2015-01-15 14:37:32

Lombardi: udhëtimi i Papës Françesku në Sri Lanka i hapi zemrat ndaj shpresës


Sot në mëngjes, pasi u lut në kapelën kushtuar Zojës së Lankës në Bolaualana, në Institutin Kulturor “Benedikti XVI”, Papa Françesku u largua nga Sri Lanka, duke lënë pas emocione e shpresë. Për një bilanc të kësaj pjese të udhëtimit, i cili po vazhdon në Filipine, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, që vë në dukje për ne, disa ngjarje të paparashikuara:RealAudioMP3

Qenë tre ngjarje të thjeshta, por domethënëse, që iu shtuan programit, siç ndodh shpesh. E para qe vizita e kortezisë e ish-presidentit, së bashku me të vëllain e me bashkëshortet përkatëse. Meqenëse pati qenë pikërisht ish-presidenti, që e ftoi Papën në Sri Lankë, ishte normale që të dëshironte ta përshëndeste. Është shenjë pozitive, sepse edhe tani, një pjesë e madhe e popullsisë votoi për këtë president. Është shenjë harmonie e ndryshimi të qetë në politikën e vendit. Ndërkaq, patëm edhe vizitën e mbrëmshme të Papës në tempullin budist, pasi një nga përfaqësuesit e budizmit i tha Atit të Shenjtë në aeroport, se donte ta takonte. E Papa shkoi mbrëmë në tempull, ku u prit me shumë përzemërsi e ku iu shpjeguan shumë gjëra. Për të hapën Stupën, ku mbahen reliket, para shtatores së Budës. Zakonisht, e hapin vetëm një herë në vit. Ngjarja e tretë ishte takimi me ipeshkvijtë në kryeipeshkvi, parashikuar për paraditen e djeshme, por i parealizuar, sepse Papa ishte i lodhur. Por, pas vizitës në shenjtëroren e Madhu-së, Ati i Shenjtë deshi t’i takonte, në shenjë miqësie e simpatie. Madje iu desh të priste, sepse ipeshkvijtë patën probleme në kthim nga Madhu e arritën vonë. Gjithsesi, qe një takim i shkurtër, por i përzemërt e simpatik.

Dje, dita u karakterizua sidomos nga kremtimi eukaristik për shpalljen e shenjtit të ri, Jozef Vaz…

Po, Papa tha dy fjalë e shpjegoi edhe kuptimin e këtij kanonizimi, që për të, do të thotë ungjillëzim, sepse Jozef Vaz është figurë e bukur ungjillëzuesi. Kjo qe ngjarja qendrore e vizitës papnore në Sri Lankë. Qe përgatitur jashtëzakonisht mirë nga Kisha vendase, e cila i mblodhi besimtarët në lutjen e mbrëmjes, para shenjtërimit, dhe u hapi dyert e rrëfyestoreve. Besimtarët u rrëfyen deri në mëngjes, deri para meshës.

Në fund të kremtimit, dhurata e besimtarëve të Sri Lankës për Atin e Shenjtë…

Kardinali tha diçka shumë të bukur. Tha: “Ne jemi vend i varfër, por edhe ne duam ta ndihmojmë Papën për të bërë bamirësi”. Kështu, i dha Atit të Shenjtë çekun prej 70 mijë dollarësh, mbledhur nga besimtarët, si shenjë kujdesi për angazhimin e Papës për të varfërit. Ky është solidariteti ndërmjet të varfërve, përmes figurës së Atit të Shenjtë. E Françesku i dha kardinalit një dokument të lashtë, shumë interesant, që ka të bëjë me historinë e Kishës në Sri Lankë: një dekret të mbretit Kandy, që ishte mbreti budist i qendrës së ishullit, i cili autorizonte eprorin e atëhershëm të Kongregatës së Oratoriumit, ku bënte pjesë shën Jozef Vaz, të shpallte Ungjillin e të ndërtonte kisha. Gjithashtu, lejonte budistët e mbretërisë së tij të ktheheshin në krishterim, nëse dëshironin. Kjo, në fund të viteve ‘600. Ky dokument është shkruar në një pllakë të hollë bakri dhe iu soll Papës Leoni XIII nga kryeipeshkvi i Cejlonit. Ipeshkvijtë e Sri Lankës e kërkuan, pasi është i rëndësishëm për historinë e tyre e Papa ua çoi sërish kopjen e përsosur të tij.

Dje pasdite, Papa Françesku shkoi për t’u lutur në shenjtëroren e Zojës në Madhu. Gjon Pali II nuk mundi të shkonte, e as Pali VI. Shihet si simbol pajtimi në vend…

Më shumë se simbol pajtimi është një shenjtërore mariane shumë e dashur. Askush nuk thotë “shkojmë për të bërë një akt pajtimi në atë vend”, por “shkojmë në atë vend, sepse e duam shumë Zojën e kështu, do të ndjehemi më afër e do të jemi në gjendje për pajtim”. Fjalët e Papës Françesku në shenjtërore qenë më impenjativet e këtyre ditëve. Foli për faljen, që është thelbi i mesazhit të krishterë, sepse kështu shërohen rrënjët e së keqes, të mëkatit, të konfliktit e të përçarjes. Nuk ka vend më të mirë për ta thënë këtë, sepse në këtë shenjtërore, spontanisht, shkojnë të gjithë: të krishterë, tamilë e cingalezë, budistë, hinduistë… Shkojnë tek Nëna e përbashkët.

Atë Lombardi, për ta mbyllur: sinteza e këtyre dy ditëve në Sri Lankë…

Papa dha vërtet një kontribut të jashtëzakonshëm, do të thosha, shumë më të madh nga sa mund të imagjinohej. I ndihmuar nga fakti se zgjedhjet u zhvilluan pa probleme e ndryshimet sollën shpresë në popullsi, Papa foli për pajtim, për ndërtimin e një shoqërie të paqtuar, duke e bërë të prekshme shpresën se kjo mund të bëhet realitet. Kisha u tregua shumë aktive, e pranishme, e aftë, prandaj do të jetë në gjendje të përfitojë nga trashëgimia e këtij udhëtimi e nga mesazhet, që Papa ia besoi asaj për të mirën e përbashkët të gjithë shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.