2015-01-16 11:48:25

Liturgjia e Fjalës e dielës së 2të gjatë vitit kishtar ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojë së bashku leximet biblike të dielës së 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Fjala e Zotit në këtë të diele na flet për thirrjen e Zotit: thirrjen e Samuelit që do të bëhet një profet i madh, thirrjen e apostujve të parë nga ana e Jezusit, thirrjen e secilit prej nesh që të bëhemi sipas Shën Palit, imitues të Krishtit. Sot liturgjia na fton të jemi dëshmitarë: Zoti na thërret, siç ka bërë për apostujt, ta ndjekim dhe ta përhapim në botë praninë e Tij. Tetëditëshja e lutjes për bashkimin e të krishterëve na tregon një fakt konkret të dëshmisë: të fillojmë ti eliminojmë ndarjet dhe moskuptimet në mes apostujve të Krishtit, në mënyrë që të jemi shenjë e bashkimit ndërmjet Kishave për botën.
Leximi i Parë ( 1Sam 3,3b-10.19)
Fol o Zot, se shërbëtori yt të dëgjon. Samueli i vogël nuk e njeh akoma Zotin. Falë mësuesit të tij, meshtarit Eli, do të jetë i udhëhequr për të dëgjuar zërin e Zotit.
Nga Psalmi 39.
Ja, unë vij o Zot për të kryer vullnetin tënd.
Edhe ne i drejtojmë Zotit “Ja-në” tonë nëpërmes lutjes Psalmit ( në seksionin Himnet në Meshë, himni i një refreni ......të psalmit).
Leximi i Dytë ( 1Kor 6,13c-15a. 17-20)
Gjymtyrët tuaja janë pjesë e Krishtit. Zoti na ka shpëtuar “me çmim të shtrenjtë”, nëpërmes vdekjes së tij në kryq. Shën Pali na fton të jetojmë në përputhje të qenurit tonë tempull i Shpirtit Shenjt.
Ungjilli (Gjn 1,35-42) E panë ku jetonte dhe qëndruan me të.
Takimi me Jezusin ndryshon jetën. Apostujt e parë e bëjnë këtë përvojë dhe nga ai moment për ta fillon një kohë e re, një mision i ri, një identitet i ri.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 1 Sam 3, 3-10.19
Përshkruhet thirrja e Hyjit drejtuar Samuelit. Pas dyshimeve të para, mungesës së përvojës dhe këshillave të të moshuarit Eli, djaloshi fillon të dëgjojë dhe t’i bindet Zotit, dhe nga ai moment kupton dhe pranon urdhërimet e tij. Fjala e Hyjit na paraqet me ngulm Samuelin që është gjithmonë i kujdesshëm ndaj zërit të Hyjit dhe nuk humbet asnjë fjalë të tij.
Lexim prej Librit të parë të Samuelit
Në ato ditë, Samueli po flinte në Tempullin e Zotit, aty ku ishte Arka e Hyjit. Zoti e thirri Samuelin. Ai iu përgjigj: “Urdhëro!” U lëshua vrap tek Heliu e i tha: “Urdhëro! Ti më thirre.” Heliu i tha: “Unë nuk të kam thirrur! Kthehu e fli!” Ai shkoi e ra të flinte. Zoti përsëri e thirri Samuelin. Samueli u ngrit, shkoi te Heliu e i tha: “Ja ku jam, sepse më thirre.” Ai iu përgjigj: “Nuk të kam thirrur, biri im. Kthehu e fli!” Samueli ende nuk e njihte Zotin. Fjala e Zotit ende nuk i ishte zbuluar. Por Zoti e thirri përsëri Samuelin për të tretën herë. Ky u ngrit e shkoi te Heliu e i tha: “Urdhëro, sepse më ke thirrur!” Atëherë Heliu e mori vesh se Zoti e kishte thirrur djaloshin dhe i tha Samuelit: “Shko e fli! Nëse të thërret përsëri thuaji: ‘Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt!’” Samueli shkoi e fjeti në vendin e vet të rëndomtë. Zoti erdhi e qëndroi pranë tij. E thirri siç e kishte thirrur më parë: “Samuel, o Samuel!” E Samueli u përgjigj: “Fol, shërbëtori yt dëgjon.” Samueli u rrit. Zoti ishte me të, e nuk lejoi që asnjë prej fjalëve të tija të shkonte hupëse. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 40
Ja, po vij, o Zot, për ta kryer vullnetin tënd
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,
dhe ai u prirë drejt meje, e vështroi britmën time. Në gojë më vuri një këngë të re, himnin e Zotit, Hyjit tonë.

Fli e dhurata ti nuk do,
vetë ma zbulove vullnetin tënd: fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, atëherë thashë: ‘Ja, po vij unë’.

Në Librin e Ligjit shkruan për mua:
“Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.
Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di

Leximi i dytë 1 Kor 6, 13-15.17-20
Shën Pali u kujton të krishterëve të Korintit dinjitetin e trupave të tyre, të cilët tani nëpërmjet pagëzimit, janë pjesë të Krishtit dhe tempull i Shpirtit Shenjt. Na kujton detyrën për të lavdëruar Zotin në trupin tonë me një sjellje të denjë të atyre që janë pjesë e trupit të Krishtit. Trupi, si tempull i Shpirtit, është i paracaktuar të bëhet vendbanim i Trinisë. Për këtë duhet të kemi kujdes për trupin.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, trupi nuk është për fëlligështi, por për Zotin, e Zoti për trupin. Tani, Hyji që e ngjalli Zotërinë me fuqinë e vet, edhe ne do të na ngjallë.
A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? A do t’i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e do t’i bëj gjymtyrë të një lavireje? Mos e thashtë Zoti! Kurse ai që shpirtërisht bashkohet me Zotin, është me Të një shpirt. Ikni prej fëlligështisë! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, kurse ai njeri që bën fëlligështi, mëkaton kundër trupit të vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit Shenjt që banon në ju që e keni prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes? Sepse jeni blerë me çmimin! Prandaj, jepni lavdi Hyjit në trupin tuaj! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Fol, o Zot, shërbëtori yt dëgjon. Ti i ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 1, 35-42
Apostulli Gjon na tregon për thirrjen drejtuar dishepujve të parë Andrea dhe Gjoni. Gjon Pagëzuesi duke u takuar me Jezusin fton dishepujt e tij të bëhen ndjekësit e parë të Mësuesit hyjnor. Jezusi përcaktohet si Qengji i Hyjit, Mësuesi, Mesia. Me pak fjalë janë përmbledhur natyra njerëzore dhe hyjnore e Krishtit Jezus. Hyji i fton njerëzit të bashkëpunojnë me Krishtin duke u ofruar miqësinë e tij dhe duke u kërkuar gatishmërinë e tyre.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Gjoni ishte bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe, kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Qe, Qengji i Hyjit!” Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën mbas Jezusit. Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata i përgjigjën:“Rabbi (që do të thotë: Mësues), ku banon?” “Ejani e shihni!” – u përgjigji. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës katër pasdite.
Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nis mbas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky më të parin gjeti vëllain e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë (që do të thotë: të Shuguruarin)!” Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” (që do të thotë: Pjetër-Shkëmb).
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më tepër mbi programin e liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu...RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.