2015-01-09 14:52:54

Papa: kush e do Zotin, është i lirë, vetëm Shpirti Shenjt e hap zemrën


Vetëm Shpirti Shenjt e bën zemrën të epshme ndaj Zoti e lirisë. E pohoi Papa në homeli, gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shën Martës. Dhimbjet e jetës, tha në vijim, mund ta mbyllin zemrën e njeriut, ndërsa dashuria e bën të lirë.RealAudioMP3

Një seancë joge nuk mund ta mësojë zemrën “ta ndjejë” atësinë e Zotit, e as një kurs përshpirtërie zen, nuk mund ta bëjë të lirë për të dashur. Këtë pushtet e ka vetëm Shpirti Shenjt. Papa u nis nga episodi i Ungjillit të ditës, ai, që pason shtimin e bukëve, në të cilin dishepujt tremben për vdekje kur e shikojnë Jezusin duke ecur drejt tyre mbi ujë. Episodi përfundon me shpjegimin e arsyes së kësaj frike: Apostujt nuk e kishin kuptuar mrekullinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ashpëruar.
Jetë e ashpër e mure mbrojtëse
Zemra e njeriut mund të bëhet gur për shumë arsye, vërejti Papa. Mund të bëhet për shkak të dhimbjeve të mëdha, për shembull. Kjo u ndodh dishepujve të Emmausit, që nuk kanë guxim të shpresojnë përsëri, nga frika se mund të pësojnë një zhgënjim të ri, të padurueshëm. I ndodh Tomës, që nuk do të besojë në ringjalljen e Krishtit. E, një arsye tjetër, që e bën zemrën gur, është mbyllja e në vetvete.
“Të mbyllësh një botë në vetvete. Të krijosh një botë të mbyllur! Në vetvete, në bashkësinë e vet ose në famullinë e vet, por gjithnjë, të mbyllur. E mbyllja mund të lidhet me shumë gjëra: me kreninë, mendimin se i mjaftojmë vetes e s’kemi nevojë për tjetërkënd, se jemi më të mirë nga të tjerët, me kotësinë, apo jo? Ka gra e burra që janë si pasqyrat, të mbyllur në vetvete, për të parë vazhdimisht vetëm veten, apo jo? Këta narcizistë besimtarë, apo jo? Me zemër të ngurtë, të mbyllur. Që bëjnë çmos t’i mbrojnë muret e ndërtuara rreth vetes.
Siguri burgu
Ka edhe nga ata, që ngujohen brenda ligjit, duke e ndjekur fjalë për fjalë atë, që vendosin urdhërimet. Këtu zemrën e bën gur pasiguria. E kush kërkon siguri në diktatin e ligjit, ndjehet i sigurt, vijoi Papa, me ironi të hollë, ashtu si ndjehet i sigurt burri a gruaja e mbyllur në qeli, në burg, pas hekurave të kryqëzuar. Është siguri pa liri! E kundërta e asaj, që erdhi të na sjellë Jezusi, lirisë së vërtetë:
“Zemra, kur bëhet gur, nuk është e lirë, e nëse nuk është e lirë, nuk mund të dojë: kështu përfundonte Gjoni Apostull në Leximin e parë. Dashuria e vërtetë e dëbon frikën: në dashuri nuk ka frikë, sepse frika ka mbrapa ndëshkimin e kush trembet, nuk është i përsosur në dashuri. Nuk është i lirë. Ka gjithnjë frikë se mund të ndodhë ndonjë gjë e dhimbshme, e trishtë, që ta rrënon këtë jetë e ta vë në rrezik edhe tjetrën, jetën e pasosur… E nis, kështu, e trillon gjithfarë rreziqesh, thjesht sepse nuk do. Kush nuk do, nuk është i lirë. E zemra e tij është e ngurtësuar, sepse nuk ka mësuar akoma të dashurojë!
Shpirti Shenjt bën njerëz të lirë e të bindur
Atëherë, kush na mëson të duam? Kush na çliron nga ngurtësia”? Pyet Françesku. “Vetëm Shpirti Shenjt”, është përgjigjja:
“Ti mund të bësh mija kurse katekizmi, mija kurse përshpirtërie, mija kurse joge, zen e kësisoj kursesh të tjera. Por e gjithë kjo nuk do të jetë kurrë në gjendje të të japë lirinë e birit. Këtë liri ta jep vetëm Shpirti Shenjt, që e frymëzon zemrën tënde aq, sa të thotë “Atë”. Vetëm Shpirti Shenjt është i aftë ta shpartallojë, ta thyejë këtë ngurtësi zemre e të bëjë një zemër… të butë? Nuk e di! Nuk më pëlqen kjo fjalë…. “I butë”. I epshëm ndaj Hyjit. I bindur. I shtruar ndaj lirisë së dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.