2015-01-12 14:28:46

Papa para Trupit Diplomatik: “Kultura e përjashtimit lind luftë, mikpritja, paqe!”


Papa Françesku e nisi me një lutje, fjalimin e tij tradicional të fillimit të vitit, drejtuar Trupit Diplomatik, akredituar pranë Selisë së Shenjtë: “Sot, nënvizoi që në fjalët e para, dëshiroj të tingëllojë me forcë një fjalë tepër e dashur për ne: Paqe!”. Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, pritur sot nga Papa Bergoglio, përbëhet nga ambasadorët e 180 Shteteve, që aktualisht kanë marrëdhënie të plota diplomatike me Selinë e Shenjtë. Këtyre u duhen shtuar Bashkimi Evropian, Urdhri Sovran i Maltës e një Mision me natyrë të veçantë, ai i Shtetit të Palestinës. Tema, që u zhvillua nga Papa Françesku deri në hollësi, në të gjithë fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, qe rast i përshtatshëm, për t’u ndaluar tek situata në botë. RealAudioMP3
Drama e jetës së Jezusit, dramë e jetës njerëzore
Papa e mori shtytjen nga figura e Shpellës së Betlehemit që, përveç paqes, flet edhe për një realitet tejet dramatik: atë të refuzimit. Mendimi i Françeskut shkoi te ikona e Lindjes së Krishtit e Andrej Rublëv, që nuk e paraqet Krishtin Fëmijë në djep, por në varr, për të lidhur Krishtlindjen me Pashkët, duke rrëfyer, kështu, se pranë e pranë me pritjen gazmore për lindjen e re, është e gjithë drama e jetës së Jezusit, deri në vdekjen mbi kryq.
Liderët myslimanë ta dënojnë çdo lloj interpretimi fundmentalist e ekstremist të fesë
Nuk i harroi as atentatet e Parisit, Papa, për të rikujtuar me forcë, pastaj, zhvillimet në Siri e Irak e për t’u kërkuar lidërve myslimanë ta dënojnë çdo lloj interpretimi fundamentalist e ekstremist të fesë. Vijoi, pastaj, me kritikën e kulturës individualiste, që e përjashton familjen.
Duke kujtuar rrëfimet mbi Lindjen e Krishtit, theksoi se që në çastet e para Krishti Fëmijë u përjashtua, u la jashtë, në acar. E nëse njerëzit u sollën kështu me Birin e Zotit, si do të sillen me vëllezërit e motrat tona? Emblemë e kësaj sjelljeje është Herodi mbret, që mbyt një mori fëmijësh të Betlehemit, kujtoi Françesku e mendimi i tij vrapoi shpejt nga Betlehemi, në Pakistan, ku një muaj më parë u therën më se njëqind fëmijë, me një mizori të padëgjuar.
Zë, që ngrihet kundër çdo lloj skllavërimi të njeriut e çdo lloj lufte
Kulturës që përjashton tjetrin duke lindur dhunë e vdekje, Papa i shtoi një numër të madh faktesh të kronikës së përditshme, ndërmjte të cilave, masakra tragjike e Parisit, pak ditë më parë, në një botë, ku të tjerët shikohen si sende, e njeriu, nga i lirë që lind, bëhet skllav, herë i modës, herë i pushtetit, herë i parasë, e herë-herë, deri i formave dredharake të fesë. Duke folur për pasojat e kësaj mendësie, Françesku kujtoi përsëri se sot ka shpërthyer lufta e vërtetë, e tretë, botërore, luftë e luftuar pjesë- pjesë, zonë-zonë, në skaje e skuta të ndryshme të Planetit, duke nisur nga Ukraina.
Terrorizmi përjashton Zotin e njeriun
Prej këndej, kujtoi Lindjen e Mesme e zonat e tjera në konflikt, si Siria e Iraku, ku vijon terrorizmi me vulë fundamentaliste fetare, edhe ky, fenomen i kulturës së përjashtimit. Në këtë rast, njeriu përjashton Zotin, duke e lidhur refuzimin me një pretekst thjesht ideologjik.
Papa kërkon përgjigje të njëzëshme kundër dhunës
Përballë gjithë kësaj padrejtësie, gjithë këtij agresioni, shhtoi, që godet shumë të krishterë e grupe të tjera etnike në Zonë, duhet dhënë një përgjigje e njëzëshme që, në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare, ta ndalojë përhapjen e dhunës, të rivendosë harmoninë e të shërojë plagët e thella, shkaktuar nga konfliktet. Nga selia e këtij takimi, Papa i bëri thirrje mbarë bashkësisë ndërkombëtare, ashtu si edhe qeverive të interesuara, të ndërmarrin nisma konkrete për paqen e t’i mbrojnë njerëzit që vuajnë pasojat e luftës e të persekutimit e detyrohen të lënë shtëpi e atdhe.
Papa i ftoi islamikët ta ngrejnë zërin kundër dhunës, që ta dëgjojë mbarë bota. Më pas, duke e nxitur bashkësinë ndërkombëtare t’i japë fund indiferencës përballë një situate të tillë, uroi që liderët fetarë, politikë e intelektualë, posaçërisht myslimanë, ta dënojnë çdo interpretim fundamentalist dhe ekstremist të fesë, që synon të përligjë aktet e dhunës.
Angazhim i Bashkësisë ndërkombëtare për Afrikën
Papa kujtoi edhe fëmijët, viktima të terrorit, duke përmendur sidomos Nigerinë, e pastaj edhe konfliktet e shumta me karakter civil, që trondisin Afrikën, duke nisur nga Libia, për të vijuar me situatën dramatike në Republikën Qendrafrikane, Sudanin, Bririn e Afrikës, Republikën Demokratike të Kongos, për të cilat Françesku kërkoi angazhimin e qeverive vendase e të bashkësisë ndërkombëtare.
Foli edhe për dhunimet, që shoqërojë luftërat, kujtoi sëmundjet dhe epidemitë, nga lebra, te ebola.
Një nga paragrafet më të rëndësishme, ishte ai, kushtuar refugjatëve e të shpërngulurve, njerëz që humbasin jetën në shtegtime çnjerëzore, që i nënshtrohen angarive të urryera nga ana e skllavopronarëve modernë, të cilët nuk ngopen kurrë me para!
Një gisht mbi plagët e botës!
Një gisht i dridhshëm, ai i Papës, preku sot të gjitha plagët e hapura të botës, duke treguar edhe rrugën që duhet ndjekur për t’i shëruar. Fjalimi përfundoi me një citim nga Pali VI, shqiptuar në OKB, më 1965: “Kurrë më luftë! Kurrë më! Paqja, paqja duhet t’u prijë fateve të popujve dhe të mbarë njerëzimit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.