Papa në udhëtim për Manila: “jo” dhunë në emër të Zotit, por as tallje me fenë
Në Filipine, “mesazhi do të jenë të varfërit”, sidomos mbështetja e viktimave të tajfunit
Jolanda. Kështu tha Papa Françesku në bisedën 45 minutëshe me gazetarët në avionin,
që nga Sri Lanka e çoi sot në arqipelagun më katolik të Azisë. Të rëndësishme, fjalët
e Atit të Shenjtë mbi ngjarjet e Parisit, kur theksoi se liria e shprehjes është “e
drejtë themelore”, por e tillë është edhe ajo e mospërqeshjes së fesë. Ndër temat
e prekura me gazetarët, pajtimi në Sri Lankë dhe Enciklika e ardhshme mbi temat e
ambientit, që mund të publikohet në verë. Të dëgjojmë informacionin e të dërguarit
të Radio Vatikanit, në udhëtim me Papën, Alessandro De Carolis: 00:03:56:88
“Drithërima përgjatë shtyllës kurrizore qe e përbashkët si për kronistët
ashtu edhe për kameramanët, kur Françesku, pyetjes mbi të drejtën e lirisë fetare
e atë të shprehjes, siç e ka zakon, nuk i bën bisht, por i përgjigjet drejtpërdrejt.
Pyetja vjen nga një gazetar francez e vë në shënjestër vlerësimin e Atit të Shenjtë
për ngjarjet e fundit në Paris. Këto liri, pohon Papa, ‘janë të dyja liri themelore’.
Por ashtu si ‘lajthit’ kush pretendon ‘të vrasë në emër të Zotit’, kështu edhe gabon
kush fyen fenë, duke valëvitur flamurin e së drejtës për të thënë ç’të dojë. Në këtë
pikë, Papa është pa mëdyshje: sigurisht, duhet thënë çdo gjë, që kontribuon në ndërtimin
e ‘së mirës së përbashkët’ e sigurisht, nuk duhet reaguar me dhunë kundër fyerjes,
ama, as ‘nuk duhet provokuar’. ‘Nuk mund të shahet feja e të tjerëve – ngul këmbë
– nuk mund të tallesh me fenë”, sepse ‘ka kufi’, ai i ‘dinjitetit’, që e zotëron çdo
fe. E ashtu si mund të kemi një reagim të keq, kur tallemi me diçka të shenjtë
për dikë, ashtu njeriu mund të mbetet viktimë e natyrës së shfrytëzuar tepër prej
tij. Një nga temat e konferencës së shtypit qe pikërisht Enciklika e ardhshme mbi
temën e ambientit. Papa Françesku dha lajmin, që pritej prej kohësh: dokumenti duhet
të jetë gati për qershor-korrik. Në fund të marsit, tha Ati i Shenjtë, do t’i kushtoj
një javë përfundimit të tekstit, i cili ka arritur në bocën e tretë. Pas së parës,
përgatitur nga kardinali Turkson, së dytës, rishikuar nga vetë Papa me ndihmën e ekspertëve,
boca e tretë është hartuar me kontributin e teologëve. Ky variant, tregoi Françesku,
është përmirësuar edhe nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, Sekretaria e Shtetit dhe
nga teologu i Shtëpisë Papnore. Papa dëshiron që Enciklika të vlejë si kontribut për
mbledhjen e ardhshme mbi ambientin në Paris. Takimi i shkuar në Peru, shtoi Papa Françesku,
‘më ka zhgënjyer’ për ‘mungesën e guximit’. Duke folur për etapën srilankeze të
udhëtimit apostolik, Papa Françesku shpjegoi se përsa u përket shpalljes së shenjtorëve
të rinj, preferon “ungjillëzuesit e mëdhenj”. Kështu do të ndodhë në shtator, kur,
gjatë udhëtimit në SHBA-të, do të shpallë shenjt Junipero Serra, i cili çoi Ungjillin
në perëndim të vendit. Të fuqishme edhe fjalët për përdorimin e të rinjve e fëmijëve
si kamikaze, praktikë e njohur në konfliktin e Sri Lankës. Përveç problemeve psikike,
Françesku nënvizoi se sheh ‘një çekuilibër njerëzor’ në atë që vendos të vetëvritet,
për të vrarë të tjerët. Kamikaze, tha, është njeri që jep jetën, por nuk e jep për
të mirën, në ndryshim nga shumë misionarë, që kanë dhënë jetën, por për të ndërtuar
diçka të mirë. Gjithsesi, për Papën, t’i vendosësh një bombë në brez një fëmije s’është
tjetër, veçse një mënyrë e tmerrshme për ta kthyer atë në skllav. I pyetur për
atentatet e mundshme kundër tij, ose kundër Vatikanit, Françesku tha se ka frikë sidomos
për njerëzit, që shkojnë ta takojnë. Ndërsa për veten, duke buzëqeshur, nënvizoi se
e përballon këtë rrezik ‘me një dozë të mirë pavetëdije’. Mënyra më e mirë për t’iu
përgjigjur dhunës, theksoi, është butësia. Papa përmendi se edhe fetë e tjera punojnë
kundër terrorizmit”.