2015-01-09 14:53:18

Sekretari Shtetit Vatikanit, Kard. Parolin flet për vizitën e Papës në Sri Lanka e Filipine


Dy janë pikat e forcës së misionit të Kishës në kontinentin aziatik: “veprimtaritë bamirëse në fushën e shëndetit dhe të edukimit” e “dialogu ndërmjet feve”, themelor, sot, për paqen në botë, e detyrë për të gjitha fetë. E pohon këtë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë realizuar nga Barbara Castelli, e Qendrës Televizive të Vatikanit, në bashkëpunim me L’Osservatore Romano, në prag të shtegtimit të Papës në Sri Lankë e në Filipine: RealAudioMP3

Pyetje: - Papa Françesku rikthehet në Azi pesë muaj pas vizitës në Kore, ku e cilësoi dialogun ndërfetar si mision i parë i Kishës në kontinent. Mendoni se edhe në këto dy vende, kaq të ndryshme, do të ngulmojë mbi këtë pikë?

Përgjigje: - Misioni i Kishës në Filipine e në Sri Lankë, është ai i Kishës në mbarë botën: të kumtojë Ungjillin, të shpallë Lajmin e Mirë të Jezusit, që është burim jete e shprese për të gjithë njerëzit. Duke pasur parasysh, natyrisht, edhe rrethanat, në të cilat Kisha jeton e vepron. Rrethana, që karakterizohen nga larmia, që janë gati-gati një mozaik, me shoqëri, kultura e fe të ndryshme. Kontinenti aziatik është djepi i feve të mëdha të botës. E pastaj, duhet pasur parasysh fakti se Kisha është pakicë, është grigjë e vogël, në mes të këtij realiteti të pafundmë. E atëherë ky mision duhet modeluar mbi bazën e këtyre karakteristikave. Shoh dy pika force në këtë mision: nga njëra anë, aspektin e veprimtarive bamirëse e humanitare në fushën e shëndetit e të edukimit, që vlerësohen shumë nga popullsitë e nga qeveritë e vendeve të ndryshme; e nga ana tjetër, takimin, respektin e pranimin reciprok, duke pasur parasysh edhe atë që thotë Papa në Evangelii gaudium, domethënë se dialogu ndërfetar sot është themelor për paqen në botë, e, prej këndej, detyrë për të gjitha fetë. Kjo do të jetë pika nyjore, kryesore, ku do të përqendrohet vëmendja e Papës gjatë shtegtimit.

Pyetje: - Në Sri Lankë, për fat të keq, ndryshimet etnike e fetare vijojnë të jenë burim tensionesh aq, sa në vend është zhvilluar deri një fundamentalizëm budist. Cili është, sipas jush, misioni e detyra e të krishterëve në këtë skenar kaq të ndërlikuar?

Përgjigje: - Më duket se po të ketë ndonjë vend, ku duhet folur për funksionin e urës, ky është pikërisht Sri Lanka. E është karakteristik për Kishën në vend. Edhe ngaqë Kisha lehtësohet në kryerjen e kësaj detyre për faktin se ka në gjirin e vet anëtarë, besimtarë nga të dyja etnitë kryesore, si tamil, ashtu edhe cingalezë, e prej këndej, Kisha e di ç’ka në zemër të secilit, njeh edhe shpresat e pritjet; e, prandaj, mund ta kryejë detyrën, funksionin e pajtimit, të dialogut, të bashkëpunimit. Por dua të nënvizoj edhe faktin se Sri Lanka tradicionalisht njeh një zhvillim të ndjeshëm të kësaj harmonie fetare ndërmjet feve të ndryshme, është shquar gjithnjë për këtë takim, për këtë dialog. Për fat të keq, kohët e fundit janë krijuar grupe ekstremiste, që e manipulojnë pakëz opinionin publik dhe krijojnë tensione, duke e përdorur fenë për qëllime jo të qarta. Ne urojmë që kjo traditë, e dialogut ndërfetar dhe e bashkëpunimit, të ketë epërsi mbi përpjekjet e reja për ta destabilizuar situatën e njëkohësisht, urojmë edhe që autoritetet të ndërhyjnë pikërisht për t’i mbrojtur këto, që janë vlera themelore për popullsinë.

Pyetje: - Papa do të vizitojë edhe shenjtëroren e Madhu, në një zonë me shumicë Tamil. Cila është udha, që duhet ndjekur, për pajtimin, pas kaq vjet lufte, me pasojë një numër tepër të madh viktimash?

