2015-01-14 12:55:38

Papa shpall shenjt Vaz: liria fetare është e drejtë themelore


Dita e dytë e pranisë së Papës Françesku në Sri Lankë, gjatë udhëtimit të tij të shtatë apostolik, që do ta çojë edhe në Filipine. Rreth 500 mijë besimtarë morën pjesë sot në mëngjes, në meshën e kanonizimit të Jozef Vaz, shenjti i parë i Sri Lankës, 59 vjeçari, që ndërroi jetë në vitin 1711. Kremtimi u mbajt në parkun e Kolombos “Galle Face Green”, përgjatë Oqeanit Indian. Duartrokitje të fuqishme pasuan leximin e formulës, me të cilën Papa Françesku shpalli shenjtin e ri, lindur në Indi nga një familje portugeze e mbërritur në Sri Lankë për të mbështetur katolikët gjatë persekutimit të kalvinistëve hollandezë. Në përfundim të meshës, kryeipeshkvi i Kolombos, kardinali Ranjith, i dha Atit të Shenjtë një shumë prej 70 mijë dollarësh, që besimtarët e kanë mbledhur për veprat e bamirësisë së Papës.RealAudioMP3
Shën Jozef Vaz është nxitje për të vijuar rrugën e Ungjillit, është udhëheqje në rrugën e meshtarisë, është shembull për të kapërcyer ndarjet fetare e për t’i shërbyer paqes. Pak orë pas thirrjes për të mos e kthyer fenë në armë, drejtuar krerëve fetarë në takimin e djeshëm, Papa Françesku foli sërish për bashkimin ndërmjet feve, në mënyrë që të mos ushtrohet dhunë në emër të tyre. Vuri në dukje shembullin e shenjtit të ri, Jozef Vaz, i cili, për t’i shpëtuar persekutimit fetar, u detyrua të maskohej, t’i takonte fshehurazi besimtarët, gjithnjë, duke u përpjekur t’u qëndronte atyre afër shpirtërisht e moralisht:

“Inkuarajoj secilin prej jush ta shohë shën Jozefin si udhëheqje të sigurtë. Ai na mëson të dalim drejt periferive, për ta bërë të njohur e të dashur Jezu Krishtin kudo”.

Përmes kanonizimit të një figure kaq shembullore, të një misionari, që jetoi në periudha të trazuara, kur katolikët ishin pakicë, shpesh të përçarë, kur vuanin nën persekutim, Papa i kërkoi Kishës së Sri Lankës ta ndjekë shembullin e tij në shërbimin ndaj popullsisë, pa dallim race, besimi, përkatësie fisnore, kushti shoqëror, ose fetar. E pastaj, theksoi:

“Liria fetare është e drejtë njerëzore themelore. Çdo individ duhet të jetë i lirë për të kërkuar të vërtetën – i vetëm, ose bashkë me të tjerët – për të shprehur haptas bindjet e veta fetare, i lirë nga frikësimet e nga kushtëzimet e jashtme. Siç na mëson jeta e Jozef Vaz, adhurimi i vërtetë i Hyjit nuk sjell diskriminime, urrejtje e dhunë, por respekt për shenjtërinë e jetës, respekt për dinjitetin e lirinë e të tjerëve dhe impenjim plot dashuri për mirëqënien e të gjithëve”.

Është ky, shembulli i zellit misionar, që na dhuron shën Vaz, i cili mbërriti në Cejlon për të ndihmuar bashkësinë katolike, por me dashurinë e tij ungjillore preku këdo:

“Shën Jozefi dinte si ta paraqiste të vërtetën dhe bukurinë e Ungjillit në një kontekst shumëfetar, me respekt, përkushtim, këmbëngulje e përvuajtëri. Kjo është rruga edhe për ndjekësit e Jezusit sot. Jemi të thirrur të ‘dalim’ me të njëjtin zell, me të njëjtin guxim… Jemi të thirrur të jemi dishepuj misionarë”.

Këshilla e fundit e Papës për të krishterët e Sri Lankës, gjatë meshës së shenjtërimit të shën Jozef Vaz, ishte të japin një kontribut edhe më të madh për paqen, drejtësinë dhe pajtimin në shoqërinë e vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.