Sot më 15 janar kalendari Kishtar përkujton shën Palin, vetmitar i parë. Shën Pali,
themelues i vetmitarëve, lindi në Tebaidën e poshtër rreth vitit 234. Në moshën 15
vjeçare iku në shkretëtirë, si Jezu Krishti, për të jetuar në varfëri të plotë, larg
çdo pasurie e lakmie njerëzore. Zgjodhi një shpellë për banesë; një palmë për ushqim
e veshmbathje; një gurrë uji për të shuar etjen; një copë bukë, që ia sillte një korb
çdo ditë nga qielli, për të zgjatur jetën e tij të mrekullueshme. E kështu Shën Pali
vetmitar i shërbeu për shumë vjet, krejtësisht larg botës e i panjohur për të, Atij
që s’gjeti vend ndërmjet njerëzve e u detyrua të shkonte për të lindur në një shpellë.
Po
Pali nuk ishte vetëm: në shpellën e tij banonte edhe Zoti. Kështu me të filloi jeta
e eremitëve apo vetmitarëve të cilët, për folur me Zotin, hoqën dorë nga shoqëria,
madje edhe nga çdo lloj takimi me njerëzit. Ishin engjëj tokësorë, ndër të cilët u
duk, për t’u dhënë mësim shekujve të ardhshëm, pushteti e pasuria e Zotit, që i mjafton,
edhe e vetme, çdo krijese. Mrekullohemi para figurave si ajo e Shën Palit vetmitar,
përmes të cilave shikojmë sesi misteri i Zotit të mishëruar mundi ta lartojë natyrën
njerëzore të rënë nën skllavërinë e ndjenjave, të dehur nga etja e pashuar për të
mira tokësore. E megjithë jetën thellësisht të vetmuar, megjithë kundrimin mbinjerëzor,
njerëzit si Shën Pali nuk u shkëputën kurrë nga Kisha dhe nga betejat e saj të lavdishme.
Nga thellësia e shpellës së tij, i ndriçuar nga një dritë e mbinatyrshme ndiqte luftërat
e Kishës kundër arianizmit, bashkohej me mbrojtësit e Fjalës së Mishëruar të Hyjit,
i kundërvihej çdo sulmi të pabesë kundër Zotit.
Emri i Palit, atë i vetmitarëve,
lidhet ngushtë me atë të Shën Andout Abat, atit të Çenobitëve apo të njerëzve që mbylleshin
gjithë jetën në kuvende. Që të dy mënyrat e jetesës burojnë nga e njëjta gurrë, nga
Grazhdi i Betlehemit.
Shën Pali vetmitar jetoi në shkretëtirë 113 vjet. Trupi
i tij i vdekur u mbart në Kostandinopojë nën perandorinë e Manuel Komnenit, më pas
në Venedik e në bashkësinë e vetmitarëve të Budës, në Hungari. Jetën e tij e shkroi
Shën Jeronimi në vitin 376.