2015-01-12 14:48:00

Kolombo


Kryeqytet i Sri Lankës deri më 1978, kur funksionet administrative u transferuan në Sri Jaywardenapura Kotte, tetë kilometra më tej. I vendosur në pjesën jug-perëndimore të vendit, qyteti është qendra kryesore ekonomiko-tregtare si dhe më e populluara, me rreth 600.000 banorë (më se 2 milionë, me gjithë rrethina). Emri Kolombo, i përdorur së pari nga portugezët, më 1505, ka shumë mundësi të rrjedhë nga termi singalez klasik “kola-amba thota”, që do të thotë “port mbi lumin Kelani”.
Kolombo njihej dymijë vjet më parë nga tregtarët romakë, kinezë, arabë. Në shekullin VIII, u pushtua nga arabët, që donin të kontrollonin, kështu, tregtinë ndërmjet mbretërive singaleze e pjesës tjetër të botës. Në shekullin XVI portugezët i dëbuan arabët e ndërtuan në qytet një fortesë, për të mbrojtur tregtinë e erëzave.
Holandezët e pushtuan qytetin më 1656, pas një rrethimi epik, në përfundim të të cilit 93 portugezë, që shpëtuan gjallë, u lejuan të dalin nga fortesa me lejekalimi.
Kolombo ishte kryeqytet i provincave detare të Shoqërisë holandeze të Indive lindore, deri në vitin 1796. Më pas u pushtua nga anglezët, që e bënë kryeqytet të kolonisë së tyre, Ceilonit. Vendi e fitoi pavarësinë paqësisht më 1948. I vendosur mbi bregun përendimor të Ishullit, është një nga portet më aktive të Oqeanit Indian, përmes të cilit kalon pjesa më e madhe e mallrave, që eksportohen nga vendi: çaji, kauçuku, vaji i kokosë, kopra e gurët e çmuar. Ka industri përpunimi (manifatura, fabrika duhani, vaji, tekstilesh e lëkurësh) si dhe një kompleks metalurgjik.








All the contents on this site are copyrighted ©.