Përgjigje: - Do të thosha se Madhu është pak a shumë simbol i kësaj “Kishe urë”, për të cilën fola, pikërisht sepse është qendër lutjeje e edhe qendër takimi. Shenjtërorja e Madhu njihet, ndiqet e vlerësohet edhe nga anëtarët e feve të tjera, e jo vetëm nga katolikët. Kujtojmë, pastaj, edhe episodet e lidhura me luftën civile, kur Papa Benedikti i pati kërkuar presidentit të asokohshëm të Republikës, të bënte ç’ish e mundur që të mos prekej shenjtërorja, pikërisht për këtë karakteristikë: ishte asokohe në vijë të frontit ndërmjet dy grupeve, që ndesheshin e, njëkohësisht, edhe qendër e pranisë së të shpërngulurve të shumtë, nga të dyja palët. Besoj se Papa Françesku, ashtu siç bëri më 8 shkurt, kur u takua me bashkësinë srilankeze në Shën Pjetër, do t’i kujtojë këto episode të dhimbshme, do të kujtojë edhe lotët e shumtë, që u derdhën për shkak të dhunës e të mizorisë së konfliktit. E do ta bëjë këtë jo për të rihapur plagët, sa për të hedhur vështrimin drejt së ardhmes. Ky impenjim për pajtimin duhet t’i karakterizojë të gjithë anëtarët e shoqërisë së Sri Lankës. Angazhim pajtimi, që kalon përmes njohjes të së të vërtetës. Prandaj mendoj se duhet të jenë dy etapa: ajo e vëmendjes ndaj drejtësisë dhe ajo e bashkëpunimit ndërmjet të gjithëve, për të mirën e përbashkët.

Pyetje: - Filipinet janë i vetmi vend me shumicë katolike në Azi. Si mund të vlerësohet prania e kësaj Kishe të re, gjithë gjallëri, brenda Kontinentit?

Përgjigje: - Më thanë pikërisht dje filipinasit, që janë kthyer këto ditë nga vendi i tyre, se në këto javë ndjehet një lutje e vërtetë korale, e thellë, në pritje të vizitës së Papës. Këto janë premisa shumë pozitive. Besoj se vlerësimi kalon përmes njohjes së rolit, që ka Kisha në Filipine, si në kontekstin aziatik e të Juglindjes aziatike, ashtu edhe në kontekstin botëror. Papa dëshiron që me këtë shtegtim, në vijim të atij në Kore, ta përqendrojë vëmendjen e Kishës mbi këtë realitet: e njëkohësisht edhe të radhitet në udhën prej nëntë vjetësh, që çon në kremtimin e 500-vjetorit të arritjes së Ungjllitt në Filipine, më 1521. E ky vit u kushtohet të varfërve. Atëhere qendërsia rrjedh nga numri: domethënë, nga që Filipinet janë një nga vendet e Juglindjes aziatike, ku shumica e popullsisë është katolike. Them një, sepse është edhe Timori lindor, ku 90% e popullsisë është katolike: nuk duhet ta harrojmë edhe këtë. Filipinet janë edhe gjeografikisht në qendër: mjafton të mendosh për takimet e shumta të rëndësishme, që u mbajtën, duke u nisur nga vizita e Palit VI, më 1970, gjë që, pastaj, qe zanafillë e themelimit të Federatës së Konferencave ipeshkvnore aziatike. Besoj se pika tjetër e rëndësishme, është qendërsia e Filipineve, për shembull, për studimet e shumë të rinjve nga vende të ndryshme aziatike fqinje, të cilët vijnë për të thelluar formimin, që jepet në universitete e ndryshme katolike të vendit. E, së fundi, duhet kujtuar edhe rrezatimi i Filipineve në botë: e dimë se filipinasit janë të pranishëm në shumë vende të Azisë, por edhe të Amerikës e të Evropës. Prej këndej, mundësitë e ungjillëzimit në Filipine janë të shumta. Rëndësi ka që Kisha ta pranojë këtë mesazh e këtë nxitje, që po i jep Papa Françesku, për të qenë Kishë në dalje: Kishë, që e ndjen detyrën e ungjillëzimit e të kumtimit të Ungjillit.

Pyetje: - Tema do të jetë “mëshirë e dhimbsuri” e Papa Françesku do ta kërkojë e do ta tregojë për viktimat e tufanve e të tërmeteve, por edhe për viktimat e varfërisë e të korrupsionit…

Përgjigje: - Kjo është pakëz tema e shtegtimit: e dhimbsurisë, e mëshirës ndaj shumë njerëzve, që vuajnë nga fatkeqësitë natyrore, posaçërisht në Filipine, që vuajnë nga padrejtësitë strukturore, siç janë varfëria e korrupsioni; që vuajnë edhe për shkak të pasojave akoma të prekshme të konfliktit civil. Është mëshirë e dhimbsuri që shëron, në radhë të parë. E ky, edhe kuptimi i pranisë së Papës: të çojë një element, një përmasë shërimi e ballafaqimi në këtë situatë. E, njëkohësisht, pikërisht sepse në këtë kuptim mëshira e dhimbsuria janë elemente aktive, t’i ftojë të gjithë të japin ndihmesën që këto plagë të përthahen e këto dhimbje të lënohen e, në mënyrë të veçantë, të kapërcehen shkaqet që i hapën







All the contents on this site are copyrighted ©.