2015-01-14 14:53:18

Papa në Shenjtëroren e Madhu-së: pas luftës, Zoti sjelltë shërimin e plagëve


Lufta në Sri Lankë, që përfundoi në vitin 2009 pas një konflikti 30 vjeçar, ka sjellë shumë dhunë, urrejtje e shkatërrim. Por, në shembullin e shën Marisë, e cila, nën Kryq, fali vrasësit e Birit të saj, Jezus, të gjithë srilankezët – tamil e cingalezë – duhet të gjejnë frymëzim e forcë për të ndërtuar një të ardhme në pajtim, drejtësi e paqe. Është ky, urimi i Papës Françesku, i cili vizitoi sot Shenjtëroren mariane të Zojës së Madhu-së, në veri të Sri Lankës. Pikërisht për shkak të konfliktit, ky vend nuk ka qenë pjesë e itinerarit të Papëve të tjerë, që kanë udhëtuar për Sri Lankë, Papës Pali VI dhe Papës Gjon Pali II.RealAudioMP3
Falje e pajtim
Konflikti u përmend edhe nga Ati i Shenjtë, Bergolio, i cili nga shenjtërorja e dioqezës së Mannar-it, ku shumica e popullsisë janë tamil, përshkoi me fjalë vitet më të përgjakshme të historisë srilankeze, ato të luftës ndërmjet kryengritësve tamil dhe forcave qeveritare cingaleze. Maria, tha Papa, do ta udhëheqë tani popullsinë drejt pajtimit të vërtetë, që balsami i faljes së Zotit të sjellë vërtet shërimin e plagëve për të gjithë.
Ati i Shenjtë erdhi në Madhu nga kryeqyteti Kolombo me helikopter e u shoqërua me këngë e valle deri në shenjtërore. I dhuruan, sipas traditës, një kurorë me orkide, ndërsa Papa Françesku, para 500 mijë besimtarëve, lëshoi në ajër një pëllumb të bardhë dhe u kërkoi të dyja bashkësive srilankeze të rigjejnë unitetin e humbur. Të pranishëm, një grup familjesh të sprovuara rëndë gjatë luftës:

“Vetëm kur arrijmë ta kuptojmë, në dritën e Kryqit, të keqen që jemi të zot ta bëjmë e madje, në të cilën kemi marrë pjesë, vetëm atëherë mund të provojmë keqardhjen dhe pendimin e vërtetë. Vetëm atëherë jemi gati për të marrë hirin e afrimit me njëri-tjetrin, me pendesë, duke dhënë e duke kërkuar faljen e vërtetë”.

Zoja gjithnjë pranë popullit
Në këtë përpjekje të vështirë për të falur e për të gjetur paqen, na udhëheq Maria, tha Ati i Shenjtë. Ajo i ka qëndruar gjithnjë pranë popullit. Ajo është nënë në çdo shtëpi, në çdo familje të plagosur, nënë e të gjithë atyre, që përpiqen të kthehen në një jetë paqësore, nënvizoi Papa:

“Shumë njerëz, njëlloj, nga veriu apo nga jugu, u vranë gjatë dhunës së tmerrshme e gjatë gjakderdhjes së atyre viteve. Asnjë srilankez nuk mund t’i harrojë ngjarjet tragjike, që lidhen me këtë vend, apo ditën e trishtuar, në të cilën shtatorja e nderuar e Marisë, e cila është e pranishme që me mbërritjen e të krishterëve të parë në Sri Lanka, u hoq nga kjo shenjtërore”.

Vetëm Jezusi i shëron plagët
Si shtatorja e Marisë, që u kthye në shtëpinë e vet pas luftës, vazhdoi Papa, lutemi që edhe bijtë e bijat e saj srilankezë të kthehen në shtëpinë e Zotit me frymën e pajtimit e të vëllazërimit në shpirt:

“Pas kaq shumë urrejtjeje, kaq shumë dhune e shkatërrimi, ta falenderojmë Zojën që të vazhdojë të na çojë tek Jezusi, i vetmi, që ka fuqinë të shërojë plagët e hapura e t’u kthejë paqen zemrave të copëtuara”.

Ta falenderojmë Marinë
Papa iu lut Zojës të ndërhyjë për hirin e mëshirës së Zotit dhe për kthimin e zemrave kah Hyji i Gjithpushtetshëm për shpërblimin e mëkateve e të të këqiave, që i kanë parë sytë tokës srilankeze:

“Sot të falenderojmë, sepse e ke mbrojtur popullin e Sri Lankës nga shumë rreziqe, të kaluara e të tashme. Shën Maria nuk i harron kurrë bijtë e saj në këtë Ishull të mrekullueshëm. Ashtu siç i qëndroi gjithnjë përkrah Birit të vet në Kryq, ashtu mbeti gjithnjë përkrah bijve të saj të vuajtur srilankezë”.

Tamil e cingalezë, një familje e vetme
Në shenjtërore, banesë e Nënës sonë, theksoi Papa Françesku, çdo shtegtar duhet ta ndjejë veten si në shtëpi. Të gjithë srilankezët, tamilë e cingalezë, si një familje e vetme i ofrojnë shën Marisë gëzimet e dhimbjet, shpresat e nevojat. Është Zoja, vazhdoi Ati i Shenjtë, që na çon tek Jezusi, prandaj Zoti është afër. Urimi i Papës, që vendosi mbi shtatoren e Zojës së Madhu-së një rruzare të artë si dhuratë, është që shenjtërorja, ku në të kaluarën janë strehuar të shpërngulurit e luftës, të jetë gjithnjë shtëpi lutjeje e strehë paqeje.
Së bashku me Papën, u lutën edhe besimtarët, të cilët kujtuan shenjtin e ri, Jozef Vaz, ndërsa ipeshkvi i Mannarit, pasi kujtoi 400 vjetët e historisë së shenjtërores, nënvizoi se, megjithëse e ndërtuar mbi një xhungël vërtet të ngatërruar, ajo mbetet vend shtegtimi e lutjeje për besimtarë, që vijnë këtu nga e gjithë bota.








All the contents on this site are copyrighted ©.