2015-01-11 10:25:26

Pagëzimi Krishtit na flet për shkëmbim mahnitës ndërmjet hyjnores e njerëzores


Pagëzimi Jezu Krishtit na flet për atë shkëmbim mahnitës e të madhërishëm ndërmjet hyjnores e njerëzores. Kështu me Festën e sotme të Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, mbyllet periudha e festave që lidhen me fundin e një viti e me fillimin e një viti të ri. Fjala e Zotit na kërkoi si besimtarë ta njohim në ngjarjen e Lindjes së Krishtit shenjën e shpëtimit të njeriut, të shenjtërisë së familjes e të paqes për botën e njerëzimin.
Të përhapen në mbarë botën drita dhe gëzimi i Jezu Krishtit: kjo është porosia, që Kisha u drejton besimtarëve e të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, kujtoi Papa, e është festa në të cilën Zoti i dëfton njeriut dinjitetin e tij më të thellë, dinjitetin e Birit të Hyjit.

Nga njëra anë fshehja e Hyjit pas përvujtërisë së natyrës njerëzore, në Foshnjën e Betlehemit; nga ana tjetër, dëftimi përmes mishërimit: dy realitete, që i shohim qartë në dy solemnitete: atë të Krishtlindjes e atë të Dëftimit të Zotit. Festa e Dëftimit të Zotit, që kremtojmë më 6 janar, na kujton adhurimin e tre Mbretërve Dijetarë, e, me që është dëftim, edhe Pagëzimin e Jezusit dhe Dasmën e Kanës. Mund të theksojmë dy aspekte, të dy festave të mëdha: gëzimin e dritën.
Gëzim e mahnitje burojnë vetvetiu nga kundrimi i fytyrës së kësaj Foshnjeje të përvuajtur, sepse e dimë që është Fytyra e Hyjit, e pranishme përgjithmonë në zemrën e njerëzimit; fytyra e Zotit të ardhur për ne, që jeton me ne.
Krishtlindja është gëzim, sepse, më në fund, shikojmë me sytë tanë e jemi të sigurt se Zoti është e mira e pambaruar, se është e vërteta, që ulet tek njeriu, për ta lartuar kah Vetja: Hyji bëhet, kështu, i afërt, që të mund ta shikojmë e ta prekim.
Teologjia dhe përshpirtëria e Krishtlindjes flasin për një shkëmbin mahnitës ndërmjet natyrës hyjnore e asaj njerëzore: Hyji bëhet njeri, merr natyrën tonë, lind si ne, duke i dëftuar, kështu, njeriut, dinjitetin e tij më të thellë: atë të birit të Zotit.
E kështu ëndrra e njerëzimit, nisur në Parajsë – duam të jemi si Zoti – realizohet në një mënyrë krejt të papritur, jo për shkak të madhështisë së njeriut, që nuk mund të bëhet Zot, por për shkak të përvujtërisë së Zotit, që zbret nga qielli e hyn në ne, me përvujtërinë e vet e na larton në madhështinë e vërtetë të qenies së Vet.
Është një shkëmbim, tejet i prekshëm në Eukaristi. Ftesa e Izaisë profet: “Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote; në dritën tënde do të ecin popujt, e mbretërit, në vezullimin e shkëlqimit tënd”…”, i drejtohet Kishës, por edhe secilit nga ne, e këtë nuk duhet ta harrojmë. E është ftesë për t’u bërë gjithnjë më të vetëdijshëm në misionin për ta përhapur dritën e re të Ungjillit.
Pra, Ungjilli është dritë, që nuk duhet fshehur. Duhet vënë lart e më lart. Kisha nuk është dritë, por merr dritën e Krishtit. E merr, për të qenë e ndriçuar e për ta përhapur, me gjithë shkëlqimin e saj. E kjo duhet të ndodhë edhe në jetën tonë personale.
Edhe sot, drita e Krishtit e davarit errësirën e botës, këtë na kujton Fjala e Zotit. Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë t’u tregosh të gjithëve gëzimin, risinë, dritën, që solli kjo Lindje Hyjnore në të gjithë jetën tonë, për të na bërë njerëz, që përhapin në botë gëzimin, risinë e vërtetë, dritën e Zotit, duke ua dhuruar edhe të tjerëve.
Porosia kryesore e Kishës në këtë periudhë liturgjike e shpirtërore është ta kumtojmë Ungjillin e ta pranojmë në zemrat tona këtë Foshnjë Hyjnore, për të marrë jetë, nga jeta e Tij, për t’i bërë ndjenjat, mendimet, veprimet e Tij, ndjenjat, mendimet, veprimet tona.

Edhe pas mase dymijë vjetësh, qendra e rrezatimit të paqes që kërkon njerëzimi, qendra e shpëtimin nga e keqja me të gjitha aspektet e saj, nuk është zhvendosur nga Nata e Betlehemit. “Shpëtimtari i të gjithëve” edhe një herë ka fytyrën e një foshnjeje, ka forcën e tij të brishtë, të një nënë e të një babë shembull për çdo familje, megjithëse sot modelet që po përhapen janë të tjera. Zemra e Liturgjisë është Zoti-Fëmijë që rrezaton të gjitha këto aspekte të jetës njerëzore. Në kremtimin e Natës së Krishtlindjes, më 24 dhjetorin e kaluar, Fjala e Zotit theksoi se Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi të jashtme. Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që ka nevojë për ndihmën tonë. Nuk do të na mposhtë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Ai na kërkon vetëm dashuri: për këtë bëhet fëmijë. Asgjë tjetër nuk do prej nesh, përveçse dashurinë, nëpërmjet së cilës mësojmë se si të hyjmë në ndjenjat e tij, në mendimet dhe vullnetin e tij – mësojmë të jetojmë me Të dhe të vëmë në jetë së bashku me Të edhe përvujtërinë e heqjes dorë nga disa gjëra, përvojë që është thelbi i dashurisë.
Pyesim: a është akoma i nevojshëm një “Shpëtimtar” për njeriun që ka arritur në Hënë e në Mars e bëhet gati të pushtojë universin?, për njeriun që ka arritur të deshifrojë edhe kodet e mrekullueshme të ADN-së njerëzore, që lundron në oqeanin virtual të internetit dhe e ka kthyer Tokën, këtë shtëpi të madhe të përbashkët në një fshat global?. Përgjigjja është “po”, sepse pa Shpëtimtarin dhe mesazhin e tij universal të dashurisë, planeti mbetet në mjerim. Akoma ka njerëz që vdesin nga urrejtja e dhuna, nga uria e etja, nga sëmundjet e varfëria në këtë kohë bollëku e konsumizmi të shfrenuar. Akoma ka njerëz skllevër, të shfrytëzuar e të ofenduar në dinjitetin e tyre; ka njerëz viktima të urrejtjes raciale e fetare… Ka njerëz që e shohin veten e të afërmit e tyre, sidomos fëmijët, të martirizuar nga armët, nga terrorizmi e nga çdo lloj dhune në një epokë, në të cilën të gjithë njerëzit kërkojnë e shpallin përparimin, solidaritetin e paqen për të gjithë.
Të gjithë janë të thirrur që t’i kthejnë sytë nga Krishti, pa pasur frikë prej Tij. Pse Krishti është dritë, e drita nuk mund të errësojë, por vetëm të ndriçojë. E duke filluar nga Krishti, mund të vijë ai humanizëm i ri për të cilin ka nevojë bota e secili prej nesh.
Shohim gjithnjë e më qartë se një rend i ri botëror ekonomik e politik nuk funksionon nëse nuk ka përtëritje shpirtërore, nëse nuk i afrohemi sërish Zotit e gjejmë Zotin mes nesh... Shohim gjithnjë e më tepër se nuk mund të krijojmë vetëm, nuk mund të gjejmë drejtësi e paqe, përveçse nën dritën e Zotit që na tregon fytyrën e Tij, që na shfaqet në grazhdin e Betlehemit e na shfaqet edhe në kryq. Krishti është shpëtimi i njeriut, shenjtëria e familjes dhe paqja për botën. Urojmë pra edhe një herë të gjithëve që Krishti, me dritën e Tij Hyjnore, të vijon të shkëlqejë e të përhapë gëzim në të katër anët. Edhe një herë, urime për një kohë shpirtërore të bekuar nga prania e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.