2015-01-11 09:06:05

Papa Françesku mbledh një konferencë për Haitin, pesë vjet pas tërmetit


Dje, u mbajt në Vatikan, një konferencë për Haitin me temë “Bashkimi në Kishë: kujtime e shpresa për Haitin, pesë vjet pas tërmetit”. I organizuar nga Këshilli Papnor “Cor Unum”, nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine, në bashkëpunim me ipeshkvijtë e Haitit, takimi u zhvillua me dëshirën e Papës Françesku, me qëllim tërheqjen e vëmendjes botërore ndaj gjendjes në të cilën ndodhet akoma vendi e populli haitian, pavarësisht nga ndihmat e projektet e realizuara që nga viti 2010 deri më sot.
Pikërisht bilanci i këtyre projekteve u bë dje nga përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë, të Kishës Katolike vendase, të disa Konferencave ipeshkvnore, të disa organizmave katolike e kongregatave rregulltare, me pjesëmarrjen e diplomatëve të akredituar pranë Vatikanit.
Në orën 9.00, pas përshëndetjes së kryetarit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, kardinalit Marc Ouellet e pas relacionit të ish-kryetarit të “Cor Unum”, kardinalit Robert Sarah, pjesa e parë e konferencës iu kushtua procesit të rindërtimit material e shpirtëror të Haitit. Folën kryesisht protagonistë të Kishës Katolike lokale dhe të organizatave humanitare, që punojnë në vend. Në orën 11.30, pjesëmarrësit u pritën nga Papa Françesku në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik.
Pasdite, të pranishmit dëgjuan dëshmi të ndryshme nga veprimtarët ndërkombëtarë, që po merren me rindërtimin e vendit pas tërmetit. U diskutuan gjithashtu, përparësitë e kriteret e ndërhyrjeve të ardhshme. Në përfundim të punimeve, sekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, imzot Giampietro Dal Toso, sintetizoi problematikat aktuale të Haitit dhe fushat e veprimit në të ardhmen. Në orën 18.30, në kishën e Shën Marisë në Transpontinë, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin kryesoi kremtimin eukaristik, që mbylli ditën kushtuar Haitit.
Kujtojmë se në janar 2010, ishulli i Haitit pësoi dëme të jashtëzakonshme nga tërmeti me qendër në afërsi të kryeqytetit Port-au-Prince. Ai shkaktoi rreth 230 mijë viktima. Sipas vlerësimit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe të Kombeve të Bashkuara, rreth 3 milion vetë u dëmtuan rëndë. Tërmeti shkatërroi një pjesë të madhe të infrastrukturës, mijëra banesa si edhe të gjitha spitalet e ishullit.







All the contents on this site are copyrighted ©.