2015-01-15 12:49:57

Kardinali Tagle: Papa në Filipine, për t’u takuar me të varfërit


Papa Françesku u largua sot nga Sri Lanka e shkoi në Filipine, etapa e dytë e udhëtimit të tij apostolik në Azi. Është hera e katërt që një papë shkon në arqipelag: i pari qe Pali VI, 45 vjet më parë; e ndoqi Gjon Pali II në vitin 1981 dhe në vitin 1995. Papa Françesku, ashtu si Papa Montini në vitin 1970, gjen një vend të goditur nga tajfuni. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Manilës, kardinalin Luis Antonio Gokim Tagle, i cili, në mikrofonin tonë, kujton sidomos vizitën e Palit VI:RealAudioMP3

Filipinet, sa po e merrnin veten nga një tajfun në atë kohë e kujtimet e mia janë akoma të qarta: pemët e zhveshura, pa asnjë gjethe, bulevardet e pastruara shpejt e shpejt për mbërritjen e Papës, rrugët e shtruara rishtas e kështu me radhë… Ashtu si tani, me vizitën e Papës Françesku, Filipinet ishin shkatërruar nga tajfuni. Por njerëzit ishin plot entuziazëm dhe e pritën Palin VI si hir nga qielli. Ai deshi të shkonte tek të varfërit: vizitoi familjet e varfëra në lagjen Tondo të Manilës, e njohur për varfërinë e saj, e aty, e kujtojnë edhe sot e kësaj dite. Kur pata shkuar në famulli për një festë fetare, famullitari dhe besimtarët më treguan shtëpinë, që pati vizituar Pali VI. Kujtimet, imazhet e rezultatet e asaj vizite janë akoma aty, edhe pas 45 vjetësh. Pastaj, Pali VI përuroi Radio Veritas, që filloi ungjillëzimin e Azisë përmes valëve radiofonike. U takua me ipeshkvijtë e me inkurajimin e tij, në Manila, lindi Federata e Konferencave Ipeshkvnore të Azisë. Në një farë mënyre, ishte si të vinte Koncili II i Vatikanit në Azi.

Nuk janë shumë ata që e shikojnë lidhjen ndërmjet papnisë së Palit VI dhe asaj të Françeskut. Ju e bëni këtë?

Oh po, e bëj! Kur njerëzit thonë, si pozitivisht, ashtu edhe negativisht: ‘Papa Françesku po bën një revolucion, po dialogon, po përqafon të varfërit’, unë them se e kam parë këtë që në Palin VI, në udhën e tij, në personalitetin e tij. Atë intuitë, atë këndvështrim, që Papa Françesku duket se e ripropozon, e kam përjetuar si dëshmitar gjatë studimeve dhe gjatë takimeve të mia me Palin VI në Filipine. Gjestet simbolike të Palit VI duket se i kanë hapur udhën Papës Françesku.

Një nga polemikat, që shoqëron udhëtimet e Papës, i cili pritet edhe si personalitet shtetëror, është kostoja e përgatitjeve. Por Françesku ju ka thënë të shpenzoni pak, a s’është kështu?

Po, kjo është karakteristika e vizitave të tij papnore. E njëjta gjë në Kore. Ipeshkvijtë koreanë na thanë ne filipinasve, që ishim në Kore për vizitën, se Papa nuk do të ishte i kënaqur me përgatitjet madhështore. Edhe elteri duhej të fliste për përkorje, që është shenja e thjeshtësisë së këtij Pape. Prandaj, pavarësisht se filipinasit janë shumë bujarë e duan t’i bëjnë të gjitha nderet, u vumë fre. Të gjitha fondet e pashpenzuara për vizitën papnore do të shkojnë për bamirësi. Papa ka qenë shumë i qartë për këtë.

Ati i Shenjtë vjen të takohet me të varfërit, por sidomos me të dëmtuarit nga tajfuni, që nuk është i vetmi në Filipine…

Po, jemi mësuar me tajfunet. Mesatarisht, kemi 20-22 në vit. Bien edhe tërmete… Por siç kam thënë shpesh, nuk duhen harruar tajfunet e përditshme, që shkaktohen nga varfëria, korrupsioni, nga marrëveshjet tregtare të paleverdisshme e nga praktikat në dëm të popullit. Varfëria është pjesë e familjes, ndikon në indin e saj. Kam vizituar një shtëpi për fëmijë e të rinj, të cilët ishin strehuar aty, pasi i kishin parë të silleshin nëpër rrugë gjatë natës. Kuptova atëherë se prindërit e tolerojnë këtë, pasi shpresojnë se agjencitë qeveritare do t’i marrin fëmijët e tyre e do t’i strehojnë e ushqejnë nëpër këto shtëpi. Nuk janë prindër, që s’kujdesen për fëmijët. Janë prindër, që s’kanë çfarë t’u japin për të ngrënë e atëherë u thonë: ‘Pse nuk del jashtë, të sheh policia e të çon në shtëpinë e pritjes. Aty do të jesh i sigurtë për natën. Të paktën për këtë natë, do të kesh ushqim e strehë”.

E takimi me këtë gjendje, karakterizon edhe vizitën e Papës…

Takim me shumë vuajtje. Por mesazhi i krishterë nuk përfundon me vuajtjen, ka gjithnjë ringjallje. E shpresoj se Ati i Shenjtë do ta shohë këtë ndër ata që kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.