do të thotë të prehesh në Zotin, ashtu si shën Jozefi, i cili flinte, por me mendjen e hapur për vullnetin e Hyjit. Në jetën e përditshme të një familjeje nuk është e lehtë të gjenden çaste pushimi, pranoi Ati i Shenjtë, çaste të domosdoshme për shëndetin e mendjes e të trupit, por edhe të shpirtit. Lutja na ndihmon:
“Të prehemi në lutje është veçanërisht e rëndësishme për familjen. Para së gjithash, është familja, vendi ku mësojmë të lutemi. Mos harroni: kur familja lutet së bashku mbetet e bashkuar. Kjo është e rëndësishme. Aty arrijmë ta njohim Zotin, të rritemi si burra e gra me fe, të ndjehemi anëtarë të një familjeje më të madhe të Zotit, të familjes së Kishës. Në familje mësojmë të duam, të falim, të jemi bujarë e të hapur e jo të mbyllur dhe egoistë”.
Prandaj është e rëndësishme familja, nënvizoi edhe një herë Papa, që tregoi një anekdotë personale. Tha se kur ka ndonjë nevojë të fortë, e shkruan atë në një copë letër dhe e vë poshtë shtatores së shën Jozefit, që mban në tavolinë, në mënyrë që shenjti ta shohë në ëndërr e ta lusë Zotin ta zgjidhë atë problem. Pasi të lutemi edhe ne për këtë, këshilloi Papa Françesku, duhet të zgjohemi e të veprojmë. Ashtu si shën Jozefi, që u çua, mori shën Marinë e Jezusin dhe i mbrojti.

Të çohemi, me Marinë e Jezusin
Edhe sot, Zoti e paralajmëron secilin prej nesh për rreziqet, ashtu siç i zbuloi shën Jozefit kërcënimet kundër Marisë e Jezusit. Por na kërkon edhe të çohemi e të mbrohemi prej tyre, sidomos prej ideologjive, që kërcënojnë familjen, të cilat, në rastin e Filipinive, vijnë shpesh nga jashtë:
“Pesha që rëndon mbi jetën e familjes sot, është e madhe. Këtu në Filipine, familje të panumërta vuajnë akoma nga pasojat e fatkeqësive natyrore. Gjendja ekonomike ka shkaktuar copëzimin e familjeve përmes emigracionit… e problemet financiare kërcënojnë shumë vatra. Ndërsa njerëz të shumtë jetojnë në varfëri të skajshme, të tjerë mbërthehen nga materializmi e nga stile jetese, që i shpërfytyrojnë jetën familjare dhe kërkesat themelore të moralit të krishterë. Këto janë ideologji kolonizatore. Familja kërcënohet edhe nga përpjekjet në rritje për ta ripërkufizuar institucionin e martesës përmes relativizmit, kulturës së kalimtares, mungesës së hapjes ndaj jetës”.

Të jemi zë profetik
Papa përmendi të Lumin Pali VI dhe Enciklikën e tij për familjen “Humanae Vitae”, duke i kërkuar t’i bekojë familjet nga qielli, pasi Filipinet, por edhe bota mbarë, ka nevojë për familje të forta. Përmendi edhe shën Gjon Palin II e impenjimin e tij të jashtëzakonshëm në favor të familjes. Ngrehuni me Jezusin e Marinë, u tha Ati i Shenjtë familjeve, e ndiqeni rrugën, që Zoti e ka caktuar për secilin prej jush, duke u bërë – e ky ishte aspekti i tretë që preku Papa Françesku – zë profetik në mesin e bashkësisë, si shën Jozefi:
“Kur familjet sjellin në jetë fëmijë, i edukojnë me fe e me vlera të shëndosha e u mësojnë atyre të kontribuojnë për të mirën e shoqërisë, bëhen bekim për botën. Familjet mund të bëhen bekim për gjithë botën. Dashuria e Zotit bëhet e pranishme dhe aktive përmes mënyrës me të cilën ne duhemi e përmes veprave të mira që kryejmë. Kështu e përhapim Mbretërinë e Krishtit në botë. Duke bërë kështu, jemi besnikë ndaj misionit profetik, që kemi marrë në Pagëzim”.

Viti i të varfërve në Filipine
Së fundi, Papa u kërkoi familjeve të kujdesen për më nevojtarët, sidomos gjatë këtij viti, që ipeshkvijtë filipinas ia kanë kushtuar të varfërve; u kërkoi të ndihmojnë ata, që kanë mbetur pa familje, sidomos të moshuarit e jetimët. Ndihmojini, tha Papa, ta kuptojnë se Zoti nuk i ka harruar. Si gjithnjë, ftesa për t’u lutur për vete e për Ipeshkvin e Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.