2015-01-14 13:29:31

Prof. Anton Berisha: Vlera e Kuvendit të Arbërit


Kuvendi i Arbënit u mbajt më 14, 15 dhe 16 janar të vitit 1703
në Mërqi të dioqezës së Lezhës. Në atë kohë trojet e Arbërisë kishin
hyrë në qindvjetshin e tertë të sundimit të egër otoman. Bota
shqiptare kishte pësuar e po pësonte në rrafshe të ndryshme, sidomos
në atë shpirtëror. Një pjesë e madhe e popullsisë së Dheut të Arbërit
ishte myslimanizuar dhe procesi po vijonte me një rrjedhë të
përshpejtuar. Pushtuesi kishte përdorur mënyra të ndryshme për ta
detyruar popullsinë që, me një anë t’ua ndërronte besimin e krishterë
dhe, më anë tjetër, t’i detyronte arbërorët të hiqnin dorë nga
trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e tyre. Pikërisht duke pasur
parasysh gjendjen e tillë Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare, ia
ngarkoi për detyrë kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajevikut, të
bënte një vizitë baritore në trojet e Arbërisë së atëhershme dhe t’i
bënte atij të ditur për gjendjen e kryeipeshkvive, ipeshkvive dhe
kishave katolike.
Të dhënat e pandërmjeme, që kryeipeshkvi i Tivarit, Zmajeviku,
ia dërgoi Papës Klementit të njëmbëdhjetë, ishin shqetësuese: besimi
dhe institucionet e krishtera në trojet arbërore ishin në zgripc të
rrënimit të plotë:
Unë iu përmbajta urdhrit, iu solla dheut rreth e rreth e gjithë
mbarë e kërkova dhe i pashë nevojat e Shqipërisë. Pashë vuajtje
shumë! Qytetin, që më parë qe i pari i gjithë vilajeteve, vënë
nën haraç, Zojën e njerëzve me futë në krye, kalanë e trimave të
rrënuar, murin e mbrojtjen e forcës sonë qartur e prishur; pashë
të pafetë hyrë në vend të shuguruar; kishat përlyer, lëterët ndyrë
sa mezi pashë një vend, ku mund të mblidhej populli në tubim.
Pashë pleqtë duke vajtuar, meshtarët, shërbëtorët e Zotit, duke
qarë e duke lotuar; barinjtë travajuar, dhentë shpërndarë e
tretur nëpër pyll; pashë murtajën që mbytte gjind e bënte kërdi
të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë dhe
gjimova: zemra, bashkuar me mjerimet e popullit tim, donte të
më ndahej përgjysmë, nga i shihja bijtë e mi në rrezik të bjerrin
fenë.”
Është e pamëdyshtë se Kuvendi i Arbënit i vitit 1703 u mblodh
me qëllim që institucionet, përkatësisht kryipeshkvijt, ipeshkvijt,
famullitarët dhe misionarët katolikë t’i bashkojnë forcat dhe të përcaktojnë punën dhe detyrat konkrete për ndërrimin e gjendjes së
mjerueshme të kishave katolike dhe të besimtarëve katolikë në
Arbërinë e atëhershme. Mirëpo, meqenëse në atë kohë në botën
shqiptare mungonte shteti dhe organizimi shtetëror përkatës, atëherë
qëllimi dhe rëndësia e këtij Kuvendi merr një përmasë e karakter
gjithëkombëtar, pra ai lidhet me qenien dhe qenësinë arbërore në
përgjithësi. Këtë e përligjin edhe dokumentet e Kuvendit, qoftë ato që
i paraprijnë, qoftë vendimet ose dekretet që u morën në të.
Çështja që e përligj rëndësinë e shumëfishtë kombëtare, kulturore e letrare të dokumenteve të Kuvendit të Dheut të Shqipërisë
ndërlidhet me të dhënën se në to analizohet gjendja konkrete
shpirtërore e morale e shqiptarëve katolikë në Arbëri dhe përcaktohet
veprimi për rimëkëmbjen dhe pasurimin shpirtëror të njeriut, ose siç
thuhet në kreun e gjashtë të Pjesës së katërt të Dekreteve “t’u bihet
mbrapa nevojave që ka dheu ynë.” Në të vërtetë, përgatitja e
besimtarëve për fe, njohja dhe zbatimi i Dhjetë urdhërimeve të Hyjit,
domosdoja e mirësjelljes, e mirëkuptimit dhe e mirëqenies përballë
Hyjit dhe përballë njeriut vëlla – pra, siç theksohet në Letrën – ftesën
e Zmajevikut drejtuar kryeipeshkvijve dhe ipeshkvijve shqiptarë për të
marrë pjesë në Kuvendin e Arbënit “të mbahet e të shumohet feja në
Shqipëri, të hiqen veset e këqija e të shkulën zakonet e mbrapshta”,
dëshmojnë rëndësinë shpirtërore, kulturore dhe kombëtare të
dokumenteve të këtij Kuvendi.
Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e Kuvendit të Arbënit
të vitit 1703 dhe të vendimeve që u morën aty, përfaqësuesit e Kishës
katolike i botuan Dokumentet e Kuvendit në dy gjuhë: latinisht dhe
me përkthimin shqip. Përkthimin në shqip të botimit të parë të vitit
1706 në Romë, sipas gjurmimeve të atë Vinçenc Malajt, e bëri Atë
Egidio Quinto d’Armento, misionar papnor në Shqipëri me seli në
Grudë, ndërsa qortues i tekstit të përkthyer qe Atë Francesco Mario
Da Lecce, autori i gramatikës së parë të gjuhës shqipe, të botuar më
1716.
Pra teksti i përkthyer në shqip nga misionari Egidio Quinto
d’Armento, në të cilin padyshim duhet të ketë futur fjalë, shprehje e
fraza nga e folmja e Grudës dhe e Malësisë, të gërshetuar pastaj edhe
me fjalë e shprehje nga pjesa tjetër e shqipes, që e dinte Da Lecce,
përligj një formë të gjuhës shqipe të shkruar nga autorë të huaj.
Se botimi i dokumenteve të Kuvendit të Arbënit kishte një
rëndësi të shumëfishtë fetare – shpirtërore e kulturore, dëshmon dhe
ribotimi i tyre më 1868, po ashtu në Romë, që është ribotim i vitit
1706. Përkundër faktit se ishin bërë këto dy botime të dokumenteve të
Kuvendit të Arbënit, institucionet përkatëse të Kishës katolike
vendosen të bëjnë një përkthim të ri të tyre. Kjo punë iu besua priftit
shkodran, Engjëll Radojës, i cili e mbaroi përkthimin më 1867 dhe e
botoi në Romë më 1872. Pra, është rasti i parë në historinë e
shkrimeve shqipe - të njohura deri më sot – që dokumentet e natyrës
së tillë të botohen tri herë, me dy përkthime të ndryshme.
Në përkthimin e Engjëll Radojës kemi një gjuhë më të pasur, më
të qëndrueshme dhe një sintaksë më të natyrshme. Edhe pse
përkthyesi Radoja qahet për vështirësitë që i kishin dalë gjatë
përkthimit dhe përdor fjalë të turqishtes, megjithatë ai bëri një
përkthim cilësor si strukturë gjuhësore shprehëse dhe sintaksore në
krahasim me përkthimin e parë.
Me rastin e kremtimit të 300 – vjetorit të Kuvendit të Arbënit,
Kryeipeshkvia e Tivarit, përkatësisht kryeipeshkvi i Tivarit mons, Zef
Gashi, i botoi për herën e katërt Dokumentet e Kuvendit të Arbënit.
Kështu në një vëllim të vetëm u përfshin tri versionet e botimeve të
mëparshme dhe këtyre iu shtua edhe versioni i katërt – përshtatja në
gjuhën e sotme shqipe. U veprua në këtë mënyrë për disa arsye.
E para: që dokumentet të botohen pa ndryshime sipas botimeve
të para (1706 dhe 1868), pra me tekstin latinisht dhe me përkthimin
në gjuhën shqipe dhe me përkthimin e Engjëll Radojës, sipas botimit
të vitit 1872 dhe t’u bëhet e mundur lexuesve e studiuesve të sotëm t’i
ketë ato në formën burimore, pra të pandryshuara dhe si të tilla, të
mund t’i shfrytëzojnë.
E dyta: Meqenëse gjuha e përdorur në përkthimet në gjuhën
shqipe dhe grafitë e ndryshme e vështirësojnë leximin dhe kuptimin e
dokumenteve, Ipeshkvia e Tivarit vendosi që brenda tri versioneve –
tekstit në gjuhën latine, tekstit të përkthimit të parë dhe tekstit të
përkthimit të dytë – të fusë edhe përshtatjen në gjuhën e sotme të
përkthimit të Engjëll Radojës.
Në Fjalën paraprake të këtij botimi prej 500 faqesh, imzot Zef
Gashi thekson: “Për të dëshmuar në një rrafsh më të gjerë rëndësinë e
madhe dhe vlerat e shumta të Kuvendit të Arbënit, po i nxjerrim në
dritë Dokumentet e botuara më 1706 (latinisht dhe përkthimin shqip)
dhe përkthimin e dytë, të bërë nga Engjëll Radoja, të botuar më 1872
në dy versionet: tekstin origjinal të përkthimit dhe përshtatjen në
gjuhën standard, që lexuesi i sotëm t’i ketë, t’i kuptojë në mënyrë sa
më të plotë dhe të mund të bëjë krahasime nga aspekte të ndryshme.”
Rëndësia e këtij botimi të bërë gjatë vitit të kremtimit të 300 –
vjetorit të Kuvendit të Arbënit lidhet me rëndësinë e dokumenteve, të
cilët në shumë pikë kanë ruajtur rëndësinë dhe aktualitetin, qoftë si dëshmi e kohës, si mesazh i pasurimit shpirtëror e fetar, qoftë si
pasuri gjuhësore e kulturore. Pra, dokumentet janë të dobishme për
njeriun tonë edhe sot, pa marrë parasysh përcaktimin fetar. Kjo
përligjet nga fakti se në letrat e Vinçenc Zmajevikut, në ligjëratën që e
mbajti në Kuvend dhe në vendimet – dekretet që u morën në këtë
tubim të lartë me qëllim që “t’u bihet mbrapa nevojave që ka dheu ynë” dhe “të mbahet e të rritet pra feja e shenjtë e të sillen mbarë veset” përdorën struktura të tilla gjuhësore shprehëse, ku nuk mungojnë konotime të ndryshme e të shumta kuptimore, cilësi kjo para së gjithash e teksteve letrare poetike. Pra, në letrat dhe në tekstin e fjalës në Kuvend,
Zmajeviku përdori një gjuhë të zgjedhur dhe një stil të ngritur, gjë që
vërehet edhe në vetë tekstin e dekreteve.
Përdorimi i gjuhës së zgjedhur dhe i stilit të lartë shtjellues dhe
shprehës në këto dokumente lidhet me të dhënën se në kohën e
mbajtjes së Kuvendit të Arbënit, por dhe më parë, hartimit të letrave
dhe të dokumenteve të ngjashme u kushtohej kujdes i shtuar.
Pikërisht një përcaktim i këtillë i hartimit të letrave kushtëzoi shpesh
që ato të cilësohen edhe si krijime të vërteta poetike dhe si të tilla u
cituan edhe si shembuj për të provuar stilin poetik të shkrimtarit.
Gjuha poetike, e përshkuar me një ndjenjësim më të theksuar
përligjet sidomos në Fjalët që kryeipeshkvi i Tivarit, Zmajeviku, ua tha
të pranishmëve në Kuvend, ku simbolika dhe konotimi shumësor janë
tipare të rëndësishme.
Pa dashur të zgjatem rreth kësaj çështje, po sjell vetëm një shembull nga Fjalët që kryeipeshkvi i Tivarit ua tha të pranishmëve më 14 janar të vitit 1703 në Kuvend: “Qe, më në fund, o vëllezër fort të ndershëm, mbasi shkuan një tubë vjetësh, mbasi patëm pritur tash sa mot, në fund qielli u çel e na e fali shiun e toka gufoi e na dha gazmendin, gazin dhe kënaqësinë. Në këtë robëri tonën, që i përngjet asaj të çifutëve
në Bagdad, Zotynë na i pa nevojat tona prej së larti; e ai është që i ndërron zemrat e të mëdhenjve dhe hijen e zezë të mordjes e sjell në dritë. Kjo e mirë njëmend erdhi prej Zotit të mëshirueshëm, që unë të mos ju shoh më të shpërndarë e me frikë, por t’ju shoh këtu mbledhur bashkë, porsi një ushtri e mnershme kundra armiqve tanë, e që unë t’ju flas me ngushëllim të madh të zemrës sime dhe me buzë të qeshur.”
Botimi i Kuvendit të Arbënit 1703 i bërë nga Konferenca ipeshkvore shqiptare është një ngjarje e rëndësishme, e cila jo vetëm mundëson njohjen e mirëfilltë të dokumenteve të kësaj ngjarje të rëndësishme, por ofron dhe mundësinë e studimit të gjithanshëm tyre.

1 (Kuvendi i Arbënit 1703. Versioni latinisht, dy përkthimet në shqip dhe përshtatja në gjuhën e sotme bërë nga Anton Nikë Berisha. 1Botuar Konferenca ipeshkvore shqiptare. Prishtinë 2003)
nga Prof. Anton Berisha







All the contents on this site are copyrighted ©.