Jezuiti shqiptar, Atë Anton Xanoni, në përvjetorin e lindjes
Atë Anton Xanoni(1862-1915), i njohur edhe me emrin Ndoc Xanoni, lindi në
Durrës më 12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku u rrit në gjirin
e etërve jezuitë. Si kreu shkollën e mesme, duke parë talentin e tij, jezuitët e dërguan
të kryente studimet e larta në Kuvendin Kartuzian Porta Coeli në veri të Valencies,
në Spanjë (1883), në Kraljevicë (1884), në Kremonë të Italisë (1886) dhe në Kolegjin
Gregorian në Krakovi të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua meshtar në Krakovi
dhe dy vjet më pas në u kthye Shkodër për të kryer misionin meshtarak e për të dhënë
gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë, trembëdhjetë
vjet më parë. Më 1896, para se të kthehej në Shqipëri, dha mësim një vit në kolegjin
Gregorian në Kier, në juglindje të Torinos në Itali. Atë Xanoni, së bashku me poetin
e gjuhëtarin e shquar, dom Ndre Mjedën (1866-1937) si dhe me të vëllain e tij, imzot
Lazër Mjedën, ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare Agimi, themeluar më 1901,
e cila punonte për nxitjen e krijimeve letrare në gjuhën shqipe, duke përdorur edhe
alfabetin e ri. Ishte Atë Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të
stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes, në një shkollë me ndikim si Kolegji
Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës,
Shkodër 1911-1912. Ai mbante qëndrim purist në shkrimin e shqipes, ishte ithtar i
zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë
fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh
studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe
kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk qe vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer
për kohën kur jetoi. Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija
e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe
politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha apo përkthime, që pëlqeheshin
shumë. Mbeti në histori edhe për veprat Gramatika shqyp, Shkodër 1909,
Shkurtorja e historis së moçme, 1910, e në veçanti për
vjershën me frymën e Rilindjes Rrnoftë Shqypnia, kushtuar shpalljes
së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj
dite. Atë Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915. Kujtohet si themelues i
shkollës letrare të jezuitëve, si një veteran i arsimit e i kulturës shqiptare.