2015-01-11 12:27:29

Françesku pagëzon 33 foshnja: shumë nëna nuk mund t’ua shuajnë urinë fëmijëve


Papa Françesku kremtoi, në Kapelën Sikstine, Festën e Pagëzimin të Zotit. Gjatë Meshës, u dha Sakramentin e Pagëzimit 33 të posalindurve, 20 vajza, 13 djem, bij të nëpunësve të Vatikanit. Nuk ishte vendosur, me këtë rast, mbi presbiter, elteri lëvizës, që i krijon meshtarit mundësinë të kremtojë përballë popullit, siç bëhet zakonisht pas Koncilit II të Vatikanit. Prej këndej, Papa Bergoglio kremtoi sipas ritit të lashtë, përballë tabernakullit. Pati kremtuar kështu edhe Papa Benedikti XVI, në raste të këtilla, por Papa i ri, deri më sot, gjatë kremtimeve në Sikstinë, kremtoi gjithnjë mbi elterin lëvizës, (që, natyrisht, nuk përkon harmonikisht me vendin e afreskuar nga Mikelanxhelo, me veprën e tij më të rëndësishme, Gjyqin e Mbramë). Hera e parë, pra, pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit, që Papa Françesku kremton publikisht duke i kthyer shpatullat popullit.RealAudioMP3
“Pagëzimi është pjesë e korpit të Kishës, popull shenjt i Hyjit në shtegtim”. Kështu u shpreh Papa gjatë Meshës në Festën e Pagëzimit të Zotit. Françesku i nxiti prindërit, nunët e nunat, t’i rrisin fëmijët nën dritën e Fjalës së Zotit. Bëri, më pas, thirrje në favor të shumë nënave që, në mbarë botën, nuk ia dalin dot të shuajnë urinë e fëmijëve.
Nuk mund të jesh i krishterë, jashtë Kishe
Një qiri që, si e merr dritën nga burimi i qiriut të Pashkëve, simbol i Krishtit të Ngjallur, të gjallë mes nesh, kalon dorë në dorë, brezni në brezni. Këtë figurë përdori Françesku, për t’u folur nënave, baballarëve, nunëve e nunave, për fenë e Kishës, popullin në shtegtim, që u transmetohet fëmijëve në Pagëzim.
“Është feja e Kishës. Feja e Marisë, Nënës sonë, feja e Shën Jozefit, Shën Pjetrit, Shën Andreut, Shën Gjonit, feja e Apostujve dhe e Martirëve, që arriti deri tek ne përmes Pagëzimit. Shumë e bukur, kjo! Këtë dritë e merrni në Kishë, në korpin e Krishtit, në popullin e Hyjit, që shtegton në të gjitha kohët e në të gjitha vendet. Mësojini fëmijët tuaj se nuk mund të jesh i krishterë, jashtë Kishe, nuk mund të ndiqet Krishti, pa Kishën, sepse Kisha është nënë e na bën të rritemi në dashurinë e Krishtit”.
Të lutemi për nënat, që nuk mund t’ua shuajnë urinë fëmijëve
Në kornizën e “Fjalës së pikturuar” të Kapelës Sikstine, bukuria e së cilës konfirmohej, pa u trazuar fare, nga gugatjet e 33 të pagëzuarve të rinj, Françesku i nxiti familjarët e tyre, nga prindërit, te gjyshat, t’i ushqejnë me Fjalën e Hyjit, me Ungjillin e Jezusit, “ushqim me vlerë, që të bën të rritesh e të mbledhësh fryte të mira në jetë, ashtu si shiu e bora i bëjnë mirë tokës, e bëjnë pjellore”. Fjala është shujta e ushqyeshme, që Hyji, si baba i mirë e nënë e mirë, dëshiron t’ua japë bijve të vet.
Ju, nëna, i jepni fëmijëve tuaj qumështin, edhe tani. Po të qajnë nga uria, mëkojini! Kanë uri e qajnë, prandaj mund t’i mëkoni kudo. Ta falënderojmë Zotin për dhuratën e qumështit e t’i lutemi për nënat, janë shumë, për fat të keq, që nuk kanë ç’t’u japin fëmijëve të tyre të uritur. Të lutemi e të përpiqemi t’i ndihmojmë këto nëna. Të lutemi për nënat, që na kujtojnë se atë që bën qumështi për korpin, e bën Fjala e Hyjit për shpirtin: Fjala e Hyjit e bën fenë të rritet.Ndihmojini fëmijët të rriten në dashurinë e HyjiE në këtë fe fëmijët pagëzohen, i kushtohen Shpirtit Shenjt, në të cilin qe kredhur Jezusi gjatë gjithë jetës së Tij tokësore:
“E atëhere, të dashur prindër, nunë e nuna, nëse dëshironi që fëmijët tuaj të bëhen të krishterë të vërtetë, ndihmojini të rriten ‘të kredhur’ në Shpirtin Shenjt, domethënë, në ngrohtësinë e dashurisë së Hyjit, në dritën e Fjalës së Tij”.Lutjuni Shpirtit Shenjt ditë për ditë
Më pas, ftesa për ta mbajtur gjithnjë me vete Ungjillin e për t’iu lutur çdo ditë Shpirtit Shenjt, në shkollën e Marisë.
“Zakonisht i lutemi Jezusit. Kur themi ‘Atynën’, i lutemi Atit. Por Shpirtit Shenjt nuk i lutemi aq… E pra është tejet e rëndësishme t’i lutemi Shpirtit Shenjt, që të na mësojë ta çojmë përpara familjen e që këta fëmijë të rriten në frymën e Trinisë Shenjte. Është pikërisht Shpirti Shenjt ai, që i çon përpara. Prandaj, mos harroni t’i luteni shpesh Shpirtit Shenjt, t’i luteni çdo ditë. Mund ta bëni, për shembull, me këtë lutje të thjeshtë: “Eja, o Shpirti Shenjt; mbushi zemrat e besimtarëve të tu e ndeze në to zjarrin e dashurisë sate”.







All the contents on this site are copyrighted ©.