2015-01-11 09:05:44

Shenjtorët e javës


E diel
11 janar, Kisha kremton solemnitetin e Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë Zot e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen e ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar. E prandaj Ungjilli i së diele na thotë: Mbretëria Qiellore është afër, kthehuni e besoni në Fjalën e Zotit. Kështu reflekton liturgjia e së dielës.

Gjithnjë më 11 janar, kalendari përkujton edhe Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare.

Të hënën më 12 janar, kalendari përkujton edhe shën Ernestin, Arkadin, martir e shën Çezirën, qe lidhet ngushtë me të vëllain shën Çesarin, ipeshkëv.

Të martën më 13 janar, kalendari përkujton shën Hilarin, ipeshkëv i Puatjesë,
që në vitin 353 u bë mbrojtës i flakët i Koncilit të Nikesë që luftoi herezinë ariane. Vepra e tij më madhe mbetet “De Trinitate” – “Mbi Trininë Shenjte”, shën Gofredin e shën Remigjin.

Të mërkurën më 14 janar, kalendari përkujton shën Feliçin e Nolës, ipeshkëv, martir e shën Malakinë, profet.

Të enjten më 15 janar,
kalendari kishtar përkujton edhe shën Palin, oshënarin e parë, shën Gjonin Kalibit, murg e shën Maurin, abat.

Të premten më 16 janar,
kalendari përkujton shën Marçelin I, papë e martir, Shën Prishilën, matronë romake.

Të shtunën më 17 janar, kalendari përkujton shën Andout, Abat e oshënar. Shën Antoni ishte pranë të gjithë njerëzve që atij i drejtoheshin, çdo personi i jepte këshilla për t’u përsosur shpirtërisht, e për të qenë përherë i bashkuar me Zotin.
Ai ngushëllonte të mjerët, shëronte të sëmurët, mësonte vëllezërit në fushën shpirtërore.

Të dielën e ardhshme me 18 janar, Kisha do të kremtojë të dielën e Dytë gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 18 janar, kalendari përkujton shën Priskës, themeluese e kishës romake me të njëjtin emër në Aventin të Romës.

Liturgjia e kësaj së diele na flet për fillimin e shenjave të bëra nga Jezusi, duke u nisur nga dasma e Kanës së Galilesë me shenjën e parë, atë të shndërrimit të ujit në verë. Kjo shenjë e parë bërë nga Krishti, vera, shpreh dashurinë besnike të Hyjit për njeriun, ndërsa uji, tregon njerëzimin që kërkon shndërrimin e shpëtimin. Këtë të diele kremtohet Dita e lutjes për bashkimin e të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